Itali: Kosovari i zhdukur para 10 viteve pritet të shpallet zyrtarisht i vdekur

Nexhat Rizanaj është zhdukur në vitin 2006 në Tirolin jugor të Italisë.

Karabinierë italianë. Foto: Shutterstock



Në shtator të vitit 2006 Nexhat Rizanaj nga Kosova u zhduk pa gjurmë në lokalitetin Karduan në krahinën e Tirolit jugor në Itali. Tani, 10 vjet pas zhdukjes së tij, ky njeri pritet të shpallet i vdekur zyrtarisht, pasi që duket se janë zhdukur edhe shpresat e fundit se ai është gjallë, shkruan gazeta «Tagblatt Dolomiten». Me këtë rast janë marrë gjatë hetuesit kriminalistikë të Tirolit jugor.

Rizanaj ishte punëtor ndërtimtarie. Mbrëmjen e 28 shtatorit 2006 ai po priste pranë rrugës një shok për të shkuar me të me veturë në qytetin Meran. Kur shoku i tij, po ashtu kosovar, arriti në vendin ku e kishin lënë të takoheshin, Rizanaj nuk ishte aty. Ishte zhdukur pa gjurmë.

Sipas të dhënave të policisë italiane nga telefoni i Rizanajt nuk ishin bërë thirrje, po ashtu nga xhirollogaria e tij nuk ishin tërhequr para. Punëdhënësi i tij supozonte se Rizanaj ishte viktimë e një pengmarrjeje. Por hetimet nuk sollën asnjë sukses. Rizanaj u kërkua edhe në emisionin për të pagjeturit «Chi l’ha visto».

Avokati i familjes Rizanaj Mauro De Pascalis i ka bërë një kërkesë një gjykate në Bozen (Bolzano) që Nexhat Rizanaj të shpallet zyrtarisht i vdekur. «Bëhet fjalë për një kërkesë të zakonshme, e cila mund të parashtrohet dhjetë vjet pasi të zhduket një person», ka thënë avokati. Nëse në 6 muajt e ardhshëm nuk shfaqet ndonjë njoftim mbi Nexhat Rizanajn, atëherë ai do të konsiderohet përfundimisht i vdekur. (-lli)