Instrumenti i torturës

Kosovarët mbesin ende të izoluar – për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm dhe të paaftë.



Shumica e politikanëve të Kosovës nuk kanë asnjë problem të udhëtojnë. Marrin lehtë vizën e Schengenit në ambasadat  perëndimore në Prishtinë ose janë të pajisur me pasaporta të Shqipërisë apo të ndonjë shteti tjetër. Shpesh fare nuk duhet t’i nënshtrohen procedurave poshtëruese të lëshimit të vizës, sepse këtë punë për politikanët e rregullojnë shoferët, asistentët, ndihmësit. Për dallim prej politikanëve, qytetarët e thjeshtë me muaj të tërë presin për të marrë një termin për dorëzimin e kërkesës për vizë. Nëse kanë fat, marrin vizë. Shpesh nuk kanë fat.

Mbi 10 milionë romë të Europës Lindore, një kategori e diskriminuar dhe e prirë të emigrojë ilegalisht, prej vitesh udhëton pa vizë në vendet e Schengenit. Këtë privilegj nuk e gëzojnë qytetarët e Kosovës, ndonëse edhe këtu ka dallime: jo pak serbë të Kosovës kanë pasaporta të Serbisë dhe udhëtojnë pa pengesa. Mallkimi schengenian i godet veçanërisht shqiptarët e Kosovës.

Në esenë e saj «Ne refugjatët» filozofia e madhe gjermano-hebraike Hannah Arendt shkruan: «Përmes diskriminimit shoqëria e ka zbuluar instrumentin vrastar, me të cilin mund të vriten njerëz pa gjakderdhje; pasaportat apo certifikatat e lindjes, nganjëherë edhe deklaratat tatimore nuk janë më dokumente formale, por janë bërë çështje e dallimit social».

Në rastin e Kosovës kjo domethënë: përmes regjimit të vizave Bashkimi Europian ka instaluar një instrument të diskriminimit ndaj qytetarëve të Kosovës. Ndërsa është e kuptueshme që BE të kërkojë që për liberalizimin e vizave të plotësohen kushtet siç i ka plotësuar çdo vend (pasaportat biometrike, luftimi i keqpërdorimeve, institucionet efikase të sigurisë etj.), është absurde që liberalizimi i vizave të kushtëzohet me caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Jo për të mbrojtur BE-në, por duhet thënë se kjo ka ndodhur tek pasi politikanët e Kosovës, të paaftë dhe të papërgjegjshëm siç janë, së pari nuk e zgjodhën çështjen e demarkacionit në biseda me Malin e Zi, pastaj e shndërruan në betejë gjoja «për jetë a vdekje». Një faj të madh për thellimin e këtij problemi e kanë edhe anëtarët e komisionit për demarkacion, një pjesë e të cilëve me gjasë aty vegjetonin vetëm sa për të marrë mëditje.

Për pasojë një popull po mbahet në izolim për shkak të cinizmit perëndimor dhe marrëzisë vendore. Çfarë duhet bërë për të dalë nga ky qorrsokak? Në vitin 1981 demokracia spanjolle ndodhej në rrezik nga puçistët. Shpëtimi erdhi nga një aleancë që askush s’mund ta merrte me mend: një politikan konservator, një lider komunist dhe një gjeneral shpëtuan demokracinë spanjolle. Rol pozitiv luajti edhe mbreti i Spanjës. Kosova nuk ka mbret, nuk ka madje as president me autoritet, por vetëm një figurant që kohëve të fundit jashtë shtetit udhëton vetëm për të shikuar ndonjë ndeshje futbolli. Për të zgjidhur problemet e mëdha të Kosovës, të cilat këtij vendi ia ka lënë në prag si dhuratë të helmuar Hashim Thaçi dhe kamarilla e tij mizore, duhet një aleancë e madhe shoqërore. A shihet ndokund në horizont kjo aleancë? Duket se jo. Sepse shumica e politikanëve të Kosovës nuk janë në nivelin e përgjegjësisë historike, ndonëse tërë ditën flasin për historinë – dhe aspak për ardhmërinë.

Si është e mundur kjo? Është e mundur për shkak se shumë shqiptarë në Kosovë, përfshirë edhe politikanët, lirinë e kuptojnë si anarki dhe jo sundim të ligjit dhe institucione efikase. Për aq kohë sa nuk kuptohet se liria domethënë shans për të ndërtuar një shtet funksional, dalja nga qorrsokaku duket e largët. «Kujdesuni ju për lirinë, pastaj e vërteta kujdeset për veten», thotë filozofi amerikan Richard Rorty. Që nga viti 1999 shoqëria e Kosovës duron sundimtarë që nuk kujdesen për lirinë dhe përdhosin të vërtetën. Rezultati? Izolim nga Europa!