Jahjaga flet për çështjen e të pagjeturve me kryetarin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim drejtorin rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropë dhe Azi Qendrore, Laurent Corbaz, i cili ishte i shoqëruar edhe nga shefi i këtij misioni për Kosovë, Agim Gashi.




Jahjaga e falënderoi zotin Corbaz për mbështetjen e vazhdueshme që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i ka ofruar institucioneve të Kosovës dhe në veçanti për ndihmën që i ka dhënë Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe për rolin ndërmjetësues që ka luajtur në takimet e grupeve të përbashkëta punuese të Kosovës dhe të Serbisë, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, transmeton Koha.net.

Ajo theksoi rëndësinë që ka trysnia e institucioneve ndërkombëtare mbi institucionet e Republikës së Serbisë, që ata të ndajnë me institucionet e Republikës së Kosovës informacionet që kanë për vendndodhjen e trupave të të zhdukurve.

Presidentja Jahjaga konfirmoi angazhimin e institucioneve kompetente për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë, pa dallim të përkatësisë etnike, gjinore apo fetare.

Ajo shtoi se fati i 1 mijë e 650 qytetarëve të Kosovës ende të zhdukur, mbetet njëra ndër plagët më të rënda të luftës, prandaj edhe i ftoi të gjithë miqtë ndërkombëtarë që të shtojnë angazhimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje tepër të ndjeshme.

Drejtori rajonal i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropë dhe Azi Qendrore, Laurent Corbaz e njoftoi Jahjaga për aktivitetet e këtij komiteti në Kosovë, me theks në rolin që ka për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.