Ishujt e vërtetë të Sarandës

Ditari i Sarandës (5)

Gjiri i Kakomesë. Foto: E.R.

Në mesin e turistëve që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia në Sarandë është bërë trend: duhet të shkosh në Ksamil «te tre ishujt». Po nuk shkove, s’ke qenë në pushime fare, s’ke çfarë të tregosh, s’ke çfarë të postosh në Facebook apo Instagram, s’ke çfarë të komentosh me shoqëri e farefis. Në fundjavë numri i pushuesve në Ksamil shumëfishohet, rrjedhimisht edhe rrëmuja shpesh bëhet e padurueshme dhe ia heq magjinë kësaj pjese të bregdetit shqiptar. Edhe më shumë magjinë ia ka hequr zonës së tre ishujve një hajvan që e ka gërryer, hëngër, përpirë gjysmën e njërit prej ishujve. Ksamili prej vitesh nuk i ka tre ishuj, por dy e gjysmë. Kjo pamje të vret syrin – çdo vit.

Si mund t’i shpëtohet kësaj rrëmuje, kësaj pamjeje? Ka një zgjidhje, jo ka shumë zgjidhje: mund të kaloni deri në dy javë në Sarandë pa shkuar te tre ishujt. Sepse Saranda ka shumë perla të tjera, nëse përdorim një fjalë që shqiptarët e Shqipërisë jo rrallë e thonë vend e pa vend. «Ishte perlë fare», thotë njëri në restorant – dhe fjalën e kishte për një pilaf që e ka gllabëruar diku bashkë me një sahan me kos.

Perlë, thesar, xhevahir, margaritar, rubin – të gjitha këto fjalë mund të përdoren në kontekst të rivierës së jugut. Rruga më e lehtë për të ikur nga Saranda është të shkoni në Lukovë. Një plazh i gjatë dhe pak i populluar, me disa lokale sa për t’u ushqyer thjeshtë – në fakt kuzhina jeton nga thjeshtësia, sidomos kur është verë në Sarandë: domate, kripë, peshk, bostan, pjepër. (Kjo tradita e shumë restoranteve në Shqipëri që në fund të drekës a darkës të sjellin një tepsi me bostan, pjeshkë dhe pjepër duhet të shtrihet edhe në trevat e tjera shqiptare, urgjentisht).

Një rrugë tjetër për të ikur nga Saranda është të vazhdoni rrugën përtej Lukovës dhe të ndaleni te plazhi i Bunecit – një vend i qetë, pothuajse i shkëputur nga bota dhe civilizimi i zhurmshëm, me det të pastër dhe me banorë të përzemërt.

Mund të shkohet edhe në Kakome, nëse disi merreni vesh me rojtarin te porta. Të merresh vesh domethënë t’i paguash diçka. Bonusi i shqiptarit nga Kosova (kosovarit!) të ndihmon, nëse s’jeni arrogant. Gjiri i Kakomesë, në fakt, është pronë private. Një biznesmen shqiptar po mendon të investojë diçka aty. Për turistët është shansi i fundit për ta parë Kakomenë para se të mbulohet me ndërtime. Të shpresojmë me shije. Pamja e Kakomesë t’i harxhon të gjithë superlativët. Është bukur, pa fund bukur. Në plazh s’gjen më shumë se 20 pushues. Aty ende qëndron një mol, të cilin e ka ngritur ushtria britanike në Luftën e Dytë Botërore kur zbarkoi për të luftuar gjermanët që kishin pushtuar Shqipërinë.

Plazhi i Manastirit, i Pulëbardhës, i Pasqyrës janë po ashtu tri alternativa të radhës, rrugës për në Ksamil, por mund të ndodhë të jenë tepër të populluara.

Dhe në fund një rrugë tjetër që të çon në Krorëz. Dhe mbetet për t’u bërë. Nga deti apo përmes tokës (nga Lukova). «Krorëza është ndër plazhet më të bukura jo vetëm të bregdetit shqiptar», thotë Nëntor Oseku. Ec e mos i beso pastaj Nëntorit…