«Java e Artit Kreativ» në Pejë fton artistët e rinj

Përmes një grafiti në murin e tunelit afër Qendrës së Mjekësisë Familjare në qytetin e Pejës do të marrë formë mesazhi për liberalizimin e vizave.




«Edhe unë jam Evropë» është tema me të cilën artistët e grafitit tashmë kanë mundësi që të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e garës që do të mbahet në qytetin e Pejës. Përmes një thirrjeje publike të gjithë artistët e rinj janë ftuar që të dërgojnë idetë e tyre për t’u bërë pjesë e garës që quhet «Java e Artit Kreativ – Peja 2015», shkruan sot «Koha Ditore».

Ky projekt i financuar nga Komuna e Pejës, ka për qëllim që të mbledhë të rinj nga mbarë Kosova. Përveç garës për grafite, ky projekt përfshin edhe ekspozitën artistike me temë «Promovimi i kreativitetit te Rinia». Në këtë ekspozitë do të mblidhen punime të ndryshme artistike, si piktura, skulptura e fotografi. Për të qenë pjesë e këtij projekti kulturor, artistët e interesuar mund të konkurrojnë deri më datën 6 të muajit të ardhshëm.

Taulant Devolli, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Pejë, ka thënë se kjo ide ka lindur nga nevoja për angazhim më të madh të të rinjve në aktivitete artistike. Sipas tij, ky projekt është një hap në këtë drejtim.

«Duke qenë se ka mungesë të madhe të përfshirjes së rinisë në këto aktivitete, këtë vit kemi vendosur që këtë ngjarje ta bëjmë edhe më të madhe. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe vitin e kaluar në Komunën e Pejës, por këtë vit kemi menduar që t’i përfshijmë të gjithë të interesuarit nga mbarë Kosova», ka thënë Devolli, tek ka treguar kushdo që ka dëshirë të marrë pjesë mund të aplikojë në linqet e postuara online.

Sipas Devollit, për garën e grafiteve do të përzgjidhet vetëm një artist i cili do ta bëjë punimin e vet në Pejë. Në njoftimin rreth këtij projekti thuhet se ideja fituese do të punohet në murin e tunelit afër Qendrës së Mjekësisë Familjare nga artistë të rinj së bashku me artistin fitues.

«Tema e tij do të jetë ‘Edhe unë jam Evropë’. Kjo temë ka për qëllim të trajtojë liberalizimin e vizave, duke u fokusuar në rritjen e mundësive për të rinjtë që të udhëtojnë», shkruhet në njoftim. Ekspozita do të jetë e hapur prej datës 7 deri më 11 tetor. Për ekspozitën Devolli ka thënë se nuk ka një temë të caktuar dhe artistët janë të lirë të krijojnë çfarë të duan.

«Në ekspozitë nuk kemi dashur që të kufizohemi me temë, sepse dimë që arti do goxha kohë për t’u përgatitur e sidomos kur ka një temë të caktuar edhe më shumë kohë merr. Tashmë i kemi parë disa piktura dhe punime të tjera, ndërkohë po presim deri në mbyllje të konkursit», ka thënë Devolli.