ISIS-i kërcënon kryeqytetet e Ballkanit me fushatë terrori

I ashtuquajturi Shteti Islamik është betuar të presë kokat e «të pafeve» kudo në Ballkan, si dhe të vrasë 'tradhtarët' serbë dhe kroatë, ndërsa kërcënimi i ri u publikua në versionin boshnjak të revistës së xhihadistëve.

Persona të paidentifikuar të armatosur në Siri, botuar nga propaganda terroriste e ISIS-it.



«Jo, i betohemi Allahut, se nuk e kemi harruar Ballkanin», paralajmëroi versioni boshnjak i revistës së ISIS-it, Rumiyah, teksa organizata terroriste kërcënoi rishtas rajonin.

Në një artikull të titulluar «Ballkani – Gjak për Armiqtë dhe Mjaltë për Miqtë», grupi terrorist bën kërcënime të drejtpërdrejta për serbët dhe kroatët në lidhje me rolet e tyre në luftërat e Ballkanit, si dhe për tradhtarët myslimanë ndaj besimit islamik.

«Së shpejti ushtarët e kalifatit do të ecin në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe qytete të tjera, duke prerë kokat dhe duke derdhur gjakun e të pafeve», paralajmëroi artikulli.

Xhihadistët paralajmërojnë se nuk e kanë harruar që serbët dhe kroatët luftuan kundër myslimanëve boshnjakë në luftën e viteve 1992-95.

«Mendoni se gjithçka që ndodhi mbaroi kur u kthyet në shtëpi me duart e njollosura me gjakun e myslimanëve?» – pyeti grupi terrorist përpara se të paralajmëronte se lufta e viteve 1990 ishte fillimi i fundit.

Artikulli vazhdon duke thënë se të gjithë tradhtarët e besimit islam në Bosnjë, në rajonin e Sanxhakut në Serbi, në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni do të «shfarosen» me «shpatë dhe thika», nëse nuk i kthehen islamit.

«Gjaku juaj është më i vlefshëm dhe më i ëmbël për ne sesa ai i serbëve dhe kroatëve», thotë artikulli.

Autorët e artikullit gjithashtu i referohen sulmeve të ISIS-it në Britani, Francë, Gjermani dhe SHBA; vende që sipas tij janë më të forta se Ballkani, por gjithsesi të pambrojtura.

Autorët thanë se ISIS-i i ka kthyer këto vende nga fuqi që mburren në kombe të poshtëruara dhe të frikësuara.

«Mos mendoni se jeni të sigurt dhe gati», paralajmërojnë ata.

Versioni boshnjak i revistës ISIS që nga shtatori i vitit të kaluar ka justifikuar sulmet e kryera nga grupi terrorist në të gjithë botën.

Revista botohet në disa gjuhë, përfshirë arabishten, anglishten, turqishten, gjermanishten dhe frëngjishten, nga media e ISIS-it, Al-Hayat. Emri do të thotë «Roma» dhe supozohet se lidhet me rënien e Perandorisë Romake.

Goran Kovaçeviq, një profesor në Fakultetin e Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Sarajevës, i tha BIRN-it nëntorin e kaluar se qëllimi i revistës është t’i bëjë apel myslimanëve të varfër dhe të papunë të Bosnjës.

Sipas të dhënave zyrtare, Bosnja është një nga eksportuesit kryesorë në rajon të xhihadistëve në Lindjen e Mesme.

(https://www.reporter.al/isis-kercon-kryeqytetet-e-ballkanit-me-fushate-terrori/)