Jahjaga merr mbështetjen e Portugalisë për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u takua të mërkurën në New York me Presidentin e Portugalisë, Anibal Cavaco Silva, me të cilin kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.




Presidentja falënderoi homologun e saj portugez për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për perspektivën evropiane të Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

E para e vendit e njoftoi presidentin portugez me të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve për të përmbushur të gjitha reformat në rrugën e saj të integrimit evropian dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Portugalisë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

«Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi ndihmën e Portugalisë në përpjekjet e Kosovës për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n», theksohet në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra për Informim e Presidencës, raporton Koha.net.

Presidenti Cavaco Silva, sipas komunikatës, theksoi se Portugalia mbetet një përkrahëse e palëkundur e Kosovës në procesin e integrimit evropian, nënshkrimit sa më të shpejtë të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai po ashtu ka siguruar Presidenten Jahjaga se Portugalia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në UNESCO dhe do të mbështesë përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë me ato vende me të cilat gëzon marrëdhënie të mira bilaterale, në veçanti në Amerikën Latine.