Janë gjithë ato vende që duhen vizituar…



Janë gjithë ato vende që duhen vizituar. Ku ka më shumë kënaqësi – në Majorka apo në Maldive, në Kanada apo në Tunizi; në Lindje apo Perëndim, në Veri apo Jug? Kjo është çështja që shtrohet. Gjithçka tjetër është e sigurt! Por, pushimet nuk janë vetëm gjeografi, ato e kanë edhe një histori. Kjo nuk ishte gjithmonë kaq e vetëkuptueshme, edhe sot nuk është gjithandej kështu.

Pushimet e punës në fillim ishin një çështje e shëndetit dhe e prehjes. Atëbotë puna me kokë llogaritej si lodhëse, ndërsa ajo fizike – jo. Prandaj, nga dispozitat fillestare të pushimeve në vitin 1879 në Zvicër përfitonin vetëm zyrtarët dhe nëpunësit. Punëtorët erdhën më vonë. Kështu, për të parët u caktua një pushim prej 12-18 ditësh, kurse të dytët duhej të mjaftoheshin me 4-14 ditë. Në sektorin privat, pushimet deri në kohën e Luftës së Parë Botërore ishin një dhuratë e punëdhënësit. Dhe, ky privilegj nuk i përfshinte të gjithë sektorët. Vetëm nga fundi i kohës ndërmjet dy luftërave botërore, pushimet nuk ishin më bamirësi, por një e drejtë. Nga kjo kohë duhej të luftohej që ato të jepeshin dhe të paguheshin në bllok, jo si deri atëherë – nga një ditë. Në rrafshin kombëtar, pushimet në Zvicër juridikisht janë sanksionuar në vitin 1966. Në vitet e ‘50-ta, kohëzgjatja e garantuar e pushimeve shkonte në dy javë, në fillim të të ‘60-tave u bënë tri javë, në të ‘70-tat – katër dhe në vitet e ‘80-ta, në kontratat e punës negocioheshin pesë javë pushim në vit. Në ndërkohë flitej për kohëzgjatjen minimale të pushimeve. Në vitin 1983, në Zvicër u caktuan katër javë pushim vjetor. Kërkesa për pesë dhe gjashtë javë pushim dështoi në referendumet e vitit 1985, përkatësisht 2012. Është tepër mirë për të qenë e vërtetë.

Pak a shumë, njëlloj zgjasin pushimet edhe në Gjermani e në Austri. Vetëm se atje përdoret një fjalë tjetër për to: «Urlaub», e cila vjen nga «Erlaubnis», që do të thotë «leje». Dhe, në kohët e moçme pushimet ishin një miratim për t’i vizituar të afërmit, ose varësisht nga rasti. Ky kuptim për pushimet përqaset gati me atë të emigrantit shqiptar, i cili ato i kalon pjesërisht ose tërësisht në vendlindje – me prindërit, të afërmit dhe miqtë. Ai do t’u shprehë atyre ngushëllime për një pjesëtar që ndërkohë është ndarë nga jeta, do t’i urojë për një lindje dhe do t’i nderojë me pjesëmarrje në dasmën e tyre. Kurbetçiu e ka me merak që fëmijët e tij t’i ruajnë lidhjet me vendlindjen, që të flasin shqip etj. Sado të varfra të duken këto pushime, mërgimtari për këtë virtyt e meriton gjithë respektin e komunitetit.

Këtë vit, emigrantët dhe turistët që udhëtojnë kah Jugu dhe Lindja do të ndeshen me karvanë të refugjatëve që ecin në drejtimin e kundërt të tyre. Nganjëherë do të jenë grupe më të mëdha, të cilët përparojnë me ngut përpara. Nganjëherë – persona të veçantë e të rraskapitur, të cilët janë braktisur nga grupi, sepse nuk e mbajnë hapin. Ata shpeshherë janë njerëz të rraskapitur, që nuk lihen në baltë nga të afërmit e tyre. Edhe këta njerëz e kanë një histori: Ata vijnë nga vatrat e luftës në Lindjen e Afërt në kërkim të shpëtimit. Ndërkaq vendet e tyre që po shkatërrohen mizorisht ishin destinacione të mrekullueshme turistike. Këto grupe refugjatësh do të ishin ende më të mëdha, sikur pjesëtarëve të tyre të mos u ishin vrarë njerëzit më të dashur.

Në det apo tek të afërmit në shtëpi, kujtimi në historinë e pushimeve dhe atë të refugjatëve të sjellë në mendje se sa me fat je aty ku jeton. Nëse do të mund të bëje ndonjë gjë për këta refugjatë, pushimet tua do të ishin edhe më të këndshme.

Gjithsesi e keni merituar t’ia lejoni vetes disa javë të qeta në vit. Janë gjithë ato vende që duhen vizituar.