Italia e Kosova bashkë në luftimin e krimit dhe të terrorizmit

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, z. Skender Hyseni gjatë qëndrimit në vizitë zyrtare në Republikën e Italisë, është pritur dje në Romë, në një takim shumë miqësor nga z. Angelino Alfano, ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Italisë, thuhet në një njoftim për medie të kësaj Ministrie.

Në këtë takim dy ministrat kanë biseduar dhe trajtuar një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë nacional dhe në funksion të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale të sigurisë Kosovë-Itali, transmeton Koha.net.

«Partneriteti strategjik midis Kosovës dhe Italisë në rrafshin e sigurisë dhe rendit e ligjit është i fortë» tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, z. Skender Hyseni dhe shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha rrafshet e shtet-ndërtimit dhe sidomos tani në bashkëpunimin e ngushtë midis dy shteteve për t’u përballuar me sfidat e shumta në rrafshin e sigurisë dhe rendit.

Dy ministrat biseduan në hollësi për krimin e organizuar ndërkombëtar dhe masat dhe veprimet që duhet bërë për luftimin efikas të tij. Koordinimi ndërkombëtar dhe këmbimi i informatave është thelbësor në këtë plan, u tha në takimin e dy ministrave.

Ata u pajtuan që Italia dhe Kosova të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin e krimit. Korridori ballkanik i migrimit të refugjatëve nga Siria, përkatësisht nga lindja drejt zonës Shengen ishte po ashtu temë e bisedës midis ministrit Hyseni dhe ministrit Alfano.

Në mënyrë të veçantë u trajtua çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri Hyseni nënvizoi se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan dhe aprovimi sa më i shpejtë i rekomandimit për heqjen e vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian. Ndërsa ministri Alfano theksoi se Italia përkrah heqjen e vizave për kosovarët.

Çështje tjetër e veçantë që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm. Të dy ministrat shprehën pikëllim të thellë për viktimat e aktit terrorist në Orlando.

Të dy ministrat u dakorduan që Kosova dhe Italia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në përballje dhe luftën këtyre kërcënimeve që tejkalojnë kufijtë nacional të shteteve. Ministri Alfano falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Italisë për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje me interes të veçantë, sikurse është terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Italisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë të bashkëpunimit policor. Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejtë, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon, u tha mes tjerash ne takimin e sotëm të dy ministrave në Romë.