ISIS vë në shënjestër Bosnjën e brishtë për rekrutim dhe sulme

Shkalla e lartë e papunësisë, tensionet etnike dhe paraliza politike ndihmojnë xhihadistët të joshin të rinj drejt Sirisë dhe hapin front të ri terrori në zemër të Evropës, shkruan gazeta «Guardian».




«Shteti Islamik» ka zgjeruar përpjekjet e tij për rekrutim të luftëtarëve në Bosnjë dhe ka nxitur sulme terroriste atje, duke përfituar prej shkallës më të lartë në nivel botëror të papunësisë dhe paralizës politike kronike.

Nisma, megjithëse e vogël për nga përmasat, po alarmon kryeqytetet perëndimore, ku diplomatët druajnë se përzierja e gjendjes së mjerueshme ekonomike dhe tensionet etnike paraqet terren të pëlleshëm për ekstremizëm, dhe se Evropa do të mund të pendohej me dështimin për t’u konfrontuar me problemet thellësisht strukturore të Bosnjës në dy dekadat e fundit pas përfundimit të luftës.

ISIS-i ka nxjerrë një video të re rekrutimi këtë muaj, duke vënë në shënjestër rajonin e Ballkanit, e Bosnjën në mënyrë të veçantë. Filmi prej njëzetë minutash, titulluar «Nderi është në xhihad», përmban shumë fjalime të luftëtarëve boshnjakë që u bëjnë thirrje bashkatdhetarëve t’u bashkohen në luftën në Siri ose të shfrytëzojnë mundësitë për sulme eventuale kundër armiqve të supozuar të islamit në atdhe.

«Nëse mundeni, vendosni eksploziv nën makina, në shtëpitë e tyre, gjithkah nga mundeni. Nëse mundeni, merrni helme dhe hidheni në pije a ushqim të tyre. Nxirrjani shpirtin, merrjani shpirtin duke i helmuar, vritni kudo qofshin. Në Bosnjë, në Serbi, në Sanxhak (rajon në jugperëndim të Serbisë). Ju mund ta bëni», ka bërë thirrje njëri prej boshnjakëve, të identifikuar me nofkën Salahudin al-Bosni, duke folur në gjuhën boshnjake.

Rikthimi i luftëtarëve nga luftërat e huaja përbën kërcënim të drejtpërdrejtë jo vetëm për sigurinë e Bosnjës, por edhe për rajonin.

Një raport i sapopublikuar për xhihadizmin ka nxjerrë përfundimin se «rikthimi i luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku – të mësuar me beteja të ashpra, të shkathët në mbajtjen e armëve dhe eksplozivëve dhe të radikalizuar në aspektin ideologjik – përbën kërcënim të drejtpërdrejtë jo vetëm për sigurinë e Bosnjës e Hercegovinës, por gjithashtu për rajonin dhe përtej».

Raporti «Joshja e luftës siriane, kontingjenti boshnjak i luftëtarëve të huaj» ka treguar se në vitet 2013 dhe 2014, 156 burra dhe 36 femra boshnjake kanë udhëtuar drejt Sirisë, duke marrë me vete 25 fëmijë. Prej kësaj shifre, 48 burra dhe tri gra janë kthyer në janar të këtij viti.

Autorët, politologu dhe profesori i Universitetit të Sarajevës, Vlado Azinoviq, dhe teologu e kolumnisti islamik, Muhamed Jusiq, kanë mësuar se Bosnja ende nuk është e aftë të merret me kërcënimin potencial. Bosnja është shtet i brishtë, i ndarë prej marrëveshjes paqësore të vitit 1995 në dy entitete, federatën e myslimanëve (të njohur si boshnjakë) dhe kroatëve, dhe republikën Srpska. Për më tepër, federata është e ndarë në dhjetë kantone. Operojnë 22 agjenci policore në një shtet që ka edhe sistem të stërngarkuar drejtësie.

«Në përgjithësi ka mungesë të koordinimit ndërmjet agjencive lokale të zbatimit të ligjit për punë të lidhura me luftëtarët e huaj», thuhet në raport, duke theksuar se nuk ka asnjë bazë të dhënash për luftëtarët e huaj dhe se të dhënat aktuale «janë në përgjithësi pikë e pesë, shpeshherë të papërfunduara ose të paorganizuara».

«Kjo rezulton me boshllëqe të rëndësishme në njohjen dhe monitorimin e fenomenit», vëren raporti, duke shtuar se qeveria «ka mungesë të strategjisë së nevojshme» për t’u konfrontuar me problemin në rritje. «Ne nuk po ndërmarrim asgjë. Vetëm po shikojmë», ka deklaruar Azinoviq.

Kristina Joziq, zëdhënëse e agjencisë shtetërore boshnjake për hetim dhe mbrojtje (Sipa), përgjegjëse për sigurinë e brendshme, ka thënë se agjencia e saj do të analizojnë videon e ISIS-it me qëllim të identifikimit të shkeljeve penale të ligjit boshnjak.

«Rikthimi i individëve që kanë marrë pjesë në konfliktin e armatosur në Siri, duke luftuar për ISIS-in, padyshim se është sfidë sigurie dhe kërcënim sigurie, përmasat e së cilës janë vështirë të përcaktohen në këtë moment», ka deklaruar Joziq. «SIPA vazhdimisht analizon dyshimet e aktiviteteve terroriste, pavarësisht a është fjala për udhëtime jashtë vendit për të shkuar në beteja, financim, rekrutim ose aktivitete të tjera të lidhura me terrorizmin… dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme». Sipas burimeve diplomatike, qeveria e Sarajevës po përgatit një strategji të re antiterror, me theks të rëndësishëm në parandalimin dhe rehabilitimin e të rikthyerve, dhe ia ka paraqitur një draft gjeneralit John Allen, emisar amerikan për luftimin e ISIS-it, kur ai qëndroi më 8 qershor në Sarajevë.

Komuniteteti salafist që operon jashtë xhamive zyrtare ka nisur të përhapet në tri krahina, Gornja Maoça, Osve dhe Dubnica, dhe po «krijojnë» xhami radikale, shpeshherë të ndërtuara prej shteteve të Gjirit Persik. Ata kanë nisur të duken edhe në Sarajevë, Zenicë dhe Tuzëll.

Pas monitorimit për tri vite të xhihadistëve boshnjakë, autorët i ndajnë ata në dy kategori të gjera: veteranë që luftuan për krah vullnetarëve muxhahedinë nga bota arabe në konfliktin boshnjak të viteve 1992-95, dhe të rinj boshnjakë «të prirë kryesisht prej adrenalinës dhe dëshirës së madhe për vetëvlerësim, vetërespekt, ndjenjës së përkatësisë së grupit dhe qëllimit». Pothuajse çdo i treti anëtar boshnjak i ISIS-it ka të kaluar kriminale.

Qorrsokaku kronik ndërmjet entiteve rivale ka kontribuar në stagnimin ekonomik dhe shkalla prej 63 për qind e papunësisë në mesin e boshnjakëve të rinj është më e larta në nivel botëror, tregojnë shifrat zyrtare. Shoqëria boshnjake, për të cilën raporti thekson se «gradualisht po humb aftësinë për të menaxhuar veten», po bëhet faktor i qenësishëm për të marrë udhën drejt ISIS-it.

Si shumica e video-incizimeve të ISIS-it «Nderi është në xhihad» emeton imazhe të njohura për të joshur njerëzit të ndjekin rrëfimin e organizatës terroriste. Ofron një panoramë idilike të jetës kryengritëse në Siri, me luftëtarë boshnjakë, kosovarë e shqiptarë duke u nisur drejt betejave si bandë e gëzuar vëllezërish, njëherësh duke kaluar kohë të hareshme me familjet pas kthimit prej luftimeve. Gjithë kësaj ia vënë kapakun edhe makinat luksoze.

ISIS-i ka nxjerrë një seri video-incizimesh të ngjashme me qëllim të joshjes së rekrutëve në Francë, Somali, Jemen, Libi dhe shumë vende të tjera, secila prej tyre i mishëruar me elemente të kulturës e historisë lokale të shtetit të caktuar.

Me përdorimin e tabelave grafike kompjuterike, filmi portretizon historinë e Ballkanit si tokë që historikisht kanë qenë «toka myslimane», pastaj të kontrolluara prej komunistëve të pafe dhe në fund të sunduara prej nacionalistëve. Udhëheqësit aktual boshnjak janë përshkruar si tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të armiqve të islamit «që ju përgatisin si dele për gjenocidin e radhës».

Videoja e ISIS-it ofron interpretim ndryshe të konfliktit boshnjak të viteve nëntëdhjetë. Filmi paraqet brigadën muxhahedine se si «lufton serbët» në luftën e Bosnjës, megjithëse në realitet ka pasur një ndikim të kufizuar në një seksion të vogël të frontit të luftës. Njëherësh përshkruan fushatën e gjerë ajrore të bombardimit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës nga ana e SHBA-ve si punë incidenti dhe njëfarë dizajnimi për të parandaluar ngritjen e myslimanëve të përkushtuar.

«Do të kryhen masakra nëse myslimanët nuk i kthehen fesë së tyre», thekson një xhihadist i moshuar, Abu Satiyah al-Bosni. Ai besohet se është mysliman nga Sanxhaku me emrin e vërtetë Abid Podbiçanin, dhe raportohet se është vrarë në mars në Siri.

Salahudin al-Bosni, që më herët ka bërë thirrje për vrasje në një video dhe besohet se është boshnjaku me emrin Ines Migjiq, ka vdekur në fushëbetejë gjatë së njëjtës periudhë kohore. Autoritetet boshnjake besojnë se dy pjesëmarrës tjerë në video gjithashtu janë të vdekur; një i tretë është plagosur rëndë.

Zyrtarë qeveritarë perëndimorë besojnë se pothuajse 50 xhihadistë, që janë kthyer në Bosnjë, deri tani paraqesin një sfidë të menaxhueshme për agjencitë boshnjake të sigurisë dhe inteligjencës, pavarësisht se ka shumë plasaritje në këtë sistem. Por ata gjithashtu shprehin shqetësimin se përmasat e problemit do të mund të përshkallëzoheshin në mënyrë dramatike duke pasur parasysh mjerimin e ekonomisë dhe shoqërisë së Bosnjës.

Në incidentin e vetëm potencial terrorist që ka shkaktuar viktima sivjet në Bosnjë, një burrë boshnjak në moshën 24-vjecare nga rrethina e qytetit serb Zvornik, sulmoi stacionin policor dhe hapi zjarr më 27 prill, duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë para se ta vriste veten.

I armatosuri, Nerdin Ibriq, u mësua se ishte mik i një burri lokal që ishte kthyer nga Siria, por nuk ishte e qartë se deri në çfarë përmase ai ishte ndikuar prej xhihadizmit. Raportet zyrtare bëjnë të ditur se Ibriq bërtiti «Allahu Akbar» kur nisi sulmin, por ka dyshime se ai kishte mallkuar caqet e tij. Gjithashtu u mor vesh se babai i Ibriqit ishte në mesin e 750 burrave të mbledhur prej policisë dhe paramilitarëve serbë në qershorin e vitit 1992 në fillim të luftës, të cilët u vranë në mënyrë masive.

Autoritetet nacionaliste serbe kanë reaguar sikur sulmi të ishte ndonjë ofensivë masive. «Ky është sulmi më i keq terrorist që ka mundur t’i ndodhte Republikës Srpska», ka deklaruar Dragan Lukaç, ministër rajonal i Punëve të Brendshme, duke shtuar se «ka mundur të jetë fillimi i ngjarjeve edhe më të këqija në Bosnjë-Hercegovinë».

Lidershipi serb përdori të shtënat si pretekst për arrestimin e një numri të madh boshnjakësh në territorin e vet dhe kështu arsyetoi krijimin e një njësiti të ri special policie në anën serbe. Zyrtarët perëndimorë argumentojnë se më e arsyeshme do të ishte koordinimi më i mirë në mesin e 22 forcave policore sesa krijimi i një agjencie të re.