«Jam farkëtar në shërbimin tuaj»

Zvicra ka zgjedhur sot një ministër të ri. Ai quhet Ignazio Cassis dhe vjen nga kantoni i Tiçinos. Fjalimi i tij i parë ishte emocional dhe një vallëzim gjuhësor në italisht, frëngjisht, retoromanisht, gjermanisht. Zgjedhja është edhe një shembull i demokracisë funksionale zvicerane. Për çka angazhohet ministri i ri?

«Ne mund të kemi mendime të ndryshme, por parimisht ne kemi synimet e njëjta të larta për Zvicrën»: Ignazio Cassis.



Që nga sot edhe 200 mijë shqiptarë të Zvicrës kanë një ministër të ri. Së paku gjysma e këtyre shqiptarëve janë shtetas zviceranë, të tjerët rrugës për t’u bërë të tillë. Ministri i ri quhet Ignazio Cassis, është 56-vjeçar, vjen nga kantoni i Tiçinos, i cili dominohet nga tiçinezët italishtfolës. Cassis deri më tani ka qenë deputet i Partisë Liberale (FDP). Tani e tutje do ta përfaqësojë këtë parti në qeverinë e Zvicrës. Ajo nuk i ka 21 ministri si Kina dhe Kosova, por vetëm 7. Nuk ka as zëvendëskryeministra, as zëvendësministra. Ministrat e Zvicrës shpesh udhëtojnë me tren.

Cassis u zgjodh pasi ministri i deritanishëm i punëve të Jashtme Didier Burkhalter dha dorëheqje. Por, Cassis ende nuk e di cilën ministri do ta marrë. Ai do t’i bashkohet 6 kolegevë të tjerë ministra dhe aty, prapa kulisave, do të ndahen postet. Ka një rregull të pashkruar: ministrat me stazhin më të gjatë në qeveri mund të zgjedhin ministrinë që u pëlqen, në fund kolegu i ri merr çfarë të mbetet. Por, mund të ndodhë që të gjithë ministrat të jenë të lumtur në resoret e tyre dhe ministri i sapozgjedhur merr ministrinë që ka mbetur pa shef. Sidoqoftë, së shpejti do të dihet kush do të jetë shef i ri i diplomacisë zvicerane: Cassis apo ndonjë nga ministrat aktualë.

Zgjedhja e një ministri në Zvicër është gati përherë një festë e vërtetë demokratike. Kështu ishte edhe të mërkurën. Dy dhomat e parlamentit u mblodhën në mëngjes në sallën e parlamentit në Bernë dhe mbledhja u hap fiks në orën 08:00. Pak pas orës 09:00 gjithçka përfundoi dhe kryetari i parlamentit njoftoi se ministri i ri quhet Ignazio Cassis. Dy kundërkandidatë të tij vinin nga Zvicra franceze, por Cassis ishte favorit që nga shpallja e kandidaturës.

Në pothuaj të gjitha partitë dhe sidomos në mesin e deputetëve nga Zvicra gjermane mbretëronte mendimi se në qeverinë e vendit, më në fund, pas gati 20 vitesh, duhet të jetë e përfaqësuar edhe Zvicra italiane. Ministri i fundit nga Zvicra italiane ka qenë Flavio Cotti. Ai dha dorëheqje në vitin 1999. Kushtetuta e Zvicrës thotë se në qeveri duhet të jenë të përfaqësuara në mënyrë meritore të gjitha rajonet gjuhësore dhe të vendit. Në të shumtën e rasteve ky rregull respektohet.

Fjalimi i parë si ministër i Ignazio Cassis ishte emocional dhe një himn për Zvicrën. Me zgjedhjen e tij ministër dy dhomat e parlamentit pranuan dhe respektuan realitetin e Zvicrës si vend të shumë gjuhëve dhe kulturave. «Unë vihem në shërbimin tuaj si farkëtar dhe dua që vendi ynë të jetë edhe më i bashkuar. Do të bëjë gjithçka që juve të gjithëve të mos ju dëshpëroj në postin tim të ri», tha Cassis. Fjalimi i tij ishte një vallëzim gjuhësor në italisht, frëngjisht, retoromanisht, gjermanisht. Kështu ministri i ri demonstroi ambicien e tij për të qenë përfaqësues i të gjitha pjesë të Zvicrës.

Jo pak deputetë, sidomos të majtë, sot u befasuan kur Cassis, i cili është politikan i qendrës së djathtë, në fjalimin e tij citoi ikonën e majtistëve, Rosa Luxemburgun: «Liria është përherë liri e atij që mendon ndryshe». Cassis po ashtu tha: «Ne mund të kemi mendime të ndryshme, por parimisht ne kemi synimet e njëjta të larta për Zvicrën».
Zgjedhja e Cassis ngjalli entuziazëm sidomos te bashkëvendësit e tij, te tiçinezët, një numër i konsiderueshëm i të cilëve arritën në Bernë të mërkurën në mëngjes dhe do të kalojnë ditën në kryeqytet – duke kënduar dhe, natyrisht, duke e lagur fytin me verë dhe pije të tjera.

Cassis është mjek me profesion dhe prej vitesh është lobist i sigurimeve shëndetësore në Zvicër, një fushë ku qarkullojnë miliarda. Gazetarët që e njohin e përshkruajnë atë si politikan tepër të përzemërt, pa asnjë fije arrogance, përherë i gatshëm të përgjigjet në pyetjet e mediave. Cassis angazhohet për ngritjen e moshës së pensionimit në Zvicër në 67-vjet. Ai llogarit se një vendim i tillë do të merret pas vitit 2030. Cassis hedh poshtë kuotat strikte për përfaqësimin e grave, por mund të marrë me mend një ligj, i cili përcakton një rrogë minimale, sidomos për ato pjesë të Zvicrës si kantoni i Tiçinos, ku presioni nga punëtorët e huaj është i madh. Ardhja e të huajve në Zvicër, sipas Cassis, duhet të kontrollohet dhe dirigjohet më mirë. Si mjek ministri i ri angazhohet për dekriminalizimin e konsumit të mariuanës dhe kokainës. Cassis mbështet ndalimin e bartjes së burkas. Babai i Cassis është italian. Pas shpalljes së kandidaturës për ministër Ignazio Cassis hoqi dorë nga shtetësia italiane. Cassis banon me familjne e tij në Montagnola, një fshat i bukur në Tiçino, ku nobelisti Hermann Hesse ka shkruar dhe ka pikturuar.