Jericho shkund Zürichun me rock protestues

Bendi i njohur nga Prishtina ka performuar të shtunën në Zürich para qindra adhuruesve të muzikës.




Nga kthinat dhe bodrumet zvicerane, ku me vite të tëra është dëgjuar muzikë tallava, nuk mund të pritet ndonjë cilësi kulturore. Një nismë e re e Fatmir Hazirit nga Zürichu synon që komunitetit shqiptar në Zvicër t’i sjell risi e freski kulturore – përmes muzikës alternative. Dhe grupe të tilla nuk mungojnë në hapësirën shqiptare. Këtu dallohet sidomos Prishtina me bende të njohura që kanë nisur të bëjnë muzikë që më shumë mund të quhet protestë – kundër gjendjes së vështirë politike dhe ekonomike, kundër padrejtësive sociale dhe izolimit. Në mesin e këtyre grupeve dallohet Jericho. Dhe ky bend të shtunën performoi në Zürich – para qindra shqiptarëve dhe zviceranëve. Dhe ky duket se është vetëm fillimi. Në muajt në vijim Fatmir Haziri synon të sjellë grupe të tjera, për të cilat ekziston interesim i madh në mesin e gjeneratës së dytë dhe të tretë të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Një ofertë e tillë kulturore është edhe një mundësi e mirë për t’i ofruar opinionit zviceran një pamje tjetër kulturore të Kosovës, sa më larg muzikës tallava.

Jericho performoi në Labor Bar, në një lagje tejet të frekuentuar të jetës së natës së Zürichut. Lokali shërben edhe si studio për emisionin televiziv “Aeschbacher”, një format i njohur i televizionit publik të Zvicrës. Petrit Çarkaxhiu dhe anëtarët e bendit arritën të shkundin për pak çaste Zürichun me rock protestues, që nganjëherë «ilustrohet» në prapavijë edhe me pjesë të këngëve tradicionale me çifteli – këngë këto që po ashtu janë protesta kundër padrejtësive me të cilat janë ballafaquar shqiptarët në 100 vitet e fundit.

Oferta e ardhshme kulturore nga Different Show i Fatmir Hazirit është kjo: më 26 shtator në Zürich do të performojnë Dren Abazi dhe Zig Zag Orkestra. -lli