Investitorët akuzojnë kryetarin e Gjykatës se ua ndaloi punimet në «mbrojtje të miqve»

Plani për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen «Tophane», në kryeqytet, nuk u ka shkuar ashtu siç e kishin menduar vëllezërit Edmond e Adnan Cërvadiku.




Plani ka mbetur pezull, si pasojë e një vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, raporton KTV.

Gjykata dhe Ministria morën këtë vendim, edhe pse pronarët kishin leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës. Por, krejt kjo, sipas pronarëve, kishte filluar kur fqinjët Jonuz e Halit Maloku, ishin ankuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sipas tyre, ankesa e fqinjëve është aprovuar nga Gjykata Themelore, pasi që, siç thonë ata, janë miq me kryetarin e kësaj gjykate, Hamdi Ibrahimi. Kryetari i Gjykatës Themelore i ka mohuar pretendimet e Cërvadikut.

Por, i ashpër ka qenë reagimi i Ibrahimit, kur është pyetur nga televizioni nëse djali i tij ka për grua vajzën e Ejup Malokut.

Ejupi, vëllai i Jonuz e Halit Malokut ka pranuar se vajza e tij është e martuar me djalin e Hamdi Ibrahimit, por se që të tre kanë mohuar që kjo lidhje të ketë ndikuar në ndonjë vendim lidhur me pronën.

E, në Ministrinë e Mjedisit thonë se ka një arsye pse e anuluan lejen e dhënë nga komuna. Ministria ka thënë se vendimi i Komunës ishte në kundërshtim me planin rregullues të lagjes Tophane, transmeton Koha.net.

Por, drejtori i Urbanizmit në Prishtinë thotë se leja është dhënë pikërisht në pajtim me planin rregullues.