Instituti Zviceran për Studime Shqiptare promovon 4 botime në Prishtinë

ISEAL prezantoi në Prishtinë punën e tij më të fundit. Intresimi për temat me të cilat merret ky institut zgjuan interesimin e pjesëmarrësve në organizimet e tij. Paralajmërohen prezantime të tjera hulumtuese dhe krijuese muajve që vijnë.

Pamje nga promovimi i ISEAL-it në Bibliotekën Kombëtare.

Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare (ISEAL), i paraqiti 4 botimet më të reja të tij, më 17 nëntor 2016, në Bibliotekën Kombëtare «Pjetër Bogdani» në Prishtinë. Qëllimi i këtij aktiviteti dhe i pranisë së autorëve të librave që u prezantuan ishte diskutimi mbi temën e imazhit në media, të bërësve të opinioneve si dhe ndikimet e tyre në shoqëri. Ngjarja u pasua edhe me prezantime të tjera mediale.

Botimet në përgjithësi kanë të bëjnë me pasqyrimin e jetës dhe veprimtarisë së shqiptarëve në Zvicër në mediat dhe shoqërinë zvicerane. Librat në fjalë janë botime të ndara në gjuhët frënge dhe gjermane: «Imazhi i Shqiptarëve në mediat zvicerane», «Dallime Identike – Ese mbi përkthimin», «Shqiptarët e moshës së tretë në Zvicër».

Autorët e librave janë emra publikë në fusha të ndryshme: Alain Maillard – kryeredaktor i revistës së sindikatave «Editio», Kujtim Shabani – kryeredaktor i platformës «dialogplus» në Zvicër, historiani dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Departamentit të Financave dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Kantonin Vaud – Olivier Meuwly si dhe drejtori i institutit ISEAL, njëherësh mësimdhënës në Kolegjin Léon-Michaud në Yverdon të Zvicrës, Driton Kajtazi.

Pjesëmarrësit në organizim ishin të shumtë dhe të profileve të ndryshme. I pranishëm ishte edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili përveç një fjale përshëndetëse u përfshi edhe në debatin e zhvilluar. Kishte përfaqësues të Ambasadës Zvicerane, drejtues të institucioneve të ndryshme vendore, profesorë e studentë të numërt dhe eksponentë të jetës kulturore në Kosovë.

Në fillim të promovimit, drejtori i ISEAL-it, Driton Kajtazi, bëri një paraqitje të shkurtër të këtij instituti. Ai është njohur nga Konfederata Zvicerane në vitin 2008 si institucion me vlerë publike dhe përbën institutin e vetëm të të huajve me një njohje të tillë nga Konfederata Zvicerane. Kajtazi theksoi se me Institutin shqiptarët më nuk janë vetëm objekt i studimeve, por edhe studiues. ISEAL-i ka disa sektorë, ndër të cilët janë ai i hulumtimeve, i botimeve, i mësismdhënies dhe ai i dokumentacionit. Prej dy vitesh, si rezultat i bashkëpunimit me qytetin e Lozanës, ISEAL është kurorëzuar me ndërtesën e vet, që i mundëson të zhvillojë aktivitete në mënyrë dinjitoze e pofesionale.

Ideja e përgjithshme që u transmetua nga promovimi ishte se imazhi i shqiptarëve në Zvicër po transformohet për të mirë. Para së gjithash në saje të integrimit të mirë të shqiptarëve atje, sidomos për shkak të performansës së futbollistëve shqiptarë në Zvicër, rritjes së numrit të studentëve shqiptarë në universitetet zvicerane etj. Mesazhi që u dha me këtë rast ishte se shqiptarët duhet të frymëzohen më shumë nga këta shembuj dhe të përmbahen nga veset.

Kjo paraqitje u zhvillua në kuadër të projektit të ISEAL-it «Diaspora urë e shkëmbimit të njohurive» për projektin tjetër – Promovimi i Shoqërisë Demokratike – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Pos promovim-debatit në biblotekën Kombëtare, autorët patën edhe një seri aktivitetesh në mesin e të cilave një takim me ministrin e Diasporës, Valon Murati dhe bashkëpunëtorët e tij. Pasoi një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, një tjetër  me drejtuesit e Fakultetit të Filologjisë, dekanen e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, Lindita Rugova dhe një me drejtuesit e Kolegjit Universitar «Iliria», Mixhait Reҫi dhe docentë të tij. Këtu Olivier Meuwly mbajti një ligjëratë mbi demokracinë e drejtëpërdrejtë në Zvicër, përmbajtjen e së cilës e pasuroi interesimi i spikatur i auditorit.

Përgjatë të gjitha aktiviteteve u bënë shkëmbime dhe analizë e mundësive të shkëmbimit afatgjatë ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre zvicerane. Edhe pse botimet ishin në gjuhët frënge dhe gjermane, interesimi për ta patur librin ishte shumë i madh. Prandaj në kuadër të këtij projekti u paralajmërua botomi i këtyre materialeve në gjuhën shqipe edhe dy aktivitete të tjera në muajt shkurt dhe maj 2017, të cilat, për më tepër, do të kenë në shënjestër ekonominë dhe Diasporën si dhe problematikën e shëndetit mendor publik.