Ish-refugjatët e Ballkanit kthehen për të ndihmuar migrantët sirianë

Viktimat e luftërave të ish-Jugosllavisë, të cilët e kanë përjetuar edhe vetë largimin e detyruar nga shtëpia, po bashkohen dhe po mbledhin fonde për të ndihmuar ata që tani po kalojnë të njëjtën situatë.




Gjëja e parë që pa Vanja Crnojeviç, e cila jeton në Zvicër, ishte një video në Facebook. Në të shfaqej policia maqedonase që po mbyllte kufirin për refugjatët, duke përdorur gaz lotsjellës për të ndaluar ata që donin të kalonin.

Crnojeviç, 37 vjeçe, e cila u largua nga Bosnja në fillim të luftës 1992-1995 në moshën 12 vjeçe, priti një lajmi të ngjallte një reagim, një konferencë për shtyp, një protestë masive në rrugë, apo një kryengritje. Por asgjë nuk ndodhi.

Një javë më vonë ajo qe në Preshevë, komunën më në jug të Serbisë, banuar kryesisht nga shqiptarët etnikë, duke blerë batanije për të mbuluar fëmijët që flinin në trotuare.

Dy kampe të improvizuar i presin ata për pak kohë, përpara se të largohen drejt Hungarisë.

Vanja ka lindur në Maglaj, një qytet i vogël që i përket sot entitetit të Federatës së Bosnjes.

«Fëmijëria ime në Maglaj ishte si një përrallë», kujton ajo, duke folur për gjyshin, gjyshen, hallat dhe të tjerë. Me të njëjtin pasion ajo liston emrat e miqve nga ish-Jugosllavia të cilëve iu desh të largoheshin nga vendi për shkak të luftës ose vështirësive.

Këta miq, të cilët tani jetojnë në Zyrih, Dada Dijamant nga Bosnja, Sandi nga Serbia dhe disa miq shqiptarë, u bënë bashkë për të mbledhur para dhe ndihmë për refugjatët.

«Gjatë luftës në Bosnje, Dada kaloi disa dytë në pyje. Një myslimane, ajo u largua me tre fëmijë në Zvicër më këmbë. Sandi dhe unë qajmë kur kujtojmë ato kohë,» thotë Vanja.

Vanja hapi një faqe Facebook të quajtur FluchtlingsHilfe HOVIS (që njihet me emrin lidhja Pakufi) dhe filloi të mbledhë para nga 28 gushti. Ajo nuk kishte një llogari bankare ndaj njerëzit shkuan dhe ia lanë paratë në vend ose ia dërguan me postë.

«Në shtatë ditë, ne mblodhëm 2700 franga zviceriane [rreth 2500 euro]. U mblodhëm së bashku, Sandi nga Serbia, Dada që ishte dëbuar nga serbët dhe unë, e të tre filluam të planifikonim si të ndihmonim sirianët që largoheshin nga lufta,» thotë ajo.

Me paratë, ajo bleu batanije dhe ushqim në Preshevë. Natën e parë në Preshevë, ajo pa se çfarë mund të bëhej.

Fëmijë dhe foshnje që shtriheshin në rrugë, shpesh me vetëm një çantë, të rraskapitur. Atë natë ajo ëndërroi rreth vargonit të mallrave dhe refugjatëve.

«Lufta të bën ta humbasësh kontrollin. Tani ne i shohim refugjatët që buzëqeshin dhe janë pozitivë, por është e gjitha një shok. Sapo mbërrijnë në destinacionet në BE, makthi do të vijë dhe do t’i prekë. Nuk i shpëton luftës, po e përjetove,» thotë Vanja.

«Ata shkatërrojnë shtëpinë dhe vendin tënd dhe ti pyet veten kush je. Duhet të zgjedhësh por nuk di si dhe çfarë,» shtoi ajo.

Ajo kujton historitë  nga bashkatdhetarët e saj rreth qytetit të lindjes Maglaj, që u bë skenë luftimesh të forta mes serbëve, kroatëve dhe myslimanëve gjatë luftës në vitet ’90.

Qyteti ishte në një bllokadë për nëntë muaj dhe e vetmja rrugë për të mbështetur njerëzit ishte ushqimi i hedhur nga ajri.

Gjatë 72 orëve që ajo kaloi në Preshevë, ia doli të organizojë blerje ushqimin dhe shpërndarjen e tij, të vizitonte një kamp në Miratovaç dhe Preshevë gjatë ditës. Gjatë natës vizitoi rrugët e refugjatëve, të buzëqeshnin, qeshnin ose qanin.

Muhammad dhe Aref, kurdë të rinj nga Turqia, i kërkuan të mos qante për ta.

Ata i ofruan cigare dhe një bisedë disa minuta për gjithçka, përfshirë se në cilat vende ishte më mirë të shkoje, Norvegji dhe Austri. Ata donin të bënin foto me Vanjën. «Nuk do ta harrojmë kurrë këtë,» thanë ata.

Çdo gjë që ajo bëri për të ndihmuar në një periudhë kaq të shkurtër do të ishte e pamundur pa ndihmën e aktivistëve vendas nga Zyra e Rinisë së Preshevës.

Valon Arifi, një vendas është vullnetar nga kjo zyrë që ndihmon refugjatët që nga fillimi.

U bënë muaj që ai dhe kolegët e tij janë dëshmitarë e një prej eksodeve më të mëdha në historinë njerëzore.

Valon ishte një refugjat në vitin 1999 kur NATO po bombardonte Serbinë.

Kur ishte 15-vjeç, ai kaloi tre ditë vetëm në shtëpi me qenin. Familja e tij u largua në qytetin maqedonas të Kumanovës dhe atëherë Valon u kujtua se kishin lënë qenin vetëm dhe u kthye në shtëpi. Ai u largua nga Kumanova dhe u kthye në Preshevë, pas tre ditësh ata u ribashkuan me familjen e tij teksa bëri më këmbë rrugën për në Kumanovë në Maqedoni dhe më pas në Shqipëri.

Sot ai është aty ku duhet të jetë, duke ofruar ndihmë.

Ka edhe të tjerë si ai, 16 vullnetarë punojnë çdo ditë në Zyrën e Rinisë në Preshevë dhe njerëz të papritur shfaqen vazhdimisht nga pjesë të ndryshme të Europës.

Besnik dhe Baftir Nuredini janë vëllezër, me origjinë nga Gostivari në Maqedoninë perëndimore. Tani ata jetojnë në Zvicër ku kanë një servis makinash.

Ata kanë ardhur në Preshevë së bashku me një mik, Ujkan Idrizin, avokat nga Gostivari.

Ashtu si Vanja, ata filluan të mbledhin para për refugjatët sirianë në vendin e punës. Klientët që riparonin makina linin disa para. Vetëm pak ditë më vonë mblodhën 4100 euro.

Ata shkuan së pari në kampin Gevgelija në Maqedoni në kufi me Greqinë. Ata përgatitën 1300 pako, secila me nga 10 artikuj, shpërndanë 900 pako në ditën e parë dhe 400 në të dytën.

Për Preshevën ata përgatitën 430 pako, të gjitha të shpërndara brenda natës.  Ata blenë jastëkë, ushqim, ujë dhe lëngje, farcoleta, lodra për fëmijët dhe shumë batanije.

Meqenëse dyqanet në Preshevë nuk kishin mjaftueshëm mallra që i duheshin refugjatëve, Ujkani, Besniku dhe Baftiri u larguan për t’i gjetur në vend tjetër. Ata do të sjellin 10,000 deri në 16,000 euro kur të kthehen.

Vanja gjithashtu po planifikon të kthehet, këtë herë e mobilizuar me tualete për refugjatët.

Ajo është e zemëruar që paratë e dërguara nga shtetet e BE si ndihmë nuk menaxhohen siç duhet. Tualetet nuk janë të organizuar për mijëra personat që kanë nevojë.

«Asnjë nga zyrtarët e bashkisë nuk ka menduar rreth tualetëve të lëvizshëm në rrugë. Është dikush në dijeni se mund të çojë në epidemi?» pyet ajo.

Ndërkohë një organizatë humanitare në Bosnja krijuar vitin e shkuar gjatë përmbytjeve, Pomzi.ba, ka organizuar 100 ton ushqime për refugjatët në Serbi, 20 ton prej të cilave do të shkojnë në Preshevë. Valon thotë se ai pret ndihmë nga Kroacia në ditët e ardhshme.

http://www.reporter.al/ish-refugjatet-e-ballkanit-ndihmojne-migrantet-siriane/

[BIRN Albania, Reporter.al]

Foto: Photoman29 / Shutterstock.com