ISEAL promovon në Lozanë katër botimet e fundit

Në një sallë të mbushur përplot, Instituti Zviceran për Studime Shqiptare, ISEAL, bëri paraqitjen e botimeve të veta më të reja para publikut zvicerano-shqiptar.

Instituti Zviceran për Studime Shqiptare prezenton botimet e tij të fundit në Lozanë.



Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare në Lozanë, të shtunën e 21 janarit 2017, në një sallë përplot pjesëmarrës i prezentoi katër botimet e tij më të reja: «L’evolution de l’image des albanais dans les médias en Suisse» / Image-Entwicklung der Albaner in den Schweizer Medien», «Différences identiques. Essai sur la traduction», «Les Albanais du 3ème âge en Suisse».

Në mesin e të pranishmëve spikati drejtori i Qendrës Universitare të Kërkimeve Letrare për Zvicrën franceze në Universitetin e Lozanës, Daniel Maggietti, profesori dhe skenaristi me renome ndërkombëtare, Antoine Jaccoud, producenti më me nam zviceran, Jean-Louis Porchet, përgjegjësja e kantonit Vaud për integrim, Amina Benkais, përgjegjësja e qytetit të Lozanës për integrim, Gabrielle Amarelle, koordinatorja e Zvicrës franceze të EPER, Magaly Hanselmann, dekani në shkolla të Lozanës, Christophe Blanchet, autorja, Catherine Lovey, shefi i arkivave të qytetit të Lozanës, Frederic Sardet, përgjegjësi i kantonit për mediacion, Christian Raetz, përgjegjësi i Qendrës për Kthim të kantonit Vaud, Thierry Charbonnay e shumë të tjerë.

Nga ana shqiptare, organizimin e nderuanambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca, konsulli i Kosovës në Gjenevë, Benjamin Nikoliq, Prof. Astrit Leka, Dr. Igli Tashi, Dr. Gëzim Dushi, anëtari i nderit të ISEAL-it, Rexhep Rifati e shumë të tjerëve.

Një pikë muzikore, që u pëlqye nga publiku, e interpretuar në mënyrë brilante nga Fatjeta Bardullushi dhe e përcjellë me kitarë nga Ilir Bytyqi, e nisi mbrëmjen. Pastaj Driton Kajtazi, drejtor i ISEAL-it, e hapi takimin duke përshëndetur personalitet e pranishme.

Në emër të qytetit të Lozanës, fjalën e mori Oscar Tosato. Ai shpjegoi se si u desh t’i lexonte të tre librat që të mund ta përgatiste paraqitjen e tij. Tosato foli në mënyrë të thuktë për secilin botim, duke shprehur edhe tërë admirimin e tij për punën e ISEAL-it dhe të autorëve të këtyre librave. Oscar Tosato foli edhe për bashkëpunimin e veçantë që qyteti i Lozanës ka me ISEAL-in.

Edhe ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca, u paraqit me një fjalim. Ajo, ndër të tjera, shprehu gëzimin e saj për sukseset e ISEAL-it dhe për këto botime me rëndësi. Ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, në fjalimin e tij, theksoi rëndësinë e veçantë që kanë këto botime dhe kërkimet për shqiptarët e Zvicrës, por edhe për vendet e prejardhjes.

Kryetari i Nderit të ISEAL-it, Francis Cousin, ish-ambasador i Zvicrës në Shqipëri, e mori fjalën për të përshëndetur në emër të Bordit Drejtues të ISEAL-it dhe të Kryetarit të Bordit, Dr. Régis Marion-Veyron, i pranishëm po ashtu në sallë. Cousin shkëlqeu me fjalën e tij në gjuhën frënge dhe shqipe.

Më pas, Dr. Olivier Meuwly, autor i parathënies së librit «Evolucioni i imazhit të shqiptarëve në mediet zvicerane» (botime të ndara në gjuhët frënge dhe shqipe) e hapi debatin mbi zhvillimin, apo ndryshimin e imazhit të shqiptarëve në mediet zvicerane. Dr. Meuwly, anëtar i Bordit Drejtues të ISEAL-it dhe kuadër i lartë në Kantonin Vaud, foli edhe për peshën që shqiptarët e kanë në Zvicër.

Bashkautori i botimit në fjalë, Alain Maillard, u shpreh mirënjohës për mundësinë që të realizojë këtë studim. Ai, pas një pasqyrimi të kërkimit dhe botimit të librit, kujtoi edhe librin e tij të botuar për kosovarët në viteve ’90, së bashku me Ouly Leuenberger, parlamentar dhe kryetar i Partisë së të Gjelbërve në Zvicër. Alain Maillard foli edhe në emër të bashkautorit të këtij libri, Kujtim Shabani, i cili, për shkaqe shëndetësore, nuk mundi të ishte i pranishëm në kë promovim.

Driton Kajtazi, autor i librit «Dallime identike, ese mbi përkthimin», duke cituar shprehjen «nëse shkruaj si flas, edhe nëse flas shumë mirë, do të shkruaj jo mirë», nuk u ndal të fliste shumë për librin e tij, por, në cilësinë e drejtorit të institutit, shpjegoi se si rrodhi botimi i këtyre librave, duke shpjeguar se për secilin libër kanë kontribuuar me dhjetëra njerëz. «Është rezultat i një kontributi kolektiv dhe jo vetëm i punës individuale të autorëve», u shpreh Kajtazi. Ai i falënderoi të gjithë personat dhe organizatat që kontribuuan në realizimin e këtyre botimeve. Nominalisht u përmendën prof. dr. Laurent Matthey, Dr. Olivier Moeuwly, prof. dr. Claudio Bolzmann, prof. dr. Naim Jerliu e Dr. Régis Marion-Veyron për kontributet e tyre në botimet e tjera të ISEAL-it, që u paraqitën në këtë mbrëmje. Një falënderim të veçantë Kajtazi shprehu edhe për personat që kontribuuan për librin e tij: Prof. dr. Edo Poglia nga Universiteti i Luganos, prof. dr. Doris Jakubec nga Universiteti i Lozanës dhe Prof. dr. Basil Schader nga fakulteti i Edukimit në Cyrih.

Prof. dr. Jérôme Favrod foli mbi bashkëpunimin që ai dhe kolegët e tij e kanë filluar me ISEAL-in në një botim që do të bëhet javët e ardhshme dhe për një sërë aktivitetesh.

Një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe prof. Astrit Leka.

Në fjalën përmbyllëse, Driton Kajtazi i njoftoi të pranishmit për disa botime, që ISEAL-i i ka në fazën e përfundimit, për aktivitetet e rregullta dhe për disa bashkëpunime të reja me institucione të ndryshme që ISEAL-i ka këtë vit.

Fillon me një pikë mizikore.
Driton Kajtazi, protagonisi i ngjarjes, prezanton botimet…
Alain Maillard, njëri prej autorëve të botimeve.
Kryetari i Nderit të ISEAL-it, Francis Cousin, ish-ambasador i Zvicrës në Shqipëri, përshëndeti në frëngjisht dhe në shqip.