Islami: Vetëvendosje më e keqe se partitë tjera




Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylber Islami, që të hënën konfirmoi largimin nga ky subjekt politik për shkak të «mos-demokracisë së brendshme në Vetëvendosje», si i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka ripërsëritur fjalët se ai nuk e ka pritur që Vetëvendosje të shkelë rregullat e veta duke e quajtur subjektin politik të Visar Ymerit si «më të keq se partitë tjera në Kosovë».

 

«Nuk është as si partitë tjera, ajo madje ka shënuar prapakthim. Është më e keqe se të tjerat. Ajo nuk i respekton rregullat e veta të ndryshme. I kam besuar shumë procesit të ristrukturimit, por ka vazhduar avazi i njëjtë», ka thënë Islami, tashmë asambleist i pavarur në KK të Fushë Kosovës, transmeton Koha.net.

Ish-kandidati i këtij subjekti politik në Fushë Kosovë në vitin 2013, ka shtuar se ka qenë shumë aktiv si opozitë e kuvendit komunal dhe nuk e ka pritur që Vetëvendosje të jetë parti e mbyllur në 3-4 vetë.

Ai ka deklaruar se Vetëvendosje u mundua ta bëjë rrëmujën për largimin e tij duke e kthyer këtë në çështje personale, se si ai ka kërkuar një vend pune nga krerët e subjektit, fakt të cilin ai e mohon.

Madje Islami thotë se ish-lideri i VV-së, Albin Kurti, i ka ofruar drejtimin e degës së Vetëvendosjes në Fushë Kosovë, por thotë ta ketë refuzuar pasi që ka dashur që ky proces të shkojë me vota, e jo me emërime.