Jevtiq: «Lugina e Diellit» e rëndësishme për kthimin e të shpërngulurve

Ministri për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës Dalibor Jevtiq ka deklaruar sot se qëllimi primar është që të gjithë të shpërngulurit të kthehen në Kosovë dhe ka shtuar se përkrahja e Qeverisë së Serbisë në projektin e «Luginës së Diellit» është me rëndësi të jashtëzakonshme për procesin e kthimit të të shpërngulurve.

Ai, në ditën e parë të Konferencës rajonale për zgjidhjen afatgjate të çështjes së të shpërngulurve në takimin e grupit punues në Beograd, sërish ka kërkuar, njofton tanjug, përkrahjen e të gjitha institucioneve relevante të Kosovë, vendore e ndërkombëtare, për kthimin e të shpërngulurve, transmeton Koha.net.

Jevtiq ka shtuar se pret përkrahje më të madhe në implementimin e masave dhe të rekomandimeve që janë miratuar në kuadër të Komisionit ndërministror për kthim.

Në fund të javës së shkuar, Serbia, në veri të Mitrovicës vuri gurthemelin për ndërtimin e 300 shtëpive për kthim të 1500 serbëve në Kosovë.