Instituti me dy punëtorë dhe me 100 spekulime: IFIMES-i i Lubjanës nuk ofron analiza serioze

Një institut i dyshimtë nga Lubjana paralajmëron ndryshime tektonike në politikën e Kosovës. Por, në të kaluarën Instituti për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit (IFIMES) ka ofruar analiza absurde që u ngjajnë përrallave të spiunazhit. Dhe kjo s'është befasi. Instituti ka dy drejtorë (një kurd nga Iraku dhe një boshnjak me adresë në Slloveni), por s'ka kurrfarë ekipi për analiza. Në Kroaci mediat prej vitesh tallen me këtë lloj instituti.

Pamje e Lubjanës. Foto: Shutterstock



Gjithnjë para zgjedhjeve në ndonjë vend të rajonit me analiza shfaqet në opinion edhe Instituti për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit (IFIMES) me seli në Lubjanë. Përmbajtja e analizave shpesh është spektakulare, por rrallëherë analizat e IFIMES-it janë të pasuruara me fakte. Nuk është fare befasi që IFIMES tani me gjasë ka shpërndarë një analizë, në të cilën pa kurrfarë rezerve profesionale thotë se «ekziston plani i vendeve udhëheqëse në botë që nga skena politike në Kosovë të zëvendësojë shumicën e liderëve të tanishëm, ndër ta edhe presidentin aktual Hashim Thaçi». Konstatimi se «ekziston plani» nënkupton se IFIMES e ka parë atë plan. Por, ndërsa nuk ka asnjë dëshmi për këtë plan famoz, analiza e IFIMES-it duhet të konsumohet me shumë kujdes.

Së pari në webfaqen e IFIMES-it nuk gjendet raporti për Kosovën, të cilit i referohen mediat serbe (Blic, Tanjug, Mondo etj). Shumë media në Kosovë i citojnë mediat serbe, por pa e parë raportin e IFIMES-it. Është e mundshme që IFIMES paraprakisht ua ka ofruar mediave serbe raportin para se ta bëjë publik. Kontakti me këtë institut të dielën ishte i pamundshëm. Agjencia serbe e lajmeve Tanjug është përpjekur të jetë pak më e kujdesshme, duke e shpërndarë lajmin me pikëpyetje: «Shkon Thaçi, vjen Kurti?» Është e mundur që Gjykata Speciale të shkaktojë tërmet në skenën politike të Kosovës, siç supozon jo vetëm IFIMES, por se kush do të akuzohet me gjasë deri më tani e dinë vetëm prokurorët dhe gjykatësit e Gjykatës Speciale të involvuar në rastet konkrete. Po aq e mundur është që aktakuzat të godasin figura të rangut dytësor të UÇK-së. Të nxirret përfundimi se ekziston një plan i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshime politike në Kosovë i ngjan më shumë një aventure retorike se sa një analize serioze. Është parë edhe në Maqedoni se bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur plan për rrëzimin e Nikola Gruevskit, ndonëse e kritikonte ashpër regjimin e tij. Me zëvendësim të liderëve duhet të merren zgjedhësit. Për këtë ekziston demokracia. Dhe bashkësia ndërkombëtare perëndimore ende favorizon marrjen e pushtetit në mënyrë demokratike.

Sipas mediave kroate IFIMES-i i Lubjanës nuk ofron analiza serioze dhe më shumë bën bujë me spekulime. Instituti ka dy punëtorë dhe të dy e quajnë veten drejtorë. Ose paraqiten si të tillë në opinion. Zijad Bećirović është boshnjak me adresë në Slloveni, Bakhatyar Aljaf është një kurd i Irakut me banim po ashtu në Slloveni. Në vitin 2013 gazeta «Slobodna Dalmacija» shkroi se IFIMES ka shpikur anketa. Në një anketë mbi zgjedhjet në Bosnjë kuota e gabimit për kandidatë të caktuar arrinte deri në 40 për qind. Sipas gazetës kroate IFIMES as që merret me anketa, por kryen «hulumtime» të opinionit publik sipas nevojës së porositësit. Pas kritikave në mediat kroate IFIMES kishte hequr dorë nga publikimi i rezultateve të anketave të pazhvilluara. Analizat periodike të IFIMES-it mbi gjendjen e vendeve të rajonit «Slobodna Dalmacija» i ka quajtur tendencioze dhe më tepër me karakter spiunazhi se sa analitik. Mediat kroate kanë kritikuar edhe disa politikanë të Zagrebit, të cilët kanë pranuar të jenë pjesë e bordit këshilldhënës të IFIMES-it si ish-kryeministrja Jadranka Kosor dhe ish-diplomati jugosllav Budimir Lonçar. Kryetar i bordit të këtij instituti kishte pranuar të jetë ish-presidenti kroat Stipe Mesiq, gjë që nuk paraqet asnjë befasi, sepse Mesiq nuk përton të angazhohet kudo ku sheh pak shans për publicitet dhe ku supozon se mund të marrë ndonjë qindarkë, rrjedhimisht ai shpesh shoqërohet edhe me pemëshitës nga Kroacia, të cilët janë me origjinë nga viset shqiptare.

Kur «Slobodna Dalmacija» e pyeti Budimir Lonçarin se përse kishte pranuar të bëhej pjesë e bordit këshilldhënës të IFIMES-it, ai tha: «Mesiqi ka kërkuar nga unë të jem kryetar i bordit këshilldhënës. Unë nuk i njoh ata njerëz të IFIMES-it, nuk e di çka shkruajnë. Nuk marrë kompensim për këtë funksion dhe nuk jam përgjegjës për punën e tyre». Paramendojeni: kryetari i bordit këshilldhënës të IFIMES-it nuk i njeh themeluesit e IFIMES-it! Seriozitet i paparë. Edhe zyra e ish-presidentit Mesiq kishte thënë se edhe pse kryetar i bordit Mesiq nuk merr pjesë në asnjë aktivitet të institutit.

Se sa serioze janë analizat e IFIMES-it tregon edhe ky fakt: para shpalljes së pavarësisë së Kosovës IFIMES shkroi se kryeministri i atëhershëm kroat Ivo Sanader është marrë vesh me kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica se nuk do ta pranojë Kosovën dhe si kundërshpërblim Koshtunica do t’i mundësonte Sanaderit krijimin e entitetit të tretë në Bosnjë, i cili do të qeverisej nga kroatët. Siç dihet Kroacia ka qenë ndër vendet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Serioziteti i institutit IFIMES është parë edhe para disa muajsh kur e nderoi kuadrin e PDK-së, Arsim Bajrami, me njëfarë çmimi për shkak të kontributit në arsim. Se ku e ka parë IFIMES-i këtë kontribut mbetet sekret i dyshes nga Lubjana. Ata ndoshta nuk i kanë parë rezultatet e PISA-s.