Janë regjistruar vetëm 15 për qind e votuesve të dyshimtë, shqiptarët në Maqedoni rrezikojnë përfaqësimin

As çereku i votuesve të dyshimtë, shumica e të cilëve shqiptarë, nuk janë paraqitur për të konfirmuar të drejtën e votës. Afati përfundon pas një dite. Shqiptarët rrezikojnë ta humbin Komunën e Kërçovës në zgjedhjet e ardhshme lokale nëse votuesit nga kjo komunë fshihen dhe rezultojnë të sakta dyshimet se VMRO-DPMNE ka ndarë letërnjoftime për maqedonasit nga komunat e tjera me adresa në Kërçovë. 



Foto: vepar5 / Shutterstock

Vetëm 15.5 për qind e qytetarëve të cilët rrezikojnë të fshihen nga lista e votuesve janë paraqitur për të konfirmuar të drejtën e tyre të votës deri të mërkurën. Një ditë ditë para afatit përfundimtar për paraqitje, i cili përfundon më 19 gusht, në KSHZ janë paraqitur 6’150 persona nga gjithsej 39’502 sa janë të përfshirë në listën e votuesve të kontestuar, për të cilët katër partitë më të mëdha në vend – VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH – konstatuan se të dhënat e tyre nuk përputhen me listat nga instucionet shtetërore.

Me këtë këta votues, shumica e të cilëve (mbi 65 për qind) janë shqiptarë, dyshohen zyrtarisht si votues fiktiv. Nëse vazhdohet me të njëjtin ritëm të paraqitjes, numri i personave të cilët do të kenë mundësi të shpëtojnë të drejtën e votës nuk pritet të shkojë mbi 8’000 persona, ndërsa mbi 31’000 mijë të tjerë do të fshihen nga lista e votuesve. Këta persona do të kenë edhe një mundësi të fundit që të rikthehen në listë – gjatë afatit 20-ditësh kur do të publikohet lista e votuesve për shqyrtim publik. Nëse as atëherë nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, ata më nuk do të mund të kthehen në listën e votuesve dhe nuk do të kenë të drejtë të votojnë as në njësitë vendore, as në njësitë e diasporës.

Duke patur parasysh faktin se më shumë se dy të tretat e votuesve të dyshimtë janë shqiptarë, në opinion është ndezur alarmi për rrezikun që shqiptarët të humbin në të ardhmen udhëheqjen me Komunën e Kërçovës, e cila për herë të parë pas 75 vitesh u fitua nga një kryetar shqiptar në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Kjo falë bashkimit të komunës urbane të Kërçovës me dy komunat rurale që deri atëherë ishin të ndara, ajo e Zajazit dhe e Osllomesë. Shqetësimet janë rritur për shkak të diferencës së ngusht mes numrit të votuesve shqiptarë dhe atyre maqedonas në këtë komunë dhe numrit të madh të votuesve të kontestuar që vijnë pikërisht nga Kërçova. Nga kjo komunë në listën e votuesve të dyshimtë janë gjithsej 1’345 persona. Ndërkaq kandidati i vetëm i shqiptarëve, Fatmir Dehari, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 fitoi me një dallim prej 2’330 votave. Konkretisht në këto zgjdhje kandidati i nominuar nga BDI, i mbështetur edhe nga partitë e tjera, fitoi 18’552 vota, ndërsa kandidati i VMRO-DPMNE-së i mbështetur edhe nga partitë e tjera maqedonase mori 16’222 vota.

Nëse votuesit e dyshimtë nga Kërçova nuk paraqiten dhe nëse ata që janë paraqitur nuk verifikohen nga Kimisioni Shtetëror Zgjedhor, atëherë diferenca mes votuesve shqiptarë dhe maqedonas bie nën 1’000. Shqiptarëve në këtë situatë do t’ju nevojitet që të përsërisin fluksin e zgjedhjeve të fundit edhe në zgjedhjet e ardhëshme lokale për të fituar përsëri Komunën e Kërçovës. Për ndryshe, në zgjedhjet e fundit lokale më shumë se numri i votave që bënë dallimin, ishte numri i mërgimtarëve që erdhën edhe nga vendet më të largëta të Evropës dhe SHBA-ve për të mbështetur kandidatin shqiptarë, Fatmir Deharin.

Ndërkohë një dëshpërim eventual nga politika dhe situata aktuale ka rritur shqetësimet te ekspertët vendorë për rrezikun e humbjes së udhëheqjes me Komunën e Kërçovës në mandatin e ardhëshëm katërvjeçar dhe në të ardhmen. Nga ana tjetër, situatën edhe më tepër e kanë rënduar informatat e fundit, të cilat qarkullojnë prej vitesh në opinion se Qeveria aktuale ka furnizuar me letërnjoftime dhe adresa të Kërçovës votues Maqedonas nga Pusteci i Shqipërisë dhe nga komunat e të Maqedonisë. Dyshimet për dhënien e letërnjoftimeve false janë forcuar edhe zyrtarisht nga ish ministri i punëve të Brendshme, Oliver Spasovski i emëruar nga LSDM, i cili zbuloi në MPB letërnjoftime të shtypura pa aplikime paraprake. Ndërkohë edhe në bisedat e përgjuara ilegalisht dhe të publikuara nga opozita maqedonase vitin e kaluar dëgjoheshin zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe MPB-së duke folur për letërnjoftime të shtypura dhe të ndara në periudha zgjedhore. Por mbetet e pakonfirmuar se në cilat komuna janë ndarë këto letërnjoftime.

Ja si të siguroheni për të drejtën e votës tuaj në Maqedoni: http://dialogplus.ch/ja-si-te-konfirmoni-te-drejten-e-votes-ne-maqedoni-120440