«Jaguar» vë në pranga 3 fajdexhinj

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimeve të Krimit të Organizuar, sot, pas hetimeve të kryera disamujore, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që në vazhdimësi merrej me vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’, ‘kanosje’ dhe ‘krim i organizuar’, ka ndërmarrë operacionin policor të koduar «Jaguar».




Operacioni policor është kryer në katër lokacione të Prishtinës, me ç’rast është bërë arrestimi i tre personave dhe janë kontrolluar objektet përcjellëse të tyre.
Personat e arrestuar për këtë rast janë: N. H. lindur me 1973, E. H. lindur me 1947, N. Q. lindur me 1968.

Të dyshuarit në bashkëpunim, kanë kryer veprat e lartcekura me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: para të gatshme 1800 ( një mijë e tetëqind) euro, 4 armë të gjata (dy AK-47 dhe dy armë gjuetie), armë e shkurtër (GLOK 9×19), 55 fishekë kalibër të ndryshëm, tri vetura, një palë pranga, një thikë, tre telefona celularë, një laptop, dokumente të ndryshme që vlejnë si prova për procedurë.

Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme.