Investitorë kanadezë të interesuar për të investuar në Kosovë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka pritur në takim një delegacion të investitorëve nga Kanadaja, të interesuar për të investuar në Kosovë në sektorin e prodhimit, i cili udhëhiqej nga Kris Thorkelson dhe Shwan Khoshnow.

Në takim, mysafirët kërkuan informacione rreth klimës së të bërit biznes si dhe mundësive që ofron Kosova për investitorët e huaj.

Me këtë rast, ministrja i informoi afaristët nga Kanadaja rreth përmirësimeve të dukshme që ka bërë Kosova në procesin e reformave ekonomike të cilat kanë krijuar një ambient të përshtatshëm dhe miqësor për investitorët e huaj.

«Një përparësi shtesë është edhe implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim e cila tashmë e bën të mundur që produktet e prodhuara në Kosovë të mund të eksportohen lirshëm në tregun e Bashkimit Evropian», shpjegoi ministrja Bajrami.

Bajrami i inkurajoi investitorët kanadezë që të zgjerojnë investimet e tyre në Kosovë duke u zotuar se Qeveria e Kosovës do të jetë avokate dhe bashkëpunuese e ngushtë në të gjitha fazat e realizimit të investimeve.