«Jam nga Bagdadi»

Mbi shitësin e lajthive në qendër të Prishtinës dhe shumë të tjerë si ai - si dhe për punën e dobishme të organizatës «Play to educate».

Foto: Shutterstock



Si kryeqendër e Kosovës, Prishtina, varësisht nga sezoni, shndërrohet në cak kryesor të të rinjve nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët vijnë për të shitur produkte fshati; pemë, perime dhe produkte bulmeti. Ato shiten kudo, në sheshe, në lagje periferike, në udhëkryqe dhe në rrugë kryesore. Kur ndalem për të blerë nga këto produkte, natyrshëm pasojnë edhe bisedat me shitësit. Ndjej keqardhje sepse shumica e tyre janë të rinj, të cilët duhej të ishin në shkollë ose duke e kaluar kohën në ndonjë aktivitet tjetër argëtues. Ka nga ata të cilët i jepin fund bisedës akoma pa nisur. «Jam nga Bagdadi», ishte përgjigja plot mllef e shitësit të lajthijave në rrugë, kur e pyeta, «Nga je?» Të mllefosur ishin edhe shokët e tij që i shkuan pas duke thënë, «po, po nga Bagdadi».

Dhjetëra mendime të tjera mund të shfaqen në çast për arsyet që e çojnë një shqiptar të Kosovës të mendojë se është nga Bagdadi, një zonë për të cilën ndoshta në tërë jetën e tij e ka ndërlidhur vetëm me luftën. Por pak ka rëndësi për atë se çfarë mund të mendojë një i ri dhe shumë të tjerë si ai. Tek e fundit a nuk është stacioni i autobusëve në Prishtinë vendi i vetëm prej ku të rinjtë kosovarë mund të nisin jetësimin e një ëndrre? Sot ndoshta do të ishte më mirë të analizohen veprimet që duhet të merren për të parandaluar para së gjithash pastrimin e trurit që i bëhet brezit të ri në Kosovë. «Play to educate» është një organizatë jo fitimprurëse e themeluar së fundi që ka për qëllim të ndikojë pozitivisht tek të rinjtë e Kosovës, zëri i të cilëve nuk dëgjohet.

Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme «Play to Educate» synon të promovojë sjelljet e mira në mënyrë që të shmanget angazhimi në forma të ndryshme të ekstremizmit, konfliktit dhe dhunës. Themeluese e organizatës «Play to Educate» është Gena Sturgon, një amerikane, e cila edhe më herët ka punuar në aktivitete të ngjajshme në Kosovë. Me rastin e fillimit të vitit shkollor ajo publikoi një thënie të çmuar të ish-presidentit jugafrikan Nelson Mandela: «Edukimi është arma më e fortë me të cilën mund ta ndryshosh botën». «Edukimi vjen edhe në forma të tjera, si sporti, lojërat, dialogu, shkëmbimi i kulturave dhe ndërveprimi i shumëllojshëm», shkruan Gena Sturgon duke promovuar aktivitetet e organizatës «Play to Educate» që kanë filluar paralelisht me vitin e ri shkollor.

Së fundi ajo ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vetëm një valixhe dore, për t’u kthyer pas dy javësh e ngarkuar me pajisje të ndryshme të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e aktiviteteve në terren. «Play to educate» synon të arrijë grupmoshën e nxënësve të shkollave të mesme në Kosovë. Fatkeqësisht përhapja e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë vazhdon pavarësisht hapave që janë marrë kryesisht nëpërmjet ligjit për parandalimin e kosovarëve që t’u bashkohen luftërave të huaja në Siri dhe Irak. Një raport i publikuar së fundi nga organizata Qendra kërkimore për politika të sigurisë thotë se përhapja e ideologjisë së ektremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terroirzëm është bërë kryesisht përmes manipulimit të ndjenjës fetare tek të rinjtë në komunat në të cilat është bërë hulumtimi. Ka edhe faktorë të tjerë, por raporti gjithashtu thekson se mungesa e aktiviteteve direkte në komunitete dhe tek individët ka lënë shije të keqe. Duke parë vetëm aktivitete në media, aktivistët publikë ku është bërë studimi ndjejnë se komuniteti është lënë anash nga komunat. Dhe pikërisht për ta përmbushur këtë boshllëk, interaksionin me të rinjtë që mund të jenë target i grupeve të rrezikshme, ekipi i organizatës «Play to educate» ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e komunave të ndryshme në Kosovë në mënyrë që aktivitetet me nxënësit të jenë të shpërndara në gjithë Kosovën dhe të koordinuara me autoritetet lokale.