Istogut ç’i panë sytë

Pa marrë parasysh kush fiton në Istog: kjo dramë është e paharrueshme edhe në aspektin humoristik.

Hamburg, jo Istog.



Këqyrni titujt e mediave.

Ironizon Dreshaj: Ju pata thënë se jam taksiratli e fitoj. Rugova nuk dorëzohet: E ndjej veten kryetar të komunës. Burime nga KQZ flasin për gabim në numërim, Rugova prin me 75 vota. Mustafa: Asgjë nuk ka përfunduar sonte në Istog. Dreshaj prin me 52 vota ndaj Rugovës në garën për kryetar të Istogut. Numërohen mbi 90 për qind të votave në Istog, rezultat shumë i ngushtë. Simpatizanti i Dreshajt i lë bashkish 500 euro tupanxhiut.

Pa marrë parasysh kush fiton në Istog: kjo dramë është e paharrueshme edhe në aspektin humoristik. Këso kiameti demokratik nuk është parë në viset tona qëmoti. Këso drame, qe besa, as rapsodi nuk ka ditur ta nxjerr në tela të sharkisë, madje as kur e ka kënduar këngën e Selman Kadrisë.
Istogut ç’i panë sytë.
Istogut të Ibrahim Rugovës.
Istogut të troftës.

Istogut dhe krejt katundet. Banjë, Banjicë, Belicë, Bellopojë, Carallukë, Cërrkolez, Cerrcë, Dobrushë, Dragolec, Drejë, Dubovë e Vogël, Dubravë, Gjurakovc, Istog, Istog i Poshtëm, Kaliqan, Kashicë, Kërrninë, Kosh, Kovragë, Lluga, Llukac i Begut, Llukac i Thatë, Lubovë, Lubozhdë, Mojstir, Muzhevinë, Orrobërdë, Osojan, Polanë, Prekallë, Prigodë, Rakosh, Serbobran, Shalinovicë, Shushicë, Sinajë, Saradran, Studenicë, Suhogërllë, Tomoc, Trubuhoc, Tuçep, Uçë, Veriq, Veriq i Ri, Vrellë, Zabllaq, Zallq, Zhakovë.
Istogut ç’i panë sytë.
Istogut të Sylë Vrellës.
Asgjë s’është thyerja e këmbës çka është shndërrimi i një komune në repart të ortopedisë demokratike.

Vazhdojmë me tituj: Prokuroria: Asnjë rast penal lidhur me procesin e rivotimit në komunën e Istogut. Entuziazëm në kampin e LDK-së. AAK nis festën në Istog. Shoqërohet në polici një person nën dyshimin blerje votash në Istog. Mustafa: LDK meriton ta fitojë Istogun. Rugova mbyll në Vrellë fushatën për Istogun. Haradinaj në Istog kërkon të përkrahet Dreshaj.
Po fitoi ky Rugova gëzohet Istogu.
Po fitoi Dreshaj gëzohet Istogu – dhe Hamburgu.
Hanseatic Dreshaj GmbH + Co. Obj. Entertainment Hamburg.
Dollhouse Table Dance.

Në rast se fiton Dreshaj mileti do të jetë kureshtar për të parë logon e re të komunës. Fantazia nuk ka kufi. Gazetat gjermane do të jenë vigjilente për të përshkruar suksesin e madh të një emigranti të integruar mirë në Gjermani, i cili sakrifikohet edhe kthehet triumfalisht në vendlindje për të ndërtuar demokracinë e tipit të Hamburgut. Mos të befasohet ndokush kur revistat e famshme të Hamburgut si DER SPIEGEL dhe DIE ZEIT do të hapin zyrat e korrespondentëve në Istog.

Istogut ç’i panë sytë. Pushtoi faqet e mediave lokale, rajonale e ndërkombëtare.
Në ditë e inaugurimit të Dreshajt me siguri do të marrë pjesë edhe Angela Merkeli, Harald Schmidti, Jan Böhmermanni, Olli Dittrich, Jérôme Boateng, Shkodran Mustafi, Oliver Kahn. Firma Beate Uhse këtë javë ka njoftuar se po falimenton në Gjermani, por do të hapë një filial në Istog.
Istogut ç’i panë sytë.
E.R.