Iseal inauguroi ndërtesën e vet në Lozanë

«Asnjë komunitet i të huajve në Zvicër nuk arriti të bëjë atë që realizoi Iseal», theksoi i pari i zgjedhur i qytetit të Lozanës, Oscar Tosato.

Në ambientet e godinës së re të ISEAL-it



Instituti Zvicëran i Studimeve Shqiptere inauguroi më 24 shtator 2015 ndërtesën e tij në Lozanë. Ndërtesën e vogël me katër kate e ka në dispozicion Instituti Zvicëran i Studimeve Shqiptere falë bashkëpunimit me qytetin e Lozanës. Ajo i mundëson Institutit të zhvillojë në kushte të mira katër sektorët e saja: Kërkimet, Botimet, Mësimdhënien dhe Qendrën e Dokumentimit.

Në mbrëmjën e inaugurimit, në mesin e 50 personave të ftuar kishte njërëz nga ana të gjitha horizontet si : Prof. Dr. Etienne Piguet, zv. kryetar i Komisionit të Konfederatës Zvicërane për të Huajt; Prof. Dr. Laurent Matthey nga universiteti i Gjenevës; Dr. Olivier Meuwli; Christophe Blanchet, dekan në shkollat e Lozanës, Gabriela Amarelle, përgjegjëse e integrimit të qytetit të Lozanës, Dr Igli Tashi, Prof Besnik Camaj, etj.

Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, z. Ilir Gjoni dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Zvicër, z. Ramadan Avdiu nderuan inaugurimin me praninë e tyre. I pranishëm ishte edhe Prof. Dr. Naim Jerliu, i cili ishte i ftuar nga Instituti edhe për dy paraqitje në kuadër të një cikli të moduleve me temën: «Pensionimi, hov i ri i integrimit».

Inaugurimi filloi me disa pika muzikore me saksofon e klarinetë nga Alban Lishi, përgjegjës i shkollës së muzikës së Institutit «Polifoni Toskë e Gegë». Francis Cousin, Kryetar i Nderit të Institutit Zviceran për Studime Shqiptare e hapi mbrëmjën duke falënderuar të gjitha firmat shqiptare që me punë vullnetare e renovuan ndërtesën e Institutit. Cousin vuri në pah atë se Instituti që nga fillimi vepron me kontributin e anëtarëve themelues, që jo vetëm krijuan fondin nismëtar, por edhe vazhdojnë të punojnë me zell pa asnjë kompensim. Francis Cousin, ish-ambasador i Zvicrës në Shqipëri, përdori metaforen e aeroplanit për të përshkruar punën e Institutit : «Ne kemi ndërtuar një aeroplan, i kemi udhëtarët, e kemi edhe aeroportin me këtë ndërtesë – tani na mbetet të kemi derivati pët të fluturuar.»

Më pas fjalën e mori Driton Kajtazi, drejtor i Institutit. Ai bëri një paraqitje për aktivitetet e tij për vitin 2015 dhe planet për vitin 2016. Kajtazi i falenderoi 12 anëtarët e Këshillit të Fondacioni të Institutit, 11 anëtarët e Nderit, 5 anëtarët e Komitetit Drejtues të Shoqatës së Miqëve të Institutit, 134 anëtarët e tjerë të kësaj shoqate si dhe partënerët e numërt institucional.

Për vitin 2015 Kajtazi veçoi hapjen e tri kurseve të reja: «Gjuhë Shqipe» me profesoreshën Merita Azemi, «Gjuhë Frenge», me profesor Arsim Ferizi dhe «Shkollën e Muzikës» me profesor Alban Lishi. Kajtazi e përshkoi poashtu edhe punën që po bëhet në pregaditjen e shtatë botimeve në gjuhët gjermane, frënge dhe shqipe, si dhe disa projekte të tjera.

Poashtu Driton Kajtazi paraqiti 4 module dhe 4 punëtori të ndryshme që Instituti është duke i realizuar: «Dallime Identike» dhe «Pensionimi, hov i ri i integrimit». Instituti ka mbledhur rreth këtyre projekteve specialistë të fushave të caktuara si: Dr. Rosita Fibbi, Dr. Jean-François De Pietro, Martine Brunschwig Graf, Magaly Hanselmann, Dr. Claudio Bolzman, Kayamba Tshitshi Ndouba, Dr. Olivier Meuwly, Dr. Laurent Matthey, Dr. Naim Jerliu, Shyhrete Rexhaj, Viviane Bérod Pinho, Albulena Gashi, Arben Krasniqi dhe Visar Qusaj. Në fund Kajtazi paraqiti një studim të Institutit, i cili do të përcillet me dy botime në gjuhën frënge dhe shqipe me temën: «Zhvillimi i Imazhit të Shqiptarëve në mediat Zvicërane.»

Zoti Oscar Tosato, i zgjedhuri i parë i qytetit të Lozanës shpjegoi procesin e dhënies së ndërtesës nga qyteti i Lozanës Institutit. Ai shpjegoi sfidat e një veprimi të tillë, pengesat, por edhe vullnetin dhe bashkëpunimin e mirë. Njohja me Driton Kajtazin para 20 vitesh, kur ishte kryetar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lozanës, sot po kurorëzehet me këtë ndërtesë. Oscar Tosato kujtoi herën e parë kur Driton Kajtazi e paraqiti projektin e Institutit dhe pastaj kërkesën për një ndërtesë. «Besoja në Driton Kajtazin, por nuk e besoja se një ditë Instituti do ta bëjë atë që asnjë komunitet nuk mundi ta bëjë në Zvicër. Italianët, spanjollët e portugezët që ishin shumë më herët nuk arritën të krijojnë një strukturë të tillë» dhe shtoi: «Iseal gërshëton anën akademike dhe shkencore me preokupimet ditore të njerëzve».

Fjalën përmbyllëse të takimit e mbajti Dr. Régis Marion-Veyron, kryetar i Këshilli të Fondacionit të Institutitit. Ai u shpreh se «Identiteti është një nocion themelor si në politikë, ashtu edhe në shëndetësi». Sipas tij, Instituti tani është me identitet të fortë dhe me këtë ndërtesë po i lëshon rrënjët edhe më fuqishëm duke qënë poashtu i hapur ndaj të gjithëve».

Fakti se Instituti jo vetëm se bashkëpunon me një numër të madh të institutcioneve, por edhe se ndërtesa e tij shfrytëzohet nga një numër i shoqatave shqiptare dhe jo-shqiptare dëshmon për horizontet e gjëra të tij. Së fundmi ai i ka vënë në dispozicion lokalet e saja edhe për dy shoqata që kujdesen për komunitetet hispanike të Amerikës Latine e të Spanjës dhe për komunitetin luzitan të Portugalisë dhe Brazilit. Instituti ka vendosur të t’i lë hapsirë për aktivitetin e tij edhe një grupi artistësh zviceranë. Pa kompensim.

Mbrëmja përfundoi me disa pika muzikore në piano të shoqëruara nga specialitete ushqimore zvicerano-shqiptare.

drejtori Driton Kajtazi i prezenton projektet e Institutit
drejtori Driton Kajtazi i prezenton projektet e Institutit
Oscar Tosato, i pari i zgjedhur i qytetit të Lozanës - rrëfen njohjen e tij me Institutin
Oscar Tosato, i pari i zgjedhur i qytetit të Lozanës – rrëfen njohjen e tij me Institutin