Jepni fund torturës, lejoni kosovarët të udhëtojnë të lirë

Është torturë t’u kërkosh viza kosovarëve. Arsyet për këtë nuk ekzistojnë. Hiqni vizat. Një apel i gazetarit austriak Christoph Baumgarten.

Simbol edhe i izolimit: dryna të dashurisë mbi një urë në Prizren. Foto: Shutterstock



Florini nuk ka qenë kurrë në BE. Për të plotësuar ëndrrën e tij për të shkuar në Panairin e Librit në Paris ai duhet të bëjë një xhiro burokratike. Atij i duhen: një vërtetim i të ardhurave, një vërtetim i vendbanimit, një vërtetim i sigurimit, një vërtetim se shpenzimet e udhëtimit i paguan vetë, në rast dyshimi edhe një vërtetim të zyrës së vendit, një deklaratë të besueshme se përse dëshiron të shkojë në BE dhe 80 euro taksë për shqyrtimin e kërkesës. Kjo në Kosovë kushton mjaft para.

Pastaj librarit nga Prishtina i duhet fat. Nuk ekziston e drejtë lidhore për të marrë një vizë të Schengenit, siç njofton ministria e Jashtme e Austrisë. Një mike imja është gazetare në Kosovë. Ajo disa herë ka kaluar nëpër këtë procedurë të mundimshme, kur donte të raportonte për mediat kosovare nga bota e jashtme. Edhe ajo përherë drithërohet nëse do të marrë një vizë.

Para kësaj situate gjenden mijëra e mijëra kosovarë dhe serbë të Kosovës, të cilët kanë të afërt në BE. Nuk ka garanci se mund t’i vizitojnë të afërmit. Njerëzit me pak të ardhura nuk kanë fare shans të vizitojnë miqtë apo farefisin në BE.

Pse bën vaki kjo – kështu mund të pyes një njeri i ndjeshëm dhe i logjikshëm. A janë njerëzit nga Kosova aq të rrezikshëm, saqë duhet të ruhemi prej tyre? Por, edhe nëse janë, a janë vizat instrumenti i përshtatshëm? Athua synohet që me regjimin e vizave të parandalohet emigrimi ilegal? Nëse po, cili budalla mendon se ky është instrument i duhur?

Më 2015 mijëra kosovarë nuk i pengoi regjimi i vizave për të kërkuar një atdhe të ri në Gjermani. Dikush u kishte thënë se mund të kërkojnë azil në Gjermani. (Qarkullojnë teori aventuriere se kush i përhapi këto thashetheme dhe përse). Kjo ndodhi disa muaj para lëvizës së madhe të refugjatëve në Austria dhe Gjermani në vjeshtë.

Njerëzit tani sërish janë kthyer në shtëpi. Kërkesat për azil u janë refuzuar. Nëse këta personat kanë pasur apo jo vizë, për autoritetet gjermane ishte e parëndësishme. Pa regjimin e vizave atëbotë nuk do të kishin ardhur më shumë njerëz. Për t’i kthyer pas nuk do të ishte më vështirë nëse vizat do të ishin hequr. Kur boshnjakët dhe serbët nuk kishim më nevojë për viza, nuk e shfrytëzuan këtë për të emigruar ilegalisht. Për çdo vit këto vende i braktis  gati një për qind e popullsisë – përmes rrugës legale.

Këtu mund të thuhet se në Kosovë ka shumë krim të organizuar dhe se është e këshillueshme që të ketë kontroll se kush mund të udhëtojë në BE dhe kush jo. Në Kosovë ka më shumë krim të organizuar se në vendet e tjera të Europës Juglindore. Kjo është e saktë. Përmes Kosovës vjen një pjesë e madhe e drogave ilegale në drejtim të Europës. Natyrisht përkundër se vizat janë në fuqi. Domethënë: për krimin e organizuar kjo nuk është pengesë. Aq më tepër që kriminelët përdorin metoda me të cilat mund të anashkalohet obligimi për viza. Po ashtu Mali i Zi, vend fqinj i Kosovës, nuk është vatër e sundimit të ligjit. Disa e quajnë atë vend madje Republike Piratësh. Malazezëve nuk u duhet vizë kur duan të udhëtojnë në BE. Kjo nuk duhet e logjikshme.

Thuhet se Kosova na qenkësh një qendër e islamizmit dhe e terroristëve potencialë të «Shtetit Islamik». Nuk është e vërtetë, siç më sigurojnë kosovaret dhe kosovarët e informuar mirë. Edhe nëse mund të ketë pak më shumë simpatizantë të pozicioneve radikale islamike se më herët, ata janë një pakicë shumë e vogël. Banorëve të BE-së nuk u sjell asnjë dobi regjimi i vizave për kosovarët.

Obligimi për vizë është dhe mbetet një torturë për banorët e Kosovës, pa marrë parasysh se cilës etni i takojnë. Tortura është dhe mbetet e tillë. Nëse nuk ligj është torturë dhe nuk sjell dobi, atëherë duhet të hiqet. Hiqni regjimin e vizave. Lejoni banorët e Kosovës të udhëtojnë. Kjo hap horizonte. Atyre dhe neve.

[Teksti u botua në portalin Balkan Stories]