ISIS-i mposhtet duke ia zgjatur dorën rinisë arabe

Mposhtja e grupit xhihadist do të lërë boshllëk ideologjik – dhe për të mos lejuar ngritjen e sërishme, rinisë i duhen vende pune dhe përfaqësim politik.

Foto: Shutterstock

Në luftën botërore kundër «Shtetit Islamik» dhe ekstremistëve të tjerë të dhunshëm fetarë, shpeshherë anashkalohet një faktor shumë i rëndësishëm: ndikimi psikologjik i humbjes dhe fitores. Prej kohës kur myslimanët kishin sunduar Andaluzinë, ndjekësit e islamit kanë qenë dëshmitarë të humbjeve historike të njëpasnjëshme – humbja e fundit shënohet me rënien e madhe të Perandorisë Osmane gjashtëqindvjeçare. Në historinë më të re, arabët kanë qenë dëshmitarë të disfatës politike që e la Palestinën nën kontrollin ushtarak izraelit, Sirinë dhe Egjiptin duke hequr dorë prej territorit në luftën gjashtëditëshe, dhe Irakun të mposhtur dy herë prej koalicionit të prirë prej amerikanëve, ku përfshiheshin edhe aleatët arabë.

Ideologjia e ISIS-it i trimëron myslimanët dhe arabët e rinj me premtimin se ka ardhur koha e shpresës për fitore në «Kalifatin» e premtuar dhe pritjen e rrejshme se do të ketë rikthim në kohën e artë të dikurshme.

Prandaj është shumë e rëndësishme disfata e ISIS-it në dy nivele. Në planin operacional, do të ishte fundi i kontrollit fizik të territorit nga ky grup dhe me gjasë do t’i jepej fund trajnimeve dhe planifikimeve për sulme.  Në aspektin psikologjik, do të paraqiste fundin e një ideologjie të deformuar.

Por që ISIS-i të mposhtet fizikisht dhe ideologjikisht, këtë punë nuk duhet lënë strategëve ushtarakë ose trupave perëndimore. Është shumë e rëndësishme se kush do t’i marrë meritat për humbjen, dhe që kjo humbje të jetë e qëndrueshme duhet të përkojë me një alternativë të besueshme për pjesën tjetër të rinisë që digjet që të jetë pjesë e ekipit fitues. Nëse Perëndimi e ka ndër mend të ketë rol në formësimin e të ardhmes pas mposhtjes së «Kalifatit», atëherë është thelbësore që perëndimorët të mos i marrin lëvdatat për këtë disfatë, edhe në qoftë se kanë rol kyç.

Por edhe më e rëndësishme është se kush do ta plotësojë boshllëkun ideologjik kur ISIS-i të mos ketë më kontrollin e territoreve që i zotëron sot. Kur dhjetëra-mijëra të rinj demonstruan në rrugët e Tunisit e Kajros më 2010-2011, shumë prej tyre besonin se kishte arritur demokracia arabe. Fatkeqësisht, aktivistët e vërtetë të ndryshimit nuk kishin aftësinë dhe organizimin për të mbushur boshllëkun e krijuar prej Zine al-Abidine Ben Alisë në Tunizi dhe arrestimit të Hosni Mubarakut në Egjipt.

Për ironi, fuqia dhe fitoret afatshkurta të ISIS-it dhe grupeve të ngjashme kanë çuar drejt një lëvizjeje të re shekullare radikale që po formësohet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Ky muhabet po bëhet më së shpeshti në rrjetet sociale, dhe si demonstruesit e pranverës arabe, ata shpresojnë në realizimin e një demokracie shekullare, por ata kanë pak mundësi të mbushin boshllëkun që me siguri do të krijohet me shkatërrimin eventual të bërthamës së ISIS-it.

Ajo çfarë duhet tani është një partneritet i ri ndërmjet fuqive të moderuara në botën arabe, aktivistëve të shoqërisë civile dhe shekullaristëve. Kushti numër një për partneritet të tillë është respekti i çiltër për të tjerët, dhe dhënia fund e rivalitetit. Partneriteti i suksesshëm duhet të respektohet dhe ndërtohet vetëm larg alternativave të ekstremizmit të dhunshëm: ndarjes së pushtetit, gjithëpërfshirjes dhe pluralizmit.

Qëllimi i arsyeshëm i këtij partneriteti të ri duhet të jetë promovimi i parimeve demokratike dhe inkurajimi i ndarjes së kishës dhe shtetit, njëherësh duke respektuar konservatorët e moderuar fetarë, që më fort besojnë në ndryshim të ngadalshëm se në ndryshim revolucionar. Por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Ushqyerja e zemrës pa ushqyer trupin vetëm do t’i shtyjë për pak telashet. Një plan marshall me burime duhet të zbatohet me qëllim të adresimit të problemit të madh të papunësisë me të cilën përballet shumica e rinisë arabe dhe myslimane sot.

E gjithë kjo mund të duket idealizëm dhe nuk është diçka e re që dëgjohet në Perëndim, që rregullisht i ka hedhur idetë e tilla në favor të ruajtjes së aleancave me regjimet autokratike për promovimin e interesave afatshkurta perëndimore.

Rreziku më i madh në muajt dhe vitet e ardhshme është se Perëndimi në mënyrë egoiste do të përqendrojë vëmendjen në punë të brendshme. Sulmet e fundit të dhunshme në SHBA, Francë e Gjermani dëshmojnë sheshit se izolimi nuk do t’i lejojë të merren me çështje përtej kufijve.

ISIS-i duhet të mposhtet, por duhet të tregohet kujdes kujt t’i adresohet merita. Skenari më i mirë – megjithëse mund të tingëllon si idealist – do të ishte një strukturë e përbashkët e ndarjes së pushtetit që mund të ndihmojë për ndërtimin e të ardhmes më përparimtare dhe më përfaqësuese për Lindjen e Mesme, duke parandaluar rishfaqjen e kësi lloj kamxhiku të shëmtuar.

(Autori është gazetar palestinez me shtetësi amerikane)