Ish-diplomati austriak Wolfgang Petritsch kundërshton tarifat doganore kundër Serbisë dhe themelimin e ushtrisë së Kosovës

Wolfgang Petritsch ka zbuluar se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi kanë vendosur gjatë verës të shqyrtojnë shkëmbimin e territoreve. Diplomati austriak ka bërë thirrje për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Ai pranon se ndarja nuk është zgjidhja më e mirë, por e mbështet atë.

Wolfgang Petritsch.



Në një intervistë me gazetën austriake «Kurier» Wolfgang Petritsch, ish-diplomat austriak dhe ish-ndërmjetës i BE-së në konfliktin e Kosovës në fund të viteve ’90, i ka quajtur tarifat 100-përqindëshe të Kosovës ndaj prodhimeve serbe «më shumë një çështje të brendshme kosovare se sa reagim ndaj politikës serbe». Sipas tij, në Prishtinë ekzistojnë kundërthënie të mëdha mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. «Presidenti Thaçi bashkë me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq kanë vendosur gjatë verës të shqyrtojnë shkëmbimin e territoreve për njohje të ndërsjellë. Në Kosovë shkëmbimi hidhet poshtë nga kryeministri, por me gjasë edhe nga shumica e popullsisë. Kryeministri Haradinaj po i përdorë tarifat si armë politike. Kjo është kundër CEFTA-s, edhe Brukseli po kërkon heqjen e tyre», tha Petritsch, i cili punon për një zyrë avokature në Vjenë, e cila këshillon qeverinë serbe. Mediat perëndimore e shohin Petritschin si lobist të palës serbe për ndarjen e Kosovës.

Petritsch kundërshtoi edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës. Kjo, sipas tij, është keq për dialogun. Ai i ka bërë thirrje kryediplomates së BE-së që të reagojë më ashpër – «të nxisë dialogun, hap pas hapi, deri në njohje, Tani është koha për këtë». Petritsch tha se nuk ka shumë kohë, sepse Komisioni i BE-së është në gjendje të veprojë deri në prill. Ai u përpoq të alarmojë duke thënë se pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian në maj Komisioni i BE-së do të ketë përbërje tjetër – me një komisioner të afërt me Viktor Orbanin, një me Matteo Salvinin, Jarosllav Kaczynskin. Komisioni i ri i BE-së, tha Petritsch, do të forcojë rolin e Putinit në Ballkan, kështu që zgjidhja mund të jetë pastaj e largët. Petritsch tha se BE duhet të marrë iniciativën të organizojë një «situatë negociatore», e cila do të zgjaste disa ditë apo javë. Me «situatë negociatore» Petritsch mendon një konferencë ndërkombëtare. Ai pranoi se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhja më e mirë, por tha se duhet gjetur një zgjidhje që ua shpëton fytyrën të gjitha palëve. Ai tha se me vetë faktin që Vuçiqi po mendon për shkëmbimin e territoreve tregon se ai «dikur do të pranojë shtetin» e Kosovës. Petritsch apeloi që në kuadër të zgjidhjes së konfliktit bota perëndimore të angazhohet në mënyrë masive me ndihma ekonomike për rajonin, i cili në vitet ’90 ka qenë i prekur nga spastrimet etnike, ndërsa tani nga spastrimet ekonomike, sepse për shkak të gjendjes së vështirë njerëzit më të kualifikuar po ikin. (dp/-lli)