«Islami është kapur nga të prapambeturit» – Intervistë me imamin e Bernës Mustafa Memeti

Imami i Bernës Mustafa Memeti është ngritur në reprezentuesin më të rëndësishëm të praktikuesve myslimanë në Zvicër.

Imami shqiptar në Bernë, Mustafa Memeti, është gjithandej i pranishëm në mediet zvicerane.

«Kur është fjala për çështje të interesit nacional, SVP-ja shumëçka e bën mirë. Unë jam për një përparësi të vendasve. Dhe kam vështirësi me Lëvizjen e Lirë. Zvicra është e vogël; ne duhet ta ruajmë kontrollin.» Sikur këto fjalë të vinin nga zoti Meier apo Müller, nuk do ta habisnin askënd. Por Mustafa Memeti është shqiptar dhe imam, pra mysliman. SVP-ja ia ka munduar disa herë si fenë, ashtu edhe etninë. Prandaj Memeti thotë edhe: «Shpesh nuk jam dakord me partinë. Nuk shkon vetëm duke turfulluar, pa propozuar zgjidhje.»

Memeti duket me vonesë në takimin e intervistës. Namazi i xhumasë ka zgjatur më tepër nga ç’ishte planifikuar. Vendngjarje ishte xhamia në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë. E themeluar para dy viteve, myslimanët e Memetit këtu luten bashkë me hindusët, të krishterët apo hebrenjt. Nga katedra e tij Memeti ka predikuar në shqip, arabisht dhe gjermanisht. Tri herë të njëjtën, me qëllim që secili nga 200 dëgjuesit ta kuptojnë së paku njërin verzion.

Përfaqësuesi më i rëndësishëm i të moderuarve

Me të larguar pjesëtarët e komunitetit, ai pozon për fotografët. Njëri vazhdon të lutet akoma, i drejtuar nga Meka, në tepihun e trashë të kuq, përderisa një tjetër disa metra më tej po e fshin atë me respirator. Memeti e zotëron prej kohësh këtë lojën me kamerat. Përveç radikalëve të Këshillit Qëndror Islamik IZRS-së të reprezentuar bujshëm në kryetituj, gazetarët zor se i kanë kushtuar ndonjë praktikuesi tjetër mysliman kaq shumë vëmendje si Memetit. Në opinionin publik ai është përfaqësuesi më i rëndësishëm i të moderuarve.

Por, çfarë domethënë këtu përfaqësues? Besim, prejardhje, etni: 350’000 myslimanët e Zvicrës janë kaq heterogjenë sa një pako Smarties. Shumica më e madhe nuk janë praktikues të fesë së tyre. Memeti flet për atë pakicë që shkon rregullisht në xhami, në gjermanishten letrare, me një akcent të fortë. «Unë qëndroj aty, ku të tjerët nuk guxojnë. Ata kanë frikë, nuk e dinë çfarë duan.» Ai tani rri në zyrën e tij në katin e dytë të xhamisë. Në tavolinën e punës ngriten pirgje me libra, tekste dhe dhurata. Memeti e ka zhveshur mantelin e predikimit, mban xhinse dhe këmishë. Dhe çorape, pa këpucë. Sikurse në hapësirën e lutjes, ato këtu nuk lejohen.

«Sidomos veprimtaria e tij në Shtëpinë e Religjoneve e ka bërë atë më popullor. Shumë jomyslimanë përvojën e tyre me islamin e bëjnë me atë. Ai e ka përcaktuar fort imazhin e islamit në Zvicër», spikat Hansjörg Schmid, drejtori i Qendrës Zvicerane për Islam dhe Shoqëri. «Për më tepër, ai është i gatshëm t’i diskutojë çështjet e bashkëjetesës në një shoqëri pluraliste. Imamët e tjerë nuk janë gjithmonë të tillë.»

Vërtet, nuk është gjithmonë e thjeshtë ta mësosh qëndrimin e përfaqësuesve të myslimanëve praktikues: Shumë prej tyre nuk kapen kollaj ose nuk dëshirojnë të prononcohen. Federata e Organizatave Islame të Zvicrës (FIDS) mëdyshen për temat e nxehta si debati i burkës, në vend që të marrin qëndrim. Unioni i Imamëve Shqiptarë, i cili përfaqëson rreth 40 xhami, duhej të mbrohej nga akuzat se po ju ofron një platformë predikuesve radikalë nga jashtë. Ai i refuzon këto «në mënyrën më të ashpër». Kjo stigmë është një helm për praninë mediatike. Ai shkruan: «Ne jemi gjithmonë të gatshëm dhe të hapur, t’i shprehim pozicionet tona lidhur me tema të caktuara.»

Kurse Memeti është i gjithpranishëm: Para dy javësh ai në «Nordwestschweiz» u shpreh për ndalimin e burkës. «Islami është kapur nga të prapambeturit», i tha ai vitin e kaluar «Berner Zeitung»-ut. «Lufta e shenjtë nuk ka vend tek ne», i tha «Beobachter»-it. Popullata shumicë fjali të tilla në kohë të dyshimit i kapërdin ëmbëlsisht. Një përfaqësues i islamit, që mendon kështu. Dhe që madje e shpreh atë!

«Sonntagszeitung» më 2014 e shpalli Memetin «Zviceranin e Vitit». Motori që qëndron pas SVP-së për ndalimin e burkës, Walter Wobmann, thotë: Është një lajm i gëzueshëm, nëse këto qarqe ngrihen kundër ekstremistëve. Mjerisht është një prej pak myslimanëve të moderuar që e bëjnë këtë.»

Një rrugë e paratrasuar

Gjatë intervistës, në tavolinë qëndrojnë dy smartfonë. Njëri është për përditshmërinë. Gjatë bisedës ai dridhet vazhdimisht, por Memeti nuk e hap. Me tjetrin ai e thërret përditë babain e tij 88-vjeçar, i cili jeton ende si pjesë e pakicës shqiptare në jug të Serbisë.

Memeti është rritur atje. Gjyshi i tij ishte imam, babai gjithashtu; rruga ishte e paratrasuar. Me 13 vjet ata e dërguan atë larg, për t’u shkolluar. Udha e shpuri atë nëpër Lindje të Afërt dhe Afrikën Veriore. Ai studioi hadithologjinë – atë çfarë transmeton profeti – në Universitetin stërkonservativ islam të Medinës në Arabinë Saudite.

Ai e citon vazhdimisht profetin. Por, vajza e tij, mësuese e klasave të larta fillore, nuk mban shami. Në jetën e tij ai nuk ka ngrënë kurrë mish derri, nuk ka pirë kurrë alkohol dhe nuk ka pasur kurrë «marrëdhënie seksuale ilegale» jashtëmartesore. Por, në kafenenë e xhamisë dy metra mbanë faltores pihet shumë duhan.

Kundërthënie? Sigurisht jo. «Unë jetoj strikt sipas Kuranit, dhe e rrëmoj atë me të pyetur. Edhe Muhamedi e ka bërë këtë. Prandaj jam bërë kështu, si jam bërë. Unë jam tolerant ndaj të gjithëve, të cilët janë gjithashtu tolerantë.»

Ndërkohë ai është 54-vjeç dhe duket i kënaqur. Prej 30 vitesh ai banon në Zvicër. «Në Jugosllavi situata ishte politikisht dhe ekonomikisht e rëndë.» Shkurt para fillimit të luftërave, ai e lëshoi Ballkanin.

Ndërkohë dy prej tre fëmijëve të tij punojnë, djali më i vogël studion matematikën. Memetët ia kanë dalë prej kohësh, banojnë në paralagjen e Bernës Ittigen mes fqinjësh zviceranë. Për të gjithë të tjerët që nuk janë integruar akoma plotësisht, lufton babai. «Unë dua që të rritet një gjeneratë myslimanësh tolerantë. Do të bëhet apo jo? Nuk e di.»

(aargauerzeitung.ch) ks