Ish-deputeti zviceran: «Kjo qeveri e Kosovës e ka shijen e republikës së bananeve»

Politikani Ueli Leuenberger, njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës në Zvicër, është shprehur i zhgënjyer me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Ueli Leuenberger. Foto Nadja Frey



Një revistë zvicerane para disa vitesh e pati përshkruar Ueli Leuenbergerin si «shtëpiak të shqiptarëve», domethënë një njeri që për komunitetin shqiptar në Zvicër kujdeset si të ishte familjar. Gjatë karrierës së tij të gjatë politike Leuenberger ka qenë kryetar i Partisë së Gjelbër të Zvicrës dhe deputet në parlamentin zviceran. Si anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme të parlamentit të Zvicrës ai ka qenë ndër përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës.

Pas paralajmërimeve të fundit në Kosovë për krijimin e qeverisë së re Leuenberger është treguar i dëshpëruar dhe ka drejtuar kritika të rrepta ndaj klasës politike në Kosovë. «Unë do ta përkrahë edhe më tutje Kosovën dhe popullin e saj, atje dhe këtu në Zvicër. Por, sigurisht jo këtë qeveri me shijen e republikës së bananeve», ka shkruar Leuenberger në profilin e tij në Facebook.

Në një postim tjetër ai ka shkruar në frëngjisht: «Kosovë mon amour… quelle tristesse et quelle colère!» («Kosovë e dashur… çfarë pikëllimi e çfarë zemërimi!»)

Nga mesi i viteve ’90 Leuenberger themeloi në Gjenevë Université Populaire Albanaise (Universitetin Popullor Shqiptar), një qendër që vazhdon të ndihmojë në integrimin e shqiptarëve me programe të ndryshme. Ky institucion ka shërbyer edhe si qendër e aktiviteteve kulturore dhe patriotike që nga themelimi.

Leuenberger është angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës që nga vitet ’80. Atëbotë ai takoi Januz Salihin, një të përndjekur të regjimit jugosllav, i cili kishte kërkuar azil në Zvicër. Në vitin 1986 autoritetet zvicerane refuzuan kërkesën e Salihit për azil dhe e kthyen në Jugosllavi. Ky veprim i qeverisë zvicerane ngjalli zemërimin e pafundmë të Leuenbergerit, i cili që nga atëherë mbeti i lidhur me fatin e shqiptarëve nën Jugosllavi. Pas dëbimit në Jugosllavi Salihi u arrestua nga policia, u torturua dhe u dënua me disa vite burg. Ky rast ngjalli reagime edhe në mediat zvicerane dhe nga ana e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të azilkërkuesve. Keqtrajtimi i Januz Salihit çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Jugosllavisë së atëhershme.
E.R.