Jahjaga: Gjermania duke shembur muret, bashkoi Europën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në shënimin e Ditës së Unionit Gjerman dhe me këtë rast ajo ia uroi ambasadores së Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, dhe përmes saj edhe popullit gjerman, përvjetorin e 25 të bashkimit.




Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal më lejoni që t’ju uroj ju dhe popullit gjerman 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman, tha ajo në fillim të urimit të saj, dhe vazhdoi:

Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjik dhe fizik. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi gjeneratat të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë.

Njëzet e pesë vjet më vonë, ky unitet historik mbetet po aq i rëndësishëm. Sot më shumë se kurrë na duhet një vizion i thyerjes së kufijve dhe shembjes së mureve. Na duhet që t’i rikthejmë idetë që bashkojnë popujt mbi parimet e demokracisë dhe bashkëpunimit.
Sepse, puna jonë e përbashkët, për një Evropë të bashkuar dhe në paqe, nuk ka përfunduar. E kjo punë e papërfunduar ndihet në Kosovë më shumë se kudo tjetër.

Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse.

Atëherë kur hapët dyert për refugjatët që po iknin nga lufta dhe skamja, dhe tash kur po i përkrahni institucionet e Kosovës në vënien e themeleve për një ekonomi stabile të Kosovës.

I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimor të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjellë BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate.

E kam parasysh që ne na presin shumë obligime të papërmbushura ende. Por, ne jemi të përkushtuar që së bashku me partnerët tanë, me ju, ta jetësojmë vizionin për Kosovën e sundimit të ligjit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe më së shumti vendit me perspektivë të qartë, ku qytetarët e tij shohin të ardhme.

Ju faleminderit për praninë tuaj të fuqishme në Kosovë, për partneritetin dhe miqësinë!