Javën e ardhshme pritet të nisë punën Kardiokirurgjia në QKUK

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i shoqëruar nga zëvendësministri Izet Sadiku dhe bashkëpunëtorët, drejtori i SHJSKUK-së, Curr Gjocaj dhe kryesuesi i Këshillit përgatitor për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, Avdyl Krasniqi, vizituan sot Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, e cila që prej kësaj jave ka kompletuar ekipin profesional dhe do të jetë gati që të pranojë rastet e para të ndërhyrjeve kardiokirurgjike.




Ministri Rrahmani falënderoi dr. Krasniqin që në baza vullnetare ka ndihmuar bë funksionalizimin e Kardiokirurgjisë përmes Këshillit Përgatitor dhe ekipin e krijuar, duke theksuar se është ky një moment që «kjo klinikë me një ambient kaq të mirë dhe pajisje të mira, të jetë në shërbim të ofrimit të shërbimeve të kardiokirurgjisë», transmeton Koha.net. Qeveria dhe ne si Ministri e Shëndetësisë, shtoi Ministri, do t’i qëndrojnë afër këtij ekipi për krijimin e kushteve sa më të mira dhe ofrimin e mbështetjes tjetër të nevojshme.

«Ne do të angazhohemi që shërbimi të ketë vazhdimësi dhe po punojmë që kushtet të jenë sa më të mira, përveç për Kardiokirurgjinë edhe për Kardiologjinë invazive, që të shtohen orët e punës, duke i përkrahur këto dy shërbime që janë më të shtrenjtat që i ka një vend për t’i pasur pore dhe për t’i mbajtur», theksoi Ministri.

Këshilli Përgatitor për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, dr. Avdyl Krasniqi, tha se pas një pune disa mujore me përkrahjen e MSh-së dhe menaxhmentit të SHSKUK-së, është arritur që sigurohet ekipi, i cili do të punojë tani e tutje në klinikë. «Është një ekip shumë kompetent, me edukim dhe përvojë ndërkombëtare, që ka kryer intervenime të kësaj fushe edhe në rajon dhe që shpresojmë se me sukses do t’i realizojnë shërbimet kardiokirurgjike këtu», tha Krasniqi, duke shtuar se orientim kryesor ka qenë që të krijohet ekip që në mënyrë të përhershme do të punojë në QKUK.

«Është fat i mirë që në Kosovë janë tre spitale që ofrojnë shërbime kardiokirurgjike, ndërsa kardiokirurgjia publike do të jetë kryesore dhe rregullatori kryesor i shërbimeve kardio-kirurgjike në Kosovë», tha ai.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Klinikës së Kardiokirugjisë, Dr. Raif Çavolli, i cili në këtë klinikë do të punojë bashkë me kardiokirurgun tjetër dr. Sabian Memishaj, anesteziologët e trajnuar në këtë fushë, me pesë specializantë dhe stafin teknik, tha se Kardiokirurgjia nuk është disiplinë e vetme, por e lidhur me disiplinat e tjera, e varur edhe nga kardiologjia, por ne ekipi i Kardiokirurgjisë, theksoi ai, «do të mundohemi ta bëjmë 24 orë shërbimin, dhe besojmë se që javën tjetër do të jemi të aftë të bëjmë pranimet e para dhe të fillojmë operimet e para». Ne jemi një ekip, tha dr. Çavolli, «që do mundohemi të bëjmë çdo gjë për pacientët». Ai tha se ekipi i Kardiokirurgjisë nuk është një ekip mobile që vijnë e shkojnë , «por jemi këtu për çfarëdo që mund të ju ofrojmë pacientëve, duke filluar nga pjesa bazike e kardiokirurgjisë».