Jeta e çiftit Jung – në labirintin e bashkëshortësisë dhe psikoanalizës

Mjeku i të çmendurve, siç e dimë, ishte i riu Carl Jung, atëbotë i zhytur thellë në borxhe: ka mundësi që me Emmen u martua nga dashuria, por është shumë e mundshme që kjo ndodhi edhe për shkak të parave, sepse çështja e parë në martesën e tyre ishte që ajo t’i paguante borxhlinjtë e tij.

Carl G. Jung dhe Emma Rauschenbach Jung në shtëpinë e tyre në Küsnacht afër Zürichut, para vitit 1955.

Në vitin 1899, shtatëmbëdhjetëvjeçarja Emma Rauschenbach, njëra nga trashëgimtaret më të pasura zvicerane, u dashurua në një mjek të varfër dhe epileptik. Psikoanaliza atëbotë ishte në fillimet e saj, profesion ky për të cilin nuk kishte gjithaq interesim, por prindërit e Emmas e inkurajuan këtë lidhje, duke dashur që bija e tyre të bëhej e lumtur. Mjeku i të çmendurve, siç e dimë, ishte i riu Carl Jung, atëbotë i zhytur thellë në borxhe: ka mundësi që me Emmen u martua nga dashuria, por është shumë e mundshme që kjo ndodhi edhe për shkak të parave, sepse çështja e parë në martesën e tyre ishte që ajo t’i paguante borxhlinjtë e tij.

Siç e zbulon Caterina Clay në librin e saj «Labyrinths: Emma Jung, Her Marriage to Carl and the Early Years of Psychoanalysis». Jung ishte inteligjent dhe punëtor, dhe e dyta babai i Emmas ishte infektuar me sifilis gjatë «akteve» të rralla në udhëtimet e punës për në Budapest.

Në kohën kur Carl Jung u martua, ai ishte i virgjër, zbulon autorja e librit. Por, ashtu siç rriteshin ambiciet e tij profesionale, ashtu rriteshin edhe orekset e tij seksuale, prandaj bashkëshortësia e Jungut, e cila zgjati më shumë se 50 vjet, deri në vdekjen e Emmas në vitin 1955 (Jung vdiq në vitin 1961), më e pakta ishte e pazakonshme – labirint i vërtetë i gjendjeve të ndryshme emocionale, ashtu siç thotë edhe titulli i librit. Ata i kishin pesë fëmijë.

Catrine Clay e mori titullin e biografisë nga punimi i Jungut i vitit 1925, «Martesa dhe psikologjia e lidhjeve», ku ai argumenton se lidhja me prindërit – qoftë e mirë apo e keqe – ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjen e partnerit bashkëshortor. Bashkëshortësia tipike, deklaron Jung, zakonisht përbëhet nga njëri partner i cili ka pasur marrëdhënie pozitive me prindërit dhe tjetri që nuk ka pasur. Përpjekjet që në këtë bashkëshortësi të tillë të mbahet një ekuilibër, që i pari t’i ndihmojë të dytit, shpesh çojnë në faktin që i pari, i cili është rritur në atmosferë të shëndoshë, të humbë në labirintin e personalitetit kompleks të tjetrit. Ashtu siç Clay e përshkruan edhe në një artikull të botuar në «Guardian», është e mundur që Jung ta ketë përshkruar bashkëshortësinë e vet, veçanërisht gruan e tij inteligjente dhe të aftë, e cila luftoi me trillet dhe kapriçot seksuale të burrit të saj.

Marrëdhënia më e çmendur e Jungut, ajo me Toni Wolff (fillimisht paciente, e më pas edhe vetë psikoanaliste), zgjati gati 40 vjet, deri kur dashnorja kishte vdekur në vitin 1953, në moshën 65-vjeçare. Ishte kjo një «ménage à trois»: përveç që Jung dhe Wolff ishin dashnorë, kurse Jung dhe Emma në bashkëshortësi, treshja – në ndërkohë edhe Emma bëhet psikoanaliste – ndante mes vete edhe pacientët! Fëmijët e Jungëve e quanin «teta Toni», nipërit e kujtojnë si të ashpër dhe arrogante, «një grua me fizikus zogu që tymoste si një oxhak». Njëri nga nipat më pas e zbuloi sesi nëna e tij, vajza e Jung, tha: «Një person normal nuk do të mund ta donte një grua përkrah Toni Wolff».

Megjithatë, Jung duket se beson që parakusht i bashkëshortësisë së mirë është leja për mosbesim. Shumë nga dashnoret ishin më parë pacientet e Jungut; në ditët e para të psikoanalizës, siç e kemi parë edhe në filmin e David Cronenberg në vitin 2011, «Metoda e rrezikshme», privatja dhe profesionalja nuk janë ndarë gjithmonë. Të analizuarit, shpesh pas analizave edhe vetë janë bërë psikoanalistë; i tillë ishte rasti me Wolff, por edhe me Sabina Spielrein. Përveç kësaj, në tekstet tyre të para teorike, psikoanalistët nuk i kanë përshkruar, për shembull, vetëm ëndrrat e veta, por edhe ëndrrat e më të afërmve të tyre. Bashkëshortësinë e Jungëve edhe më tej e ka komplikuar fakti se Emma shpesh, kur kishte probleme me bashkëshortin e saj, kërkonte ndihmë nga Freud, me të cilin kishte miqësi të ngushtë. Kur Jung u përpoq ta marrë Emmen për paciente, Freud ia ofroi asaj një këshillë ngushëlluese: «Mendoj se është krejtësisht e pamundur të analizuar gruan tënde». «Labirint», mbi të gjitha, është libri i parë që e pranon kontributin e Emmes në teorinë e Jungut, por edhe në psikoanalizë si disiplinë. «Bota nuk do ta njihte një Carl Jung të tillë sikur në prapaskenë të mos ishte gruaja e tij», shkruan autorja e librit.

Teksti është botuar në origjinal në të përjavshmen kroate «Globus».