Jo të gjithë priftërinjtë janë të shenjtë

Teologu i krishterë Izidor Lukiq nga shkolla «Don Bosko» duhet t’i nënshtrohet një hetimi të pakompromis nga autoritetet e drejtësisë.

Foto: Shutterstock



Ka disa ditë që një grumbull fotografish tepër të diskutueshme të teologut të krishterë Izidor Lukiq kanë shqetësuar opinionin në Kosovë. Fotografitë flasin vetë: Lukiq shihet duke bërë poza që sugjerojnë një afërsi të tij të palejueshme me gjasë me nxënëse të shkollës «Don Bosko». Në mbrojtje të Lukiqit janë vënë disa besimtarë katolikë, të cilët ose nuk shohin gjë të dyshimtë në fotografi – ose përpiqen ta mbrojnë fenë e tyre, duke këmbëngulur se kleri katolik është i pagabueshëm. Lukiqin nuk e kanë kritikuar as urrejtësit kujdestarë të feve të tjera (sidomos të islamit). Me gjasë ata mendojnë se të gabueshëm janë vetëm popët ortodoksë të Serbisë dhe imamët agresivë të disa xhamive në viset shqiptare. Të gjithë ata që mendojnë kështu gabojnë rëndë. Sepse nuk ka njeri të pagabueshëm. Dhe teologët hyjnë po ashtu në rendin e njerëzve, pa marrë parasysh nëse ne u besojmë apo jo dogmave të tyre, të cilat ata janë të lirë t’i propagandojnë.

Një gjë duhet të jetë e qartë: teologu i krishterë Izidor Lukiq nga shkolla «Don Bosko» duhet t’i nënshtrohet një hetimi të pakompromis nga autoritetet e drejtësisë. Që nga paslufta mësimet në këtë shkollë i kanë ndjekur mijëra nxënës. Nëse edhe një i vetëm është keqpërdorur gjatë procesit mësimor nga ana e përgjegjësve të shkollës, atëherë drejtuesit e shkollës duhet të veprojnë urgjentisht së pari për t’i dënuar keqpërdoruesit, së dyti për të penguar çdo lloj shpërdorimi të fëmijëve në të ardhmen.

Mediat në Kosovë me të drejtë kanë atakuar të gjithë imamët që kanë sharë Nënë Terezën, kanë njollosur historinë shqiptare, kanë propaganduar terrorizmin në vend të paqes. Tani është detyrë e tyre të hulumtojnë pa asnjë kompromis edhe gabimet apo krimet e mundshme të teologut të krishterë Izidor Lukiq. Kuptohet se pa u dënuar me vendim të plotfuqishëm nga drejtësia Lukiq është i pafajshëm. Por kjo nuk domethënë që ai gëzon ndonjë privilegj për shkak se gjoja i takon një «feje më përparimtare», andaj u dashka të amnistohet. Jo. Kurrsesi.

Kisha katolike – kjo s’mund të mohohet nga askush – ka probleme të mëdha me priftërinj që gjatë jetës së tyre nuk arrijnë t’i përmbahen celibatit (ndalesës së martesës dhe marrëdhënieve seksuale). Sipas Biblës priftërinjtë duhet të jetojnë beqarë për «hir të mbretërisë së qiejve». Shën Pali, njëri nga shenjtorët më të rëndësishëm të krishterë, e pranoi se nuk kishte asnjë urdhër nga zoti sa i përket domosdoshmërisë së beqarisë së priftërinjve. Në Bibël bëhet fjalë për «vjehrrën e Shën Pjetrit». Dhe Shën Pjetrin katolikët e konsiderojnë si Papën e parë.

Kundër celibatit diskutohet që nga koha e Shën Pjetrit. Prifti i suspenduar gjerman dhe intelektuali i shquar Eugen Drewermann është i mendimit se qëllimi i celibatit është të ketë pushtet mbi shpirtin e njeriut. Dhjetëra politikanë gjermanë, mes tyre edhe kryetari i parlamentit Norbert Lammert, por edhe mbi 150 teologë të krishterë kanë kërkuar t’i jepet fund celibatit për shkak se shumë priftërinj bëjnë një jetë sekrete. Grigjës (besimtarëve) u predikojnë ujë, vetë pinë verë – ose thënë ndryshe: para besimtarëve mallkojnë martesën e priftërinjve dhe pas perdeve të Kishës keqpërdorin fëmijë ose mbajnë si skllave së paku një të dashur apo grua.

Kur ishte ipeshkëv i Buenos Airesit Papa Françesku kishte treguar një anekdotë: «Pyet prifti: <A do ta heq një koncil i ri celibatin?>. Tjetri përgjigjet: <Besoj se po>. Prifti i parë: <Sidoqoftë, ne nuk do ta përjetojmë këtë, por në rastin më të mirë fëmijët tanë>». Vetë Papa Françesku ka pranuar se ekziston problemi i pedofilisë në Kishën Katolike. Jo të gjithë priftërinjtë janë të shenjtë. Se a është i shenjtë teologu i krishterë Izidor Lukiq – përgjigjen duhet ta japin autoritetet e drejtësisë në Kosovë.