ISIS-i detyroi jazidet shtatzëna të abortonin

«Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut» ka detyruar gratë shtatzëna, që i mbanin si skllave seksi, të abortonin, kanë dëshmuar të martën tri jazide që kanë arritur të arratisen prej kampeve të tmerrit të mbikëqyrura prej ISIS-it.




Pas rrëmbimit të qindra vajzave e grave prej shtëpive të tyre në krahinën irakian Sinjar gushtin e kaluar, luftëtarët e ISIS-it i rrethuan vajzat në «pazare skllavërie», ku kapeshin vajzat që do të përdoreshin për epshet seksuale të militantëve. Grupi terrorist ishte i vendosur të përdorte përdhunimin si armë lufte – duke sjellë gjinekologë, që u tregonin militantëve se cilat prej vajzave ishin të virgjra, përcjell sot «Koha Ditore» raportin e CNN-it.

Bushra, 21 vjeçe, ka thënë se ka parë me sytë e saj si si janë ekzaminuar vajzat për të marrë vesh nëse ato ishin shtatzënë. Ato që ishin në pritje të fëmijëve, detyroheshin të abortonin.

«Një prej shoqeve të mia ishte shtatzënë», kujton Bushra. «Fëmija kishte rreth tre muaj në mitër. Ata e dërguan në një dhomë tjetër. Ishin dy mjekë aty që e detyruan të abortonte».

«Pastaj e kthyen. E pyeta çfarë ndodhi dhe si e kishin kryer abortin. Ajo më tha se mjekët i kishin thënë ta qepte gojën», ka shtuar ajo. Bushra ka rrëfyer se si shoqja e saj kishte gjakderdhje që nuk i ndalej, saqë nuk mund të ecte e fliste.