Irani paralajmëron bojkotimin e Panairit të Frankfurtit sherri i Selman Rushdies

Irani është duke e shqyrtuar mundësinë që të tërhiqet nga pjesëmarrja në Panairin e Librit në Frankfurt, për shkak të Salman Rushdies. Këtë paralajmërim e ka bërë zëvendësministri për çështje kulturore i Iranit, Seyyed Abbas Salehi.




«Vargjet satanike» i Rushdies botuar më 1988 nxiti zemërimin e myslimanëve, që në Iran kulmoi me fatvanë Imam Khomeini, themelues i Republikës Islamike, me të cilën bëhej thirrje për vrasjen e autorit, shkruan sot «Koha Ditore». Organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt javën e kaluar njoftuan se Rushdie do të mbajë fjalimin kryesor në ceremoninë e hapjes së edicionit të 67-të të Panairit, më 13 tetor.

Salehi e ka cilësuar vendimin e organizatorëve të Panairit të Librit në Frankfurt si «hap jokulutor» dhe ka shtuar se «fatvaja e lëshuar nga imam Khomeini është një pikëvështrim religjioz për këtë temë dhe asnjëherë nuk do të tërhiqet». Ai ka kërkuar nga organizatorët e panairit që të anulojnë planet e tyre lidhur me fjalimin e Rushdies.

Irani më herët kishte njoftuar se 12 shtëpi botuese dhe katër unione botuesish do ta përfaqësojnë shtetin në Panairin e Librit në Frankfurt, që do të mbahet midis datave 14 e 18 tetor. Përveç kësaj, dhjetëra botues të pavarur iranianë ishin caktuar të prezantonin ofertat e tyre më të reja në panairin që është një prej ngjarjeve më të mëdha botërore në industrinë e botimeve.
Salman Rushdie do të mbajë fjalimin kryesor në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit në Frankfurt.