Ish-shefi i Ushtrisë së Zvicrës kritikohet për një udhëtim në Kosovë me avion qeveritar

Pak para dorëheqjes si shef i Ushtrisë së Zvicrës André Blattmann ka udhëtuar në Kosovë bashkë me disa parlamentarë. Qëllimi i vizitës? Festa e Krishtlindjeve. Por politikanët zviceranë nuk kanë fjetur në hotel, por në kampin ushtarak në Prizren.

Avioni i qeverisë së Zvicrës.



Në nëntor të vitit të kaluar 11 politikanë zviceranë udhëtuan në Kosovë. Ata nuk shfrytëzuan linjat civile për të fluturuar nga Zürichu në Prishtinë, por aterruan në Aeroportin e Sllatinës me avion të qeverisë së Zvicrës. Ky udhëtim u kushtoi taksapaguesve zviceranë 34 mijë franga. Në mediat zvicerane ky udhëtim u kritikua ashpër.

Tani stuhia e kritikës po drejtohet kundër André Blattmann, i cili deri në fund të dhjetorit ka qenë shef i Ushtrisë së Zvicrës. Në këtë cilësi ai më 22 dhe 23 dhjetor udhëtoi në Kosovë me avion qeveritar. Bashkë me Blatmann ishin edhe një deputete socialdemokrate dhe dy deputetë të partisë populliste SVP, e cila angazhohet për tërheqje të trupave zvicerane nga Kosova.

Qëllimi i udhëtimit, sipas zëdhënësit të Ushtrisë së Zvicrës, ishte vizita tradicionale për Krishtlindje në komandën e KFOR-it në Kosovë. Zëdhënësi tha se fluturimi ishte brenda buxhetit të planifikuar, ndërsa delegacioni kishte fjetur në kampin ushtarak në Prizren, rrjedhimisht nuk ishin harxhuar para shtesë nga buxheti. Gazeta «SonntagsZeitung» supozon se udhëtimi në Kosovë i parlamentarëve kishte për qëllim t’i bind ata për rëndësinë e pranisë së ushtarëve zviceranë në Kosovë. (-lli)