Jahjaga në Al Jazeera flet për krizën e Evropës me refugjatë

Presidentja Atifete Jahjaga, e cila javën që lamë pas qëndroi në New York, ka marrë pjesë në një panel të transmetuar nga televizioni Al Jazeera, ku ka diskutuar për krizën e refugjatëve sirianë.




Në këtë emision, të cilin Jahjaga e ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, e para e shtetit ka përmendur përvojën e popullit të Kosovës 16 vjet më parë si refugjatë.

Siç thotë edhe vet Presidentja, ajo ka diskutuar edhe për nevojën që të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës dhe lehtësimin e jetës së refugjatëve, kryesisht sirianë.

«Gjatë këtyre muajve, shumë vende evropiane janë bërë vend i pritjes së refugjatëve sirianë», thotë Jahjaga, derisa flet edhe për trajtimin që Evropa ua ka bërë dhe po u bënë refugjatëve sirianë.

«Kemi parë figura si Kancelarja Angela Merkel e cila i ka mirëpritur refugjatët», thotë Jahjaga, por nikoqiri i këtij debati e ndërpret Jahjagën duke i thënë se Merkel po akuzohet se migrantët po i pret për të përfituar ekonomikisht shteti i saj nga ta.

Presidentja përmend rastin e Kosovës, se si ua kishte mësyrë dyerve të rajonit, Evropës dhe SHBA-së.

«16 vjet më parë, regjimi serb ka detyruar 1 milion njerëz të lëshojnë shtëpitë e tyre, dhe kemi shkuar, kemi trokitur në dyert e fqinjëve tanë, Evropës dhe SHBA-së. Refugjatët janë njerëz që nuk duan t’i lënë shtëpitë e tyre, por janë të detyruar t’i lënë ato», thotë ajo.