Jevgut




More, jevg, gërnetën që t’ia themi prapë
edhe tok të pimë, hajt për kokën tënde,
se rakia sonte do na bëjë tapë,
të na duken yjet sikur ndrrojnë vende!

E kur kjo rakia do na vej’ në kokë,
do të dalim bashkë, do bërtasim jashtë,
do t’i themi qiellit se ne jemi trokë,
prandaj po këndojmë këmbëkryq mbi kashtë!

Kur të ngjret zëri, kur të sos’ rakia,
kur të kemi thyer shishe edhe gota,
bashkë do bërtasim tutje nga parsia,
t’i tregojmë prapë se ne jemi bota!

Eja, jevg, të pimë, jak për shpirtin tënd,
se me ty kam gjetur jetën për çdo natë,
eja shpejt ta tundim, të na merren mend,
të harrojmë veten, jetën beribatë!

Jak të pimë sonte, le t’ia thot’ gërneta,
se te buz’ e shishes gjetëm dashurinë,
se gërneta jote qesh e qan si jeta,
eja, jevg, të pimë, se ta kam zilinë!