Interpoli si inter-dështim – ose: kur diplomacia me «filipinka» dhe politika sekrete e ndarjes të kthehet si bumerang

Mbi dështimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpolit.




Ka një zhgënjim të gjerë në opinion mbi dështimin e serishëm të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare të policisë, Interpol. Zhgënjimi është shumë i kuptueshëm. Zemërimi mbi arsyetimet e pushtetarëve edhe më i madh. Nga ana e pushtetit si fajtore e vetme po përmendet Serbia, fushata agresive e Beogradit, politikanët antikosovarë serbë. Dhe kështu me radhë. Kjo është njëra anë e medaljes. Nga Serbia Kosova nuk mund të presë asnjë të mirë – përkundër llomotitjeve të politikanëve kosovarë për normalizimin e raporteve me Serbinë nën mbikëqyrjen e BE-së.

Por, dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol është, në radhë të parë, inter-dështim. Është dështim i një politike arkaike, kaotike, të korruptuar e kriminalizuar deri në fyt, politikë që është reduktuar në tryeza me raki e mish qengji e gjuajtje me armë jo vetëm në ajër, politikë tenderësh, politikë me «bacin» e me «agallarë», politikë me «filipinka», politikë me «konsuj nderi» e diplomatë qesharakë, politikë në stilin «kapja, kapja Trumpit», politikë gjunjëzuese në korridore të OKB-së ndaj kryeministres serbe, të cilën ministri «ynë» i Jashtëm e lavdëron me gjuhë qesharake, ndërkohë ajo zonja në mes të Berlinit gënjen mbi ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën dhe thotë se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid.

Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol është pasojë e shndërrimit të institucioneve të sigurisë në torishta për të rehatuar militantët partiakë. Brenda një viti kemi parë tre ministra të Brendshëm. Dhe në fund kemi parë se si një këngëtar tallavaje e cakton ministrin e ri të Brendshëm, i cili thuhet se ka edhe një dosje si shkaktar i një aksidenti në trafik. Çka keni pritur? Keni pritur hyrje në Interpol kur një këngëtar tallavaje vendosë se kush do të marrë drejtimin e dikasterit më të rëndësishëm të sigurisë? Vërtet është menduar se Kosova hyn në Interpol nëse me mëngjes policia dhe shërbimi sekret kidnapojnë shtetas turq dhe i fusin në një avion të marrë me qira nga shërbimi sekret turk (MIT). Kjo mund t’i ketë pëlqyer ndonjë shteti autokratik (dhe liderit turk gjithsesi), por jo shteteve ku sundon ligji. Dominimi i strukturave të sigurisë nga elementë të SHIK-ut, drejtimi i institucioneve nga figurantë që i nënshtrohen urdhrave të paligjshme të presidentit, skandalet e njëpasnjëshme, keqqeverisja e sollën edhe dështimin në Dubai.

Propaganda për ndarje, të cilës po i prin presidenti me sejmenët e tij e ka bërë të veten. Përse të pranohet në një organizatë ndërkombëtare një shtet presidenti i së cilit po thotë se nuk mund ta detyrojmë Serbinë të na pranojë, hajde të ndryshojmë kufijtë. Propagandë për ndarje bëjnë edhe zyrtarë të qeverisë dhe Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, i duron, sepse për të më me rëndësi është që të jetë kryeministër me «mashqit» e tij. Zgjate zot kështu!

Të gjitha këto e kanë zbehur edhe përkrahjen ndërkombëtare. Nëse ambasadori britanik në Prishtinë të thotë 100 herë: mos e emëro këtë zyrtar të korruptuar në këtë post dhe ti 99 herë e bën të kundërtën, çka po prisni? Po, Londra voton për të hyrë Kosova në Interpol, por nuk ka më aq entuziazëm për të hedhur në kandarin e politikave botërore krejt ndikimin për t’i ndihmuar një klase politike që qeverisë sot për nesër. Nëse mbahen konferenca për luftimin e korrupsionit dhe aty flet presidenti dhe për shkak të tij ambasadori i një shteti të rëndësishëm europian e refuzon ftesën për pjesëmarrje, ky është sinjal.

Pas dështimit zhgënjimi i opinionit është i natyrshëm. Si zakonisht në këso rastesh te ne shquhet edhe krejt kreativiteti për cinizëm, ironi e shpeshherë edhe vetë-urrejtje. Rruga më e mirë për të dalë nga ky qorrsokak është ndëshkimi kësaj klase politike. Rruga më e mirë është që përgjegjësit për dështimin e radhës të largohen menjëherë. Të parët që duhet të largohen: ai që shalakatet nëpër dynja kinse si ministër i Jashtëm («E njoh Putinin, nuk po ma hapë telefonin», «E kam parë Titon cullak», «Kam qenë në saunë në Kremlin me Jelcinin dhe Clintonin»), ministri i Brendshëm, zyrtarët e lartë policorë dhe të shërbimit sekret që janë përgjegjës për skandalet e pafundme në autoritetet e sigurisë. Mund ta themi edhe më thjeshtë: Kosovës i duhet një kthesë e madhe shoqërore! Por, kthesat e mëdha bëhen nga popujt që janë të vetëdijshëm se kanë hyrë në spirale të rrezikshme. A ekziston në Kosovë kjo vetëdije?