Integrimi është kulturë

Dallimi e krijon frikën,
frika e shkakton largimin
e largimi e përjashton integrimin,
dorëzan i kompaktësisë shoqërore.

Foto: Betogjeni



Fjalori: Një shpikje për t’u zbuluar prapë. Në fjalor gjejmë gjithçka që na pëlqenë, madje edhe atë që nuk ka duhet. Le të quhen Robert i Vogël (Petit Robert) apo Mini Robert, ata e kanë një kujtesë të madhe. Sot, tri fjalë janë në rend dite: «Integrimi», «është» dhe «kulturë».

Integrimi 

Integrimi, emër i gjinisë femërore, është «përfshirja e elementeve të reja në një sistem». Për filozofinë dhe shkencën, integrimi është «vënia e një ndërvashmërie më të ngushtë në mes të dy palëve». Kështu, sipas emrit të gjinisë femërore, filozofisë, shkencës, dy fjalorëve Robert dhe sipas meje, integrimi është të dyjat.

Fjala integrim është e lidhur me fjalën «integruar», kush thotë «integruar», shqipton ashtu sikurse shkruan fjalori Petit Robert: «Të bëjë të hyjë në një tërësi sikur pjesë integrale». Dhe kush e shqipton «integrale», thotë sikurse e shkruan Robert Illustré: «Pa të cilën një tërësi nuk do të ishte e plotë».

«Gjendja e një gjëje të plotë» është e ndërlidhur me integralitetin, gjersa «gjendja e një gjëje e cila qëndron e paprekur» është e përmbledhur me integritetin. Në mënyrë të përmbledhur: Integrimi është «integrimi i individit në integralitet, duke e respektuar tërësisht integritetin e shoqërisë mikpritëse.

Integriteti sipas fjalorëve francez Robert: Petit, Micro apo Illustré (i vogël, mikro apo i ilustruar), rimon edhe me «ndershmëri» dhe «drejtësi absolute». Integrimi është para së gjithash një emër. Personat e integruar dhe ata e ato të shoqërisë së integrimit kanë poashtu një emër, një zanat dhe një vend në këtë shoqëri me pamje të një mozaiku, me Zvicrën në filigran, me integritet të plotë dhe më të pasur.

Është

Pas fjalës «integrim» na intereson fjala «është».

«Është», veta e tretë e njëjësit të foljes «jam», e zgjedhuar në kohën e tashme. Sapo e tanishmja të shqiptohet ajo bëhet e kaluar, gjersa e ardhmja shqiptohet gjithmonë në të tashmen. Folja «jam» në kohën e shkuar zgjedhohet me foljen kam, ashtu sikur «të pasurit e një realiteti», të ekzistuarit. Jam është një folje – fjalë që shpreh një veprim, një gjendje dhe të bërit.

Për të qenë duhet ardhur, por edhe për t’u bërë duhet ardhur.Unë kam ardhë, ti ke ardhë, ai/ajo ka ardhë, ne kemi ardhur, ju keni ardhur… «Ne thirrëm fuqi punëtore dhe na erdhën njerëz …», thotë Max Frisch në vitin 1965. 

Kulturë 

Ata dhe ato kanë ardhur me bagazhet e tyre të dukshme dhe me një bagazh tjetër të padukshëm, me një pamje të padukur: Kultura.

Kultura? Një koncept sa i gjerë aq edhe i kufizuar. Për Robert Illustré kultura është: «Tërësia e formave të njohurive të fituara mbi sjelljet në shoqëritë njerëzore».

Kultura, emër ky femëror që shpreh «zhvillimin e disa aftësive të mendjes me ushtrime intelektuale» dhe «tërësia e njohurive të fituara përmes edukimit dhe formimit».

Integrimi është një emër, mirëpo ai ka edhe një emër tjetër që i shkon mirë për shtati: Kulturë. Një emër, dhe jo një mbiemër me anën e tij subjektive.

–       A është për shkak të kulturës së origjinës së tyre, arsyeja pse këta të huaj nuk po arrijnë dot të integrohen?, më pyet një ditë një kolege mësimdhënëse.

–       Nuk është shkaku i kulturës, por ndoshta shkaku i mungesës së kulturës!, i përgjigjet një tjetër koleg në vend timin. Të njëjtën gjë do të kisha thënë edhe unë.

Disa ditë më vonë, një gazetar e pyet shefen e Shërbimit të të Huajve të një kantoni fqinj:

–       Këta të rinjë kosovarë, që godasin, a e bëjnë këtë për motive kulturore?

–       Nga njëra anë, po!, përgjigjet ajo.

E sikur t’ju dhuroja këtyre të dyve nga një fjalor me rastin e ditëlindjes së tyre?

«Kultura është sikur marmelata, sa më pak që ta kemi, aq më shumë e shpalosim» thoshte një i panjohur. 

«Nga cila kulturë» apo «A është i kultivuar»

«Kultura dhe mendja janë sikur parashuta, nëse qëndrojnë të mbyllura, përplasja me tjetrin, me tokën, është e madhe». «Sa më i thellë të jetë lumi, aq më i qetë është…», thonë tek unë. E them gjithashtu.

Sa më shumë që njohuritë tona të ndërsjella të zgjerohen e thellohen, aq më tepër shpirtërat tanë qetësohen dhe përplasja është më e vogël.

Nëse lumi është i thellë, shtrati i tij nuk vërshon. Atëherë ai e ushqen tokën që na ushqen. Po i njëjti lum mund të vërshojë dhe shkatërrojë kulturat bimore.

Kultura është një koncept aq i gjërë sa askush nuk mund të pretendojë të ketë tërësinë e vështrimeve intelektuale dhe artistike, pra të ketë të veten tërësisht një kulturë.

Atëherë kush mund të jetë bi-kulturor, multi-kulturor, ndër-kulturor, pluri-kulturor apo poli-kulturor dhe kështu të pretendojë të zotërojë disa kultura, shumë kultura?

Modeli multikulturor e ka bërë rrugëtimin e tij, shpesh duke u zbrapsur, dhe tani është koha e të ndjellurit të integrimit kulturor në mënyrë që të menjanohet getoizimi në dëm të kompaktësisë shoqërore.

Integrimi nuk është rrugëzgjedhja e kulturës, kultura është rrugëzgjedhja e integrimit. Një kulturë të integrimit për individin e integruar, por edhe për ata e ato të shoqërisë së integrimit.

Kultura është një shprehje metafizike dhe e gjithanshme, njohuritë janë lënda e saj. Kultura nuk është një pronë, as individuale, as kolektive. Kultura nuk trashëgohet as individualisht dhe as kolektivisht, ajo është çështje individuale dhe kolektive në të njëjtën kohë.

Fatmirësisht që nuk e trashëgojmë kulturën në gjenetikë, përndryshe edhe marrëzia do ta kishte kërkuar hisen e saj të trashëgimisë.

Kultura nuk është një gjendje e ngrirë, gjenetikisht e trashëguar, me një zgjedhje të vetme: Ndryshimin gjenetik, apo klonimin dhe kështu krijimin e kushteve të jetës «in vitro». Organizmi jeton në «in vivo».

«Nuk ka njeri të kultivuar. Ka vetëm njerëz që kultivohen», thoshte Maréchal Foch. Çdo ditë e jo vetëm në ditën e lindjes apo në ditëlindje. Në vend të pyetjes «Nga e cila kulturë është?», unë parapëlqej pyetjen: «A është i kultivuar?».

Kultura dhe gjithanshmëria

«Pikëpyetjet janë të gjithanshme, përgjigjet janë kulturore», thotë Hubert Reeves. «Kam lindur në Kvebek, një vend katolik. Sikur të lindja në Kinë, do të bëhësha budist, në Indi shivaist, në Marok, do ta kisha adhuruar Allahun. Atij që më pyet se cila është përgjigjja e mirë në lëminë fetare, unë i them: Është ajo e juaja. Ajo që ju e farkëtoni përmes mendimeve tuaja, jetës tuaj, vuajtjes dhe lumturisë tuaj dhe me të cilën ju ndiheni mirë», shton më tej ai.

Nuk ka shkencë pa këndvështrime. Imigrantët sjellin gjithashtu këndvështrimet e tyre duke zgjeruar dhe pasuruar pamjet e shoqërisë pritëse, e cila pastaj nga ana e saj ju hap horizonte të reja.

«Nuk ekziston asnjë kulturë pa dallime dhe pa pika të përbashkëta, që do të thotë pa përgjithësime (…). Ekziston një lëkundje e parreshtur dialektike në mes të njërës dhe tjetrës, që e themelon dinamikën e historisë kulturore. Unë dua të jem në këtë histori. Nuk dua të jem një shikim që do t’i vëzhgonte këto komunitete njerëzore sikur i vëzhgojmë insektet», thotë Zonja Erica Deuber Ziegler.

Kultura nuk shumëzohet, ajo është e përbërë nga komponentë të shumtë të njohurive: P. sh. a nuk themi kulturë gatimi, kulturë veshmbathjeje, kulturë fetare, kulturë arktitekture, kulturë pune, kulturë fizike, kulturë gjuhësore, kulturë seksuale, kulturë artistike, kulturë ndërmarrjeje, kulturë institucionale, etj.

Koncepti «multikulturor» na bën të mendojmë në një fenomen fizik, sikur tulla të renditura njëra mbi tjetrën, për të krijuar mur ndarjeje mes qeniesh. Shprehja «multikulturor» përkon më shumë me një «ndërmarrje multikombëtare», me më pak të mira materiale.

Kombi nuk është zanat

Me mjetet e sofistikuara të komunikimit, informatat, dituria, përvojat e fituara dhe njohuritë qarkullojnë shpejt. Risi është fenomeni i shpejtësisë, por nuk është fenomen risi botërimi, botërimi kulturor.

Dhe kur e kujtojmë se Marko Pollos iu deshën muaj të tërë që të kthehet nga Kina me ca shpageta që tani themi se janë italiane…

Kristof Kolombi u kthye nga Amerika, pas një rruge të gjatë, për të na njoftuar se e zbuloi Indinë. Dhe ata banorë akoma sot i quajmë «indianët» e Amerikës. Që prej asaj kohe ne kemi bërë përparime dhe jemi pak më të saktë duke i quajtur:  Z. Gashi, kosovari; Z. Nguyen, vietnamezi; Z. Kounta Kïnté, afrikani; Zonja Osata, refugjatja; Z. You-You, kinezi; Z. Abdelatif, arabi; Z. Gonzalez Sanchez Rodriguez Chavez, pa leje qëndrimi; Z. Hurriet, turku; M. Tatlises, kurdi; Zonja Mirkovic, serbja; Zonja Kovac, kroatja; Z. Alievic, boshnjaku; M. Bellitto, italiani.

Kombi nuk është një zanat. Z. Nguyen dhe miqtë e tij do të donin poashtu të kenë një emër, por edhe një zanat të njohur si: Zonja Dupont, mësimdhënësja; Zonja Bidonville (fr. lagje barakash), bashkë-drejtoresha e agjensisë së madhe së patundshmërisë: «Pasuria juaj është e jona»; Z. Duplex, patroni i sallonit të masazhit «1+1=3»; Zonja Edelweiss, farmacistja e lagjës; Z. Libre, shitësi i librave; Z. Bingo, bankieri; Z. Kaviar, socialisti dhe Zonja Dashurie, liberalja.

Është më lehtë të integrohet një zanat se një kombësi. Në shtëpitë e pleqëve, i thërrasim njohuritë e një mbikëqyrëseje nate, edhe pse atë mund ta thërrasim edhe «kamerunezja».

Integrim i mirë, investim shumë i mirë

Një shoqëri që di dhe që ka guximin të investojë të gjitha mjetet për të integruar, për të formuar dhe që u jep të gjitha mundësitë imigrantëve, do të pasurohet më vonë nga ana e saj.

Një integrim i mirë është një investim i mirë. Për individin dhe për shoqërinë. Një shoqëri me banorët e saj të kultivuar do të rrezatojë më tej në mënyrë kulturore.

Në vitin 2006 kultura helvetike ka pasur një rrezatim të paparë. Përpara, ca producentë thartonin fytyrën duke nguruar që të vinin flamurin zviceran pranë filmave të tyre. Tani është gati e kundërta: Qëndrimi swissitude është in, mund të lexojmë në një artikull në të përjavshmen Hebdo.

Dhe Henri Dès do të mund të vazhdojë t’u japë emrin e tij liceve në Francë, Tieuf-at e Zep-it shkulet me nguti në oboret e kolegjeve të Parisit, gjersa «Mon frère se marie» («Vëllau im po martohet») i Bron-it do t’i frymëzojë remakes-at e Hollivudit.

Në vitin 2006, të diplomuarit e parë postdiplomik të Shkollës së Lartë të Specializuar në Art-Terapi dolën në dritë. Pse jo, një ditë edhe një formim postdiplomik në kulturë-terapi? Tek e fundit, është arti ai që bën pjesë në kulturë. Ngurruesit e integrimit do të mund të mirreshin kështu në ngarkesë nga kultura.