Intervistë me kombin



Përveç me persona të caktuar, portalet dhe televizionet sjellin intervista edhe me kombin. Po, me Kombin! Me të madhe a me të vogël – fjala është për shqiptarët kudo që janë, kushdo që janë dhe ngado që janë. Mjafton të kenë qasje në internet, apo në paketat programore satelitore shqiptare. Këto intervista janë ato sondazhet e shumta që dalin nëpër margjinat e portaleve, apo që shpallen në fund të emisioneve të ndryshme të televizioneve. Sepse, kombi e ka fjalën e fundit.

Kështu, kombi pyetet për çadrën e opozitës, për darkën Rama-Meta, për koalicionin Meta-Rama, për koalicionin Zaev-Ahmeti, për koalicionin Ahmeti-Gruevski, për Deklaratën e partive shqiptare në Maqedoni, për Platformën e Tiranës, për Platformën e shqiptarëve në Maqedoni, për bashkimin e kombit, për Kombëtaren e futbollit, për luftën kundër kanabisit, për mbjelljen e kanabisit, për Prengën, Roshin, Peçin…, për Ligjin e dekriminalizimit, për murin në Mitrovicë, për trenin në Mitrovicë, për kuvendin në Reçicë…

Këto intervista fungojnë si mbështetje reprezentative e opinioneve që ndajnë panelistët në debat, të përgjithësueshme për gjithë kombin. Dhe, dorën në zemër, kjo është një sistematikë shkencore për të ardhur në një të vërtetë praktike, sa do të përkohshme; sigurisht varësisht edhe nga tema dhe pyetjet. Kur debati është serioz dhe kompetent, mund të mjaftojë vetëm diskutimi me specialstët, përfshirja edhe e opinionit të gjerë i jep karar, i vë kapak, pikë.

Mirëpo, nga këto intervista, më parë se mendimin e opinionit të gjerë për një çështje, e mësojmë qëndrimin e redaksisë për këtë. Por, edhe orientimin dhe politikën redaksionale të medies, të cilën na e zbulon falas, falë injorancës së atyre që konceptojnë sondazhe të tilla. Ato sondazhe na japin të kuptojmë se sa pak njihen ata me problematikën e hulumtimit të opoinionit. Gjithsesi, përderisa rezultateve të këtyre anketimeve u japin aq shumë peshë, pa e shpjeguar metodologjinë e shfrytëzuar për përzgjedhjen e respondentëve, numrin e tyre, marzhën e gabueshmërisë dhe elementë të tjerë që i japin kredibilitet një sondazhi.

Kjo që merret me kaq lehtësi nga gazetarët është një lëndë vendimtare në studimet e shkencave sociale dhe gogoli i studentëve të këtyre drejtimeve: Metodat e studimit empirik social dhe statistika. Aty më së paku mëson se si lexohet një pasqyrë statistikore, respektin ndaj së vërtetës, kujdesin në përgjithësimin e pohimeve, raportet shkak-pasojë, terminologjinë që me aq lehtësi shfrytëzohet në komunikimin publik, tezat e hipotezat. Aty njihen kurthet nga të cilat janë të rrezikuar përfaqësuesit e shkencave humane, por edhe të atyre sociale.

Mu për këtë ekziston një anegdotë interesante. Një sociolog, një fizikan dhe një matematikan dalin në një ekskursion në natyrë për ta thyer monotoninë e zyrave dhe të laboratorëve. Në lëndinën e një fshati treshja ndesh tri dele të zeza teksa kullosin. Sociologu, me një sens më të spikatur social dhe komunikativ, pohon: «Ky vend paska vetëm tri dele, edhe ato të gjitha të zeza». Fizikani e korrigjon sakaq me gjykimin më të mprehtë të disiplinës së tij: «Ne shohim vetëm tri dele të zeza…». Matematikani nuk duron më, i pakënaqur nga pohimet e kolegëve të tij, me logjikën e tij të hekurt vëren: «Ne shohim vetëm tri dele, të cilat nga njëra anë janë të zeza».

Filozofët në hierarkinë e dijeve më të sigurta i pozicionojnë ato matematikore, kurse në fund të tyre ato metafizike. Dishepulli i Karl Popperit, atij që i ka vendosur standardet e studimeve empirike që aplikohen sot, Thomas Kuhn, flet për njohje të maturuara, paradigma, dhe njohje të pamaturuara, paraparadigma. Tek të parat bëjnë pjesë ato matematikore, kurse njohjet sociale kualifikohen si të papjekura. Sa më të matematikuara, aq më të maturuara dijet.

Nga kjo perspektivë zhgënjen aq më tepër ndonjëri prej aktorëve publikë me formim teknik matematikor, dhe këta nuk janë të paktë në logjet e opinionit publik shqiptar, kur ia fut kot në vlerësimin e zhvillimeve shoqërore dhe politike. Këta shpeshherë nuk dallojnë fare nga ata që nuk kanë as formim matematikor, as shoqëror, dhe qytetarët i shohin si dele. E shumta, i ndajnë në të bardha dhe në të zeza.