Jeta e ngrirë në konfliktin e ngrirë

Si jetojnë serbët në Kosovë? Pse ata s’kanë frikë nga shqiptarët, por nga serbët e dirigjuar nga Beogradi? Përse në veri të Mitrovicës nuk mund të shikohet as televizioni publik RTK-2, as televizioni i pavarur rajonal N1? Si u ndërpre integrimi i serbëve në Kosovë pasi presidenti serb dhe ai kosovar nisën bisedat e fshehta për ndarjen e Kosovës? Kush janë lobistët për ndarjen e Kosovës? Raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, i drejtuar nga Sonja Biserko, jep përgjigje interesante. Një nga lajmet pozitive: për dallim nga mediat serbe, të cilat helmojnë atmosferën me lajme negative mbi jetën në Kosovë, mediat kosovare nuk kanë strategji të tillë. Në raport shquhet një apel: serbë të Kosovës, mësoni shqip!

Sonja Biserko.



Konfuzion, pasiguri, papunësi – kjo është gjendja në të cilën ndodhet pakica serbe në Kosovë. Përpjekjet për të imponuar ndarjen e Kosovës, dobësimi i potencialit mobilizues të Bashkimit Europian dhe trendet regresive në Ballkan kanë efekte negative te serbët e Kosovës, veçanërisht te ata që jetojnë këndej lumit Ibër. Në një raport të Komitetit të Helsinkit në Beograd, i cili drejtohet nga aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko, jepen përgjigje interesante mbi politikën e sabotimit të Kosovës nga ana e Beogradit, mbi debatet për ndarjen e Kosovës, mbi frikën e serbëve të Kosovës nga serbët, jo nga shqiptarët, mbi gjendjen e rëndë ekonomike jo vetëm të serbëve në Kosovë. Në raport trajtohen shumë çështje të rëndësishme që opinioni në Kosovë do të duhej t’i kishte parasysh sidomos tani kur idetë për rrudhjen e territorit të Kosovës janë gjithnjë e më aktuale.

Viti 2013

Kosova dhe Serbia nënshkruan në vitin 2013 Marrëveshjen e Brukselit mbi normalizimin e raporteve. Pas kësaj marrëveshjeje Serbia filloi negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim (2015). Ndonëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) theksoi se deklarata e pavarësisë e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Serbia, sipas raportit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, nuk e ka pranuar realitetin e ri në Kosovë dhe faktin se mbi 110 vende e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. «Qëllimi i Serbisë është të hyjë në BE, të përmirësojë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me bashkësinë ndërkombëtare dhe dalëngadalë të përmbyllë problemin e Kosovës, ndërsa Kosova synon të integrojë pjesën veriore, i cili banohet nga shumica serbe, dhe i cili përbën rreth 10 për qind të territorit të Kosovës, si dhe të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare dhe të fitojë njohjen nga Serbia dhe pesë shtetet anëtare të BE-së (Qipro, Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania). Qëllimi i përbashkët është anëtarësimi në BE», shkruan Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Në raport citohet një banor i Zveçanit me këto fjalë: «Kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit më 2013, ndjeva se jetoj në shtetin e Kosovës, dhe atë dhimbje tashmë e kam kaluar». Një banor i Graçanicës, profesor i shkollës së mesme, thotë: «Ne jemi integruar që në vitin 2007, kam qenë pjesë e atij procesi. Ajo kohë jepte shpresë. Para dhe pas 2007 nuk është njëjtë. Graçanica tani është vend krejtësisht i ri». Sipas Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ky proces i integrimit të serbëve si dhe bisedat për themelimin e asociacionit të komunave serbe u ndërprenë pasi presidenti serb dhe ai kosovar nisën bisedat e fshehta për ndarjen e Kosovës. Dialogu u bllokua pas përpjekjeve për ndryshimin e kufijve. Një sërë incidentesh kanë qenë në funksion të bllokimit të bisedave mbi asociacionin e komunave serbe, të cilat tashmë patën filluar. «Përveç kësaj menjëherë pastaj u ngrit muri në Mitrovicën veriore, gjë që bllokoi dialogun mbi bashkësinë e komunave serbe dhe e orientoi dialogun në drejtim të ndryshimit të kufijve», nënvizohet në raport, i cili kritikon kryediplomaten e BE-së,  Federica Mogherinin, e cila duke pranuar bisedat për ndryshimin e kufijve ka ndryshuar formatin e bisedimeve, të cilat në fund mbetën në qorrsokak; kjo tregoi paaftësinë e Mogherinit për të udhëhequr këtë proces të ndërlikuar në kuadër të kritereve të definuara dhe standardeve.

I biri i Sorosit, Petritschi, Ivan Vejvoda

Në Raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi citohet ish-kryeministri suedez Carl Bildt, i cili në një shkrim për «Washington Post» ka theksuar se propozimi për ndryshimin e kufijve në rajon është «recetë për destabilizim gjeopolitik». Muajve të fundit, nënvizohet në raport, në sipërfaqe kanë dalë lobistë të ndryshëm për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Ata janë: Instituti East West në New York, ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, i cili tani është president i Institutit East West, Alexander G. Soros, i biri i filantropit dhe spekulantit në bursë, George Soros, pastaj Wolfgang Petritsch, ish-diplomat austriak në pension, i cili punon për një zyrë avokature në Vjenë, e cila këshillon qeverinë serbe, Ivan Vejvoda, një sorosist i ngahershëm nga Beogradi, ish-këshilltar i kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, dhe Jelena Miliq, një aktiviste e shoqërisë civile në Serbi. Ndër shtetet që në mënyrë aktive përkrahin ndarjen e Kosovës është Austria, e cila vitin e kaluar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë ua bëri të mundshme që në Forumin e Alpbachut të diskutojnë për përkufizimin e ri mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas raportit Gjermania është shprehur qartë kundër ndarjes së Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës zyrtarisht nuk kanë deklaruar pro korrigjimit të kufijve, por vetëm kanë thënë se do të pranonin një marrëveshje për të cilën pajtohen të dy palët, me kusht që kjo marrëveshje të mos destabilizojë rajonin.

Ideja e Qosiqit

Qëndrimi i përhershëm i Beogradit ka qenë ndarja e Kosovës. Vetë presidenti serb Aleksadar Vuçiq ka deklaruar se qëllimi i Beogradit është të marrë sa më shumë që të jetë e mundshme dhe të humbë sa më pak. Sipas raportit ideja për ndarjen e Kosovës nuk është e Vuçiqit, por e Dobrica Qosiqit, babait të ultranacionalizmit serb. Qosiq theksonte se mbetja e Kosovës nën Serbi do të kishte për pasojë shndërrimin e Serbisë në federatë të dy kombeve – atij serb dhe atij shqiptar (të Kosovës). Gazetari Milivoje Mihajloviq thekson në raport se bisedimet e Brukselit kanë pësuar vdekje klinike dhe për këtë fajtor kryesor është BE, e cila është treguar shumë pasive dhe tani synon një marrëveshje dosido vetëm sa për të treguar se Federica Mogherini ka bërë diçka. Kundër ndarjes së Kosovës janë deklaruar 50 organizata të shoqërisë civile nga Serbia dhe Kosova. Në një letër dërguar Mogherinit ato theksojnë se ndarja do të shkaktonte efekt zinxhiror në vendet e tjera të Ballkanit dhe do t’i hapte rrugë konflikteve të reja. Edhe Kisha Ortodokse Serbe është kundër ndarjes së Kosovës, por njëkohësisht edhe kundër pranimit të pavarësisë, gjë që nuk theksohet sa duhet në mënyrë kritike në raportin përndryshe shumë objektiv të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Serbët e Kosovës praktikisht nuk janë të kyçur në bisedat mbi të ardhmen e Kosovës. Për ta vendoset mbi kokat e tyre. Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Europiane të serbëve të Kosovës, thotë se projekti i ndryshimit të kufijve shkakton destabilizim të rajonit, duke ua shtuar apetitet grupeve të ndryshme. Ajo thekson se jeta në Kosovë «sapo filloi të stabilizohet, serbët filluan të përmirësojnë raportet dhe jetën me shqiptarët, shkollat sërish nisën të mbushen, të rinjtë të kthehen dhe të vazhdojnë jetën këtu, por ata tani duan të na shpërngulin me dhunë në veri të Kosovës, sepse duan territore etnikisht të pastra dhe ndarje. Kjo është aq çnjerëzore dhe e vrazhdë, aq e pandjenjë, saqë jam e tronditur». Trajkoviq akuzon rëndë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kolegun e tij serb, Aleksandar Vuçiq: «Ata duan që ne të urrehemi, duan ta mbajnë gjendjen jostabile në mënyrë që të qëndrojnë në pushtet dhe të fshehin përgjegjësinë e tyre».

Lista Serbe – parapartia e Beogradit në Kosovë

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi theksohet se Vuçiq përmes Listës Srpska (Listës Serbe), një parapartie që kontrollohet nga Beogradi, ushtron ndikim frikësues ndaj serbëve të Kosovës dhe nuk përfaqëson interesat afatgjata të tyre, sidomos të atyre që jetojnë në Kosovën qendrore dhe në atë lindore. Në zgjedhjet lokale në komunën e Kllokotit fitoi një kandidat i alternativës qytetare. Kllokoti ishte e vetmja komunë me shumicë serbe ku nuk fitoi Lista Srpska. Por nën presionin e Beogradit dhe Listës Srpska fituesi i zgjedhjeve kaloi në anën e tyre. Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikani nga veriu i Mitrovicës, i cili ishte kundër ndarjes së Kosovës, frika në mesin e serbëve kosovarë që janë kritikë ndaj Beogradit është rritur. Disa mendojnë se Ivanoviq është vrarë pikërisht pse ishte kundër copëtimit të Kosovës.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi nënvizohet se në krahasim me serbët në pjesët e tjera të Kosovës, serbët në veri të Kosovës janë të privilegjuar nga Beogradi, sepse atë pjesë Serbia e projekton si pjesë të saj në rast të ndryshimit të kufijve. «Vështirë ia dalim kundër dominimit të veriut. Të gjitha fondet e parapara për ne janë hequr. Donatorët japin gjithçka për veriun, asgjë për jugun. Ky është integrim i veriut dhe dezintegrim i jugut. Ndihemi si pengje të veriut. Pa marrë parasysh se ç’bëjmë në jug, prapë zgjohemi me pyetjen nëse do të na përjashtojnë nga puna». Lista Srpska në fund të vitit 2017 ka marrë edhe përkrahjen e Rusisë. Si qendër e krimit të organizuar të serbëve të Kosovës përshkruhet Mitrovica e Veriut. Shef i mafies së atjeshme konsiderohet të jetë Milan Radojçiqi, nënkryetar i Listës Serbe.

Lugina e Diellit në Zveçan

Bashkëbiseduesit e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi deklarojnë se kthimi i serbëve në shtëpitë e tyre në Kosovë është minimal për shkak të atmosferës që e krijojnë mediat serbe, ndonëse nuk e njohin gjendjen në terren. «Fitohet përshtypja se kthimi inkurajohet vetëm në veri të Kosovës dhe në komunat në kufi me Serbinë me qëllim të konsolidimit etnik të atyre rajoneve. Në veri qeveria e Serbisë ka nisur në Zveçan ndërtimin e lagjes Lugina e Diellit, ku pritet të gjejnë strehë 1500 serbë të kthyer». Mafia e veriut të Kosovës ka shtrirë aktivitetet e saj edhe në jug, gjë që edhe më shumë vështirëson jetën jo vetëm të komunitetit serb në Kosovë. Lidhjet mes politikanëve dhe mafies janë të ngushta – dhe këtu nuk ka kufi etnikë. Mafiozët serbë të veriut kanë lidhje fitimprurëse me mafiozët shqiptarë. Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi kritikohet policia e Kosovës, e cila shpesh u shqipton gjoba arbitrare serbëve të Kosovës. Po ashtu, sipas raportit, edhe pengesat burokratike nga ana e institucioneve kosovare nuk janë të rralla kur serbët e Kosovës paraqesin kërkesa për pensione apo ndihma sociale. Kësisoj, 68-vjeçarit Sllavko Popoviq, i shpërngulur nga Prishtina, i cili jeton me qira në fshatin Vërboc të komunës së Kllokotit, zyrtari i administratës pensionale në Viti i kërkoi një vërtetim që qiradhënësi ka paguar tatimin për qiranë që merr prej tij. Megjithatë, në raport thuhet se serbët e Kosovës më shumë kanë frikë nga vetë serbët (e kontrolluar nga Beogradi) se sa nga shqiptarët. «Duhet një elitë e re politike, e cila nuk do të ishte e kriminalizuar dhe e cila vërtet do të angazhohej për interesat e serbëve në jug (të Kosovës)».

Serbë, mësoni shqip!

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi kërkohet që institucionet arsimore serbe nxënësit dhe studentët të fillojnë të mësojnë shqip. Kjo do të ishte një lehtësi për t’u integruar në Kosovë. Po ashtu edhe njohja e gjuhës serbe nga të rinjtë shqiptarë do t’u krijonte serbëve ndjenjën se nuk shihen si trup i huaj në shtetin e Kosovës. Çfarë i bashkon të rinjtë serbë dhe shqiptarë në Kosovë është mungesa e perspektivës. Te serbët në çdo gjeneratë nxënësish 50 ose 60 për qind largohet nga Kosova pas përfundimit të shkollimit. Disa bashkëbisedues të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi kanë deklaruar se mungesa e perspektivës shkakton depresion, alkoolizim dhe dhunë. «Të rinjtë presin të fitojnë para pa punuar. Në disa komuna është i përhapur problemi i bixhozit, përdorimi i drogës, si dhe prostitucioni në nivel lokal». Si zhvillim pozitiv në raport përmendet fakti se serbët në Kosovë lëvizin kudo lirshëm, me përjashtim të vendeve ku forcat serbe kanë kryer masakra të mëdha. «Meqë qendrat shqiptare janë më mirë të furnizuara, serbët shkojnë në shtëpi të mallrave dhe restorante shqiptare. Disa shkojnë edhe në Prishtinë, kryesisht gjatë ditës». Në raport thuhet se për dallim nga mediat serbe, të cilat helmojnë atmosferën me lajme negative mbi jetën në Kosovë, mediat kosovare nuk kanë strategji të tillë. Në mediat serbe nuk raportohet asgjë pozitive nga Kosova, por vetëm për incidente, ndërsa shqiptarët demonizohen dhe shteti i Kosovës përshkruhet si kriminal dhe mafioz. Në veri të Mitrovicës nuk mund të shikohet as televizioni publik RTK-2, as televizioni i pavarur rajonal N1. Në mediat lokale të serbëve të Kosovës mungojnë hulumtimet mbi veprimet e politikanëve. Kësisoj, nuk ka raporte mbi Listën Serbe dhe skandalet e mundshme të saj.

Pas ndarjes së Kosovës Beogradi do t’i vërsulet Bosnjës

Në fund të raportit Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi potencon se për Beogradin çështja shqiptare është ende e hapur. Serbia mbështet dhe inkurajon idenë e «bashkimit të shqiptarëve», sepse me këtë kërkon arsyetim për bashkimin e serbëve, përkatësisht zgjidhjen e çështjes serbe. Për Serbinë, sipas raportit, Bosnja dhe Kosova janë ende çështje të hapura. Serbia është e vetëdijshme se nuk mund ta kthejë Kosovën nën kontroll, por llogarit se duke bllokuar përpjekjet kosovare për pranim global mund të nxjerrë si përfitim Republikën Serbe të Bosnjës. Sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi është gabim supozimi se homogjeniteti etnik garanton stabilitet. «Megjithatë, për aq kohë sa serbët nuk tregojnë empati për shqiptarët dhe për aq kohë sa shoqëria nuk ballafaqohet me krimet e kryera ndaj shqiptarëve, shqiptarët për shkak të përvojës së papranuar traumatike nuk do të jenë të gatshëm për dialog racional dhe ballafaqim me krimet, dhe trauma e tyre do të bartet nga gjenerata në gjeneratë». Në raport citohet historiani gjerman Holm Sundhaussen, i cili shkruan se ballafaqim me të kaluarën është përballja kritike me të kaluarën tonë dhe jo përballja me të kaluarën e të «tjerëve».

Në fund të raportit Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi i drejtuar nga Sonja Biserko u bën apel qeverisë së Serbisë të ndërpresë bisedimet për ndryshimin e kufijve dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën si shtet i pavarur. Kjo është mënyra e vetme për të pamundësuar fragmentarizimin e mëtejmë në rajon, i cili e kërcënon edhe Serbinë. Po ashtu nga Serbia kërkohet të mos instrumentalizojë bashkësinë serbe në Kosovë dhe të përkrahë integrimin e saj në shtetin dhe shoqërinë kosovare. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka disa kërkesa edhe për qeverinë e Kosovës: të angazhohet më sinqerisht për integrimin e serbëve, të fusë gjuhën serbe si gjuhë të obligueshme në sistemin shkollor për të siguruar një komunikim të qëndrueshëm mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, sepse pa njohjen e gjuhës së tjetrit nuk është i mundur integrimi dhe bashkëjetesa.