«Interesi» i ri i Perëndimit për Ballkanin është imagjinar

Një manifestim mungese interesi të vërtetë në stabilitetin dhe integritetin e Ballkanit po i hap derën ndërhyrjeve të huaja të dëmshme dhe po ringjall fantazitë reaksionare të elitave lokale.

Foto: Shutterstock



Pas publikimit të fundit të raporteve te progresit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë si edhe një seance dëgjimore në Washington mbi situatën politike në Bosnjë-Hercegovinë, përpara zgjedhjeve të tetorit, mund të konstatohet lehtësisht se interesi ndërkombëtar për Ballkanin mbetet i rëndësishëm. Por, realiteti është krejt e kundërta. Duke parë përmbajtjen aktuale të të dy raporteve të progresit të BE-së dhe diskutimit në Capitol Hill, ajo që është e habitshme është shkalla e injorancës së qëllimshme dhe cinizmi i politikbërësve kryesorë në të dyja anët e Atlantikut në lidhje me çështjet e rajonit.

Për shembull, kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi se nëse Ballkani Perëndimor nuk integrohet në BE, alternativë ka të ngjarë të jetë konflikti. Duke pasur parasysh raportet rreth paraushtarakëve të mbështetur nga Rusia dhe armëve që kanë dalë në Bosnjë-Hercegovinë që nga janari, mund të vlerësojmë kontekstin e komentit të Junckerit. Megjithatë, pavarësisht këtyre paralajmërimeve të zymta, Juncker nuk propozoi asnjë ndryshim apo inovacion në politikën e BE-së ndaj rajonit. Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë dhe Shqipërinë, por edhe kjo u hodh poshtë shpejt si një perspektivë realiste nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Me fjalë të tjera, sipas Brukselit, ndërsa Ballkani Perëndimor përballet me rrezikun e besueshëm të një konflikti, BE-ja nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi për lejimin e përkeqësimit të situatës deri në atë masë. As nuk do të përgjigjet me asgjë më shumë sesa premtime deklarative në lidhje me «perspektivën europiane» të rajonit; premtime që qartazi nuk pasqyrojnë pikëpamjet e pjesëve të rëndësishme të unionit. Ndërkohë në Washington seanca mbi gjendjen e rendit kushtetues të Bosnjës sipas Marrëveshjes së Daytonit u nxit nga përpjekjet polemike të nacionalistëve kroatë të Bosnjës për të ndryshuar kuadrin zgjedhor të vendit përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ndërkohë që eventi ishte një mundësi që qendra e rajonit të rimerrte qendrën e vëmendjes në Kongres, ka gjasa të mbahet mend kryesisht për mungesën e madhe të njohurive të demonstruara nga kryetari i nënkomisionit «Europa, Euroazia dhe zhvillimi», republikani Dana Rohrabacher.

Ndërkohë që Rohrabacher mund të jetë përpjekur të bëjë ndonjë lloj loje të ngatërruar fjalësh, pyetjet e tij në lidhje me nëse boshnjakët dhe shqiptarët ishin pjesë e të njëjtit grup etnik dhe nëse ekzistonte ndonjë mënyrë për të dalluar fizikisht boshnjakët, serbët dhe kroatët, ai nxori mësimet kyçe të ditës: ligjvënësit në Washington ndoshta po kuptojnë ngadalë se duhet t’i kushtojnë vëmendje Ballkanit – por ata do të preferonin të mos e bënin. Në vetë rajonin, kjo mungesë interesi të besueshëm perëndimor në stabilitetin dhe integritetin e tij jo vetëm që po i hap derën ndërhyrjeve të huaja të dëmshme, por edhe për ringjalljes së fantazive reaksionare të elitave lokale.

Kësisoj, qeveria e Serbisë vazhdon të luajë me mundësinë e ndarjes së Kosovës si mënyrën e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë mbi statusin ndërkombëtar të vendit, një fantazi monstruoze që thjesht do të përshpejtonte frikën e Junckerit për një luftë të re në Ballkan. Një njeri që s’e humb kurrë mundësinë për të përfituar nga iluzionet e dobëta për progres të europianëve, Milorad Dodik, president i entitetit të Republikës Srpska në Bosnjë, ka kaluar muaj duke i bërë thirrje Serbisë të bashkojë përpjekjet e saj për ta ndarë Kosovën me ringjalljen e strategjisë së një «Serbie të Madhe». Pra, që Serbia të kërkojë Republikën Srpska si «kompensim» për «humbjen» e Kosovës.

Shkurtimisht, ato që dikur ishin kërkesat e trollëve në internet, ekstremistëve të krahut të djathtë dhe regjimeve të ulëta të viteve 1990, tani po rikthehen gjithnjë e më shumë si politikat zyrtare të qeverive në Beograd dhe Banjallukë.

Dhe kjo në një kohë kur grupet ruse të krimit të organizuar «e shëtisin» rajonin si grupe djemsh, ndërsa Turqia komploton me qeveritë lokale dhe shërbimet e tyre të sigurisë për të zhdukur armiqtë e regjimit të Recep Tayyip Erdoganit pa një proces të duhur dhe ndërsa Rohrabacher kërkon kuturu nëpër errësirë për një frenologji të aftë të dallojë serbët nga kroatët.

E gjithë kjo nënkupton se ndërsa Brukseli dhe Washingtoni nuk kanë as dëshirë dhe apo aftësi të hartojnë një strategji koherente për Ballkanin Perëndimor, shqetësime të tilla nuk ekzistojnë as në rajon dhe as marrëveshjen e regjimeve autoritare të huaja, duke thelluar vazhdimisht kapjen e tyre pas elitave lokale. Siç paralajmërova në një artikull në dhjetor 2016, pikëpamja e establishmenteve në pushtet në Ballkan është se pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, pas Brexitit dhe pas zgjedhjes së Donald Trumpit, Perëndimi nuk është më një aktor i besueshëm rajonal. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja tani janë shumë të konsumuara me krizat e tyre të brendshme që të ndikojnë si duhet drejtimin e këtyre politikave.

Që atëherë, provat që e mbështesin këtë besim vetëm kanë përparuar. Merrni si shembull triumfin Euro-Amerikan të dy viteve të fundit në Ballkan: hyrja e Malit të Zi në NATO. Ndërkohë që zgjerimi i NATO-s është një proces pozitiv dhe vërtet i rëndësishëm për rajonin, sidomos për shtetet e ngarkuara me përgjegjësi strategjike si Bosnja dhe Maqedonia, kjo është një qasje që varet nga shfaqja e kapaciteteve të besueshme demokratike dhe institucionale në shtetet kandidate.

Nga ana tjetër, në Malin e Zi jo vetëm Millo Gjukanoviq siguroi një tjetër mandat si president, duke u siguruar që grushti i tij i hekurt mbi vend do të ecë mirë edhe një dekadë të tretë, por në fjalimin e tij të parë të madh të politikës së jashtme që nga zgjedhja e tij ai bëri thirrje që Podgorica «të normalizojë» marrëdhëniet e saj me Moskën. Po, i njëjti njeri që ishte objektiv i një grushti shteti rus dhe komploti për vrasje në tetor 2016 tani dëshiron t’i japë fund këtij konflikti.

Askush nuk duhet të habitet. Kusarët që janë pjesë në klasat sunduese të Ballkanit janë mbajtur me të mira, janë mundësuar dhe rehabilituar për aq shumë kohë nga Brukseli dhe Washingtoni, saqë tani kanë mësuar të mos kenë frikë nga pasojat – ose edhe ndërgjegjësimi – nga përfituesit e tyre të mëparshëm.

Pra, ndërsa ata përpiqen përsëri në Kongres të gjejnë Bosnjën në hartë dhe të debatojnë për tipografinë e raporteve të progresit në Komision, Vuçiqi, Dodiku, Gjukanoviçi dhe të tjerët, nën shikimin vigjilent të Vladimir Putinit dhe Erdoganit, do të angazhohen të krijojnë fakte të reja në terren.

Dr. Jasmin Mujanovic është studiues politik i specializuar në politikën e Europës juglindore dhe në politikën e demokratizimit post-autoritar dhe post-konflikt më gjerësisht.