Ja vetëm pesë prej mrekullive të Shqipërisë

Shqipëria, e shtrirë në Gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore, është vend i vogël që ju ofron shumëçka.




Plazhet shtrihen përgjatë bregdetit Adriatik. Vargmalet e saj të pafundme – të përsosura për ecje dhe ngjitje – shtrihen anembanë vendit. Shqipëria ka gjithashtu shumë zona të restauruara së fundi të trashëgimisë kulturore, kuzhinë lokale të pasur e taze, qytete kosmopolitane dhe fshatra tradicionale. Dhe, të gjitha këto ju kushtojnë vetëm sa një hise e vogël e shumës së pushimeve në lokalitetet tjera evropiane… ta zëmë, një birrë kushton 250 lekë, apo rreth dy dollarë amerikanë.

Por, mbase e mira më mahnitëse e Shqipërisë ende nuk ka rënë në sytë e shumicës së radarëve të shtegtarëve. Turistëve fatlumë u duhet vetëm ta bëjnë një hedhje të vogël prej Italisë a Kroacisë për ta eksploruar kulturën e përzier me jetën moderne të natës, kuzhinën, rehatinë, bukurinë dhe traditat e vendit – që ende nuk është pllakosur prej plazheve të stërmbushura – shtigjeve të alpinizmit e vendeve piktoreske. Të gjitha këto po ju presin që t’i shihni e t’i shijoni. Pavarësisht nëse udhëtimi juaj ideal përfshin bregdetin, malet, historinë, a ushqimin, këto pesë vende të jashtëzakonshme kanë shumëçka për t’ju ofruar.

Qyteti bregdetar i Sarandës

Saranda, që shtrihet në fund të pjesës së poshtme dhe ndahet vetëm prej një kanali të ngushtë me ishullin grek të Korfuzit, është njëri prej qyteteve më të mira bregdetare të Shqipërisë. Të gjitha plazhet janë panoramë më vete, uji është i kthjelltë kristal, dhe ushqimi është taze, saqë ju mund t’i shihni barkat që e sjellin atë para se t’ju shërbehet në mbrëmje.

Saranda rrethohet prej shumë sekreteve malore ndanë detit, por kur jeni ngopur me bukuritë e Adriatikut, mund ta prisni një biletë autobusi drejt Syrit të Kaltër, një burim i akullt uji në pishinën e thellë natyrore, që derdhet në Lumin e Bistricës. Pas një dite në pikë të rrezeve të diellit, ka shumë klube dhe bare që mund t’i frekuentoni, por një prej aktiviteteve më të preferuara lokale është ta bëni një «xhiro», të ecni përgjatë plazhit në mbrëmje, me familje dhe miq.

Parku Kombëtar i Butrintit

I pasur me biodiversitet dhe histori, zona e mbrojtur prej UNESCO-s, Butrinti, është qytet antik që dikur ishte kontrolluar prej grekëve, romakëve, bizantinëve e venedikasve. Ngjituni në kala (ku hyrja është katër dollarë), me flamurin shqiptar që valon në krye të saj, dhe hidhjani një sy dhjetëra kilometrave katrorë të parkut. Kënaquni me lagunën, eksploroni amfiteatrin, ose thjesht shkrihuni me natyrën. Që aventura juaj të jetë mahnitëse dhe të mos ju ngelet merak për asnjë gjë, atëherë është e udhës ta rezervoni udhëtimin me «Outr Own Experiences», një kompani e specializuar në fushën e historisë dhe kulturës shqiptare.

Fshati liqenor i Tushemishtit

Tushemishti, që shtrihet në brigjet e Liqenit të Ohrit dhe pranë kufirit maqedonas, është lokaliteti i një prej filmave më ikonik të Shqipërisë: «Zonja nga Qyteti», ku një grua detyrohet ta lërë qytetin për t’u vendosur në fshat. Në fund, afërmendsh se zonja dashurohet me sharmin dhe mirësinë e komunitetit lokal. Fshati ka efekte të një njëjta edhe te vizitorët e huaj dhe ju përherë do të shkriheni nëpër dyqanet që shesin veshje tradicionale, e punime të ngjashme dore.

Tushemishti është gjithashtu i famshëm për burimet e tij, plazhin e afërt dhe ushqimin e jashtëzakonshëm të kultivuar nëpër kopshtet e restoranteve që shërbejnë specialitete, si trofta e njohur «Koran». Ka thashetheme se edhe Mbretëresha e Anglisë e ka shijuar koranin. Pas darkës, bëjeni një xhiro deri te Volo Reka, i njohur edhe si Drilon. Ky mal dhe laguna malore e mbrojtur janë vende të mrekullueshme për t’u eksploruar. Mos e lini pa i provuar edhe xhirot me barka venedikase (një gjysmë ore nuk kushton më shumë se dy dollarë).

Kryeqyteti Tirana

Kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu është qyteti më kosmopolitan i vendit. Një vizitë në Muzeun Kombëtar, si dhe në Galerinë Kombëtare të Artit do t’ju ndihmojnë të hidhni dritë në historinë e ndërlikuar të vendit, që përfshin gërshetimin e kulturës komuniste, osmane dhe ilire. Të dyja ndodhen në qendër të Tiranës; në Sheshin Skënderbej, që është emërtuar me emrin e heroit më të famshëm shqiptar.

Restorantet e Tiranës shërbejnë kuzhinë lokale dhe ndërkombëtare, me meny të mirë prej prodhimeve të sjella prej fshatrave përreth. Më e preferuara është Zgara korçare, që shërben ushqime dhe perime të pjekura tradicionale shqiptare. Sa për jetën e natës, mësyjani Bllokut, që është bërë vendi më i preferuar për një kafe, koktej, apo vallëzim nate.

Lugina e Valbonës në Alpet shqiptare

Lugina e Valbonës ndodhet në Alpet shqiptare në këndin verior të vendit dhe është aventurë e përsosur për alpinistët. Një linjë e posalëshuar me trap në Liqenin e afërt të Komanit ua mundëson turistëve t’i përjetojnë për së afërmi bukuritë e maleve të thepisura dhe peizazhet mahnitëse. Malësorët e rrafshnaltave shqiptare janë të njohur në gjithë rajonin për miqësinë e tyre. Banorët e zonës janë gjithnjë të gatshëm t’ju ndihmojnë në punë orientimi, kështu që mos u mërzitni nëse flitni vetëm disa fjalë shqip.

Botuar në «Paste Magazine»

*Autorja është gazetare e lirë që e studion anglishten dhe shkencat politike në Universitetin e Michiganit.