Jemi qytet atraktiv, kërkojmë një kryetar zemërgjerë

Si e gjeti kandidatin për kryetar qyteti Gossau i Zvicrës?

Gossau.



Në vende shumë të zhvilluara, siç është Zvicra, pak njerëz duan të merren me politikë. Sepse politika kërkon shumë angazhim dhe shumë gatishmëri për të sakrifikuar edhe kohën e lirë. Më 26 nëntor Gossau, një qytet në Zvicrën lindore, do të zgjedhë një kryetar të ri. Një shef të komunës, ashtu siç do t’i zgjedhin kryetarët e komunave kosovarët më 22 tetor. Apo shqiptarët e Maqedonisë një javë më herët. Ndërsa në viset tona kandidatët nuk mungojnë, madje ka me bollëk aspirantë për kryetar të komunave dhe aspirantë për të qenë asambleist. Gossau ka probleme të tjera.

Nga mesi i gushtit në gazetat «St. Galler Tagblatt» dhe «NZZ» u botua kjo shpallje: kërkohet një personalitet me dije strategjike dhe me përvojë në udhëheqje, i cili do ta çonte përpara Gossaun. Në shpallje shprehej dëshira për një person të hapur, komunikativ dhe të interesuar për politikën, i cili do të ishte i motivuar për punë, i angazhuar dhe i afërt me qytetarët. Të interesuarit të lajmërohen në komitetin mbipartiak të përbërë nga liberalët, socialdemokratët, të gjelbrit dhe popullistët e djathtë.

Njëri nga të interesuarit është bibliotekari Wolfgang Giella. Ai është rritur pranë liqenit të Zürichut, jeton në Chur (një qytet në Zvicrën lindore, në kantonin Graubünden) dhe punon në Winterthur afër Zürichut. Pasi e pa shpalljen Giella dorëzoi kandidaturën. Gjithsejtë 10 persona shprehën interesim për të qenë kryetar të Gossau, katër prej tyre u ftuan për të marrë pjesë në garë, mes tyre edhe Giella. Ai është anëtar i Partisë Socialdemokrate, por pas shpalljes së kandidaturës e ka pezulluar anëtarësinë. Ndonëse përkatësia e tij partiake nuk ka luajtur rol në përzgjedhjen e tij. Komiteti mbipartiak me gjasë ishte i lumtur që dikush shprehi interesim për t’u bërë kryetar komune, edhe pse nuk rrjedh nga Gossau.

Giella është baba i dy fëmijëve dhe doktor shkence i aziatikës së lashtë, turkologjisë, dijeve për Azinë qendrore dhe iranistikën. Ai ka punuar në një bibliotekë në Gjermani dhe tani drejton bibliotekën e Shkollës së Lartë të Zürichut të Shkencave të Aplikuara (ZHAW). Çka e lidhë Giellan me Gossaun? Në vitet 80-të ai kishte bërë një xhiro me biçikletë në Zvicrën lindore dhe në Gossau «më është shpërthyer goma e biçikletës», ka treguar ai për gazetën «Tages Anzeiger». Më 26 nëntor do të dihet nëse kjo përvojë e tij do të mjaftojë që ai të marrë votat për kryetar të Gossau. (dp)