«Isha rreth gjashtë vjeç kur mora një kitarë…»

«Jam i mahnitur me historinë e muzikës klasike që e ka Izraeli», thotë kitaristi Petrit Çeku, i cili nga data 12 deri më 16 korrik do të marrë pjesë në Festivalin e Zërit të Muzikës në Izrael, shkruan «Jerusalem Post».

Petrit Çeku, kitarist.

Petrit Çekut i vjen mirë që është në vendin tonë. Muzikanti 31-vjeçar është një prej yjeve që ka vendosur të jetë pjesë e edicionit të sivjetshëm të Festivalit Zëri i Muzikës, që do të zhvillohet në Kfar Blum në Galilenë e Epërme prej datës 12 deri më 16 korrik.

Çeku po kërkon energji të reja me rikthimin e tij, bashkë me rikthimin e violinistes holandeze, Rosanne Philippens, çelistin Zvi Plesser, që shërben edhe si drejtor artistik i gjithë ngjarjes kulturore që do të zgjasë për pesë ditë; flautistin Gili Schwartzman; dhe çelistin e ri Haran Meltzer. Çeku ka thënë se ndihet i lumtur që është pjesë e këtij festivali, ku lartësohen veprat më të bukura të muzikës klasike. Pret të zbulojë edhe vepra të tjera të kësaj treve.

«Jam i mahnitur me historinë e muzikës klasike që e ka Izraeli», është shprehur me entuziazëm ai. «Ka muzikë që ka pasur ndikim të madh te unë, muzikë nga Izraeli ose e lidhur me Izraelin».

Mjeshtri i pianos, Daniel Barenboim dhe ai i violinës Itzhak Perlman janë në krye të listës së më të adhuruarve të Çekut.

«Në fakt kam pasur nderin që ta takoja Itzhak Perlmanin kur isha në New York. Është person jashtëzakonisht miqësor dhe fantastik. Kisha përshtypjen se e njihja gjithë jetën», thekson ai.

Si Perlman edhe Çeku herët kishte filluar rrugën e tij në muzikë. «Isha rreth gjashtë vjeç kur mora një kitarë. Mund të kem qenë edhe më i ri. Nuk më kujtohet saktë koha kur nuk kam ditur të luaja me kitarë», thekson ai.

Dhe kjo ishte zgjidhje e natyrshme për artistin. «Kitara kishte kohë të gjatë që ishte instrument i shtëpisë sonë», kthehet në kohë Çeku. «Babai im kishte nisur të luante me kitarë kur ishte fëmijë. Megjithëse ishte muzikant amator, kishte studiuar ekonominë, por gjatë kohës së studimeve ishte mësuar t’i binte kitarës. Dhe kështu hyra në këtë botë të panjohur të kitarës klasike. Është një univers i vogël brenda muzikës klasike».

Ai thotë se ndjen sikur ka lindur me kitarë në dorë, por për pak kohë sikur e kishte humbur rrugën e muzikës klasike.

«Kam dëgjuar edhe pop dhe rock, por për njëfarë kohe sa isha fëmijë, luaja për gjithçka që më rrethonte. Nuk kisha ndonjë preferencë. Nuk kisha shije për muzikë klasike derisa po rritesha», thekson ai.

Por ishte babai i Çekut që ishte kujdesur që ta mbante talentin dhe përqendrimin e të birit të fokusuar në një fushë.

«Babai im kishte mënyrën e tij të ndikimit te unë, që tani e kam kuptuar se ishte më e rëndësishme se sa e kisha menduar atëherë», shprehet ai.

Babai s’kishte pse të brengosej sepse i biri tashmë kishte nisur të joshej prej gjigantëve të periudhës baroke.

«Kur isha 12 vjeç, nisa të merresha me muzikën e Bachut, dhe po kënaqesha me harmoninë. Ishte muzika më e çmuar që më kishte bërë për vete. Kështu që kur nisa të rritesha me këtë harmoni, u zhyta në atë botë dhe nuk doja të dilja», shton Çeku me qeshje.

Kitaristi kishte kaluar kohën e tij duke eksploruar pjesët më të bukura të muzikës klasike, por thekson se mundohet të mbajë këmbët në tokë dhe të shohë se çfarë po ndodh rreth e përqark.

«Mundohem të mos e marr muzikën si njëfarë burimi të statusit social. Kështu që kur dëgjoj muzikë pop ose rock, nuk ndihem superior. Është thjesht diçka krejtësisht e ndryshme. Më pëlqen muzika rock e pop, por nuk është shumë e veçantë, nuk është se më fle si muzika klasike», vëren ai.

Çeku kishte nisur të merrej në mënyrë serioze me muzikën në shkollën e muzikës në moshën nëntëvjeçare, por tashmë kishte disa përparësi në krahasim me bashkëmoshatarët.

«Tashmë dija të luaja disa prej veprave klasike të Francisco Tarregas (kompozitorit spanjoll të fillimshekullit nëntëmbëdhjetë). I vazhdova studimet në Kroaci në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Kjo kishte rëndësi të madhe për mua. Isha larg prindërve dhe shokëve. Kroacia është vendi që ka formësuar identitetin tim muzikor», shton Çeku.

Kur ishte regjistruar në Akademinë e Muzikës në Zagreb, rioshi kishte përfituar prej stilit instrumental dhe urtësisë së njerëzve si Xhevdet Sahatxhija, që qëndronte prapa çdo lëvizje të djaloshit.

«Ai është pedagog shumë i rëndësishëm në Kroaci», thekson Çeku, duke treguar se një tjetër pedagog kishte ndikim të themeltë në zhvillimin e tij fillestar në muzikë.

«Darko Petrinjak është një prej njerëzve më të rëndësishëm për kitarën klasike në Europë. Është shumë i rëndësishëm për botën e kitarës klasike në përgjithësi sepse kitaristët e kitarës klasike nga Kroacia fitojnë shumë gara anembanë botës, dhe shumë prej tyre kanë studiuar me Petrinjakun», shpjegon Çeku.

Ushtrimet e Çekut realizohen edhe me kitaristin e njohur kuban, Manuel Barrueco, në Konservatoriumin e Baltimore-it në Maryland.

Muzikanti ka shënuar sukses të madh edhe vetë. Ka fituar gara për kitarë dhe instrumente me tela në SHBA, Itali, Gjermani e Kroaci. Ai ka nxjerrë edhe disa CD, e fundit prej të cilave është publikuar vjet dhe ka edhe vepra të Bachut të interpretuar prej Çekut.

Çeku ende nuk ka provuar të kompozojë vetë – ai thotë se ka kohë të mjaftueshme të mendojë për këtë punë – megjithëse thekson se stili i tij përfshin etos të gjerë.

«Këtë punë po mendoj ta lë për ditët e pleqërisë», qeshet ai. «Kontakti im fillestar me muzikën ka qenë fort improvizues, dhe improvizimi është pjesë goxha e rëndësishme e kompozimit gjithashtu. Në fakt është njëfarë rruge muzikore për të krijuar muzikë. Kur isha i ri, isha edhe më i përfshirë në këtë punë. Improvizoja muzikë. Nuk e di çfarë cilësie kishin ato muza, por provoja».

Ai tash mund ta ketë arritur aty ku nuk mund të konsiderohet i ri në këtë zanat, por Çeku është adhurues i madh i njerëzve më të njohur të kësaj fushe.

«Duket se po mbesin gjithnjë e më pak kitaristë të gjeneratës së vjetër. Ata njëmend më mungojnë. Mendoj se është fort e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të luajnë me kitarë deri në fund të jetës. Mendoj se jemi përqendruar shumë te mahnitja që vjen me brezin e ri», thekson 31-vjeçari. «Muzikantët bëhen gjithnjë e më të regjur e më të mirë me kalimin e viteve. Daniel Barenboim (73 vjeç) po luan muzikën më të mirë të jetës. Ai thotë se kurrë nuk ka qenë më i mirë teknikisht, sepse di si t’i lodrojë duart».

Çeku demonstron shkathtësi mbresëlënëse, që do t’i demonstrojë edhe në Kfar Blum, kur do të kontribuojë me performanca me veprat e Handelit, Schubertit dhe Boccherinit. Aty do të ketë edhe vepra të tjera mjeshtërore, përfshirë «A Soldier’s Tale», me bas-kitarist-vokalistin Eran Zur, që shërben si narrator i teksteve të Janacekut dhe Edgar Allan Poes. Dhe koncerti «Violins of Hope» ka anëtarët e «Jerusalem Cameratas» dhe solistët që luajnë me instrumentet që u takonin viktimave dhe të mbijetuarve të Holokaustit, që ishin mbledhur dhe ruajtur me përkushtim prej prodhuesit të violinave në Tel Aviv, Amnon Weinstein.