Ish-kryeministri Gruevski rrezikon të dënohet me burg

Ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski mund të kalojë deri në 27 vjet pas hekurave nëse shpallet fajtor në pesë çështje të ngritura kundër tij nga Prokuroria Speciale.

Nikola Gruevski. Foto: MIA



Kreu i partisë së djathtë VMRO DPMNE, ish-kryeministri Nikola Gruevski mund të përballet me burg deri në 27 vjet nëse shpallet fajtor për pesë çështjet për të cilat akuzohet nga prokuroria speciale, SJO.

Para mbarimit të mandatit të prokurorisë speciale më 1 korrik, SJO e ka akuzuar Gruevskin për pesë çështjet të koduara me emrin «TNT», «Titanik», «Traktorija» dhe «Shamari».

Në çështjen e parë, «TNT», SJO e akuzon Gruevskin për «shpërdorim detyre», për të cilin dënimi maksimal është tre vjet burg.

Në këtë çëshjte, ai dyshohet se ka urdhëruar prishje të një ndërtese, që po ndërtohej nga ish-aleati i tij politik, Fijat Canovski, si një akt hakmarrjeje politike pasi partia e Canovskit, Partia për të Ardhmen Europiane, PEI, u largua nga koalicioni i udhëhequr nga Gruevski.

Dosja e dytë, e koduar me emrin «Titanik», është shumë më e ngatërruar dhe akuzon Gruevskin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë në VMRO DPMNE për mashtrim gjatë zgjedhjeve në vitin 2013.

Në këtë rast, Gruevski akuzohet në tre aspekte: organizatë kriminale, ku ai përballet me një dënim nga një deri në pesë vjet burg; shpërdorim i aseteve gjatë një fushate zgjedhore, për të cilën dënimi më i ulët është pesë vjet; shkelje e lirisë së zgjedhësve ku dënimi minimal është tre vjet burg.

Në çështjen e tretë, «Traktorija», Gruevski akuzohet se ka përfituar duke ndikuar në mënyrë të paligjshme ku ligji dënon një deri në tre vjet burg.

Për këtë çështje, SJO ka paditur Gruevskin dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët besohet se kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik duke dhënë një kontratë prej 570 milionë euro për të ndërtuar dy segmente autostradash te një kompani ndërtimi kineze.

Në rastin e katërt, «Tank», Gruevski përballet me një aktakuzë identike me atë në «Traktorija», e cila mund t’i shtojë nga një deri në tre vjet burg, nëse shpallet fajtor.

Çështja lidhet me blerjen e një limuzine luksoze prej 575,000 eurosh që dyshohet se u bë për të kënaqur dëshirat personale të Gruevskit.

Për më tepër, Gruevski tashmë është në gjyq për një çështje të pestë të quajtur «Shamari», ku akuzohet se ka urdhëruar një sulm ndaj një kryebashkiaku të opozitës dhe selisë së tij në vitin 2013. Ai akuzohet se ka nxitur një vepër penale kundër rendit publik, për të cilin dënimi është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Duke mbledhur dënimet maksimale me burg për të gjitha çështjet së bashku, teorikisht, Gruevski mund të përballet me 27 vjet burg.

Ai gjithashtu është i dyshuari kryesor në një nga hetimet më të mëdha dhe më të ngatërruara që SJO nisi më 22 maj nën emrin e koduar «Talir».

Këtu, Gruevski dhe dhjetë anëtarë të tjerë të partisë së tij, dyshohet se kanë financuar ilegalisht ish-partinë në pushtet duke pastruar paratë.

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva të enjten tha se SJO nuk do të ngrinte aktakuza në këtë çështje për momentin, por do të vazhdonte investigimin.

VMRO DPMNE i ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij duke thënë se ishte një lëvizje klasike politike, anti-maqedonase që synonte të rrëzonte 100 persona të lidershipit të partisë së tij.

(https://www.reporter.al/ish-kryeministri-gruevski-rrezikon-te-denohet-me-burg/)