Institucionet komunale të Lipjanit përkujtojnë dëshmorët e kombit

Institucionet komunale të Lipjanit, familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë e qytetarë të kësaj komune, me një akademi përkujtimore kanë shënuar ditën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lipjan.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se po shënohet një ditë e veçantë e cila përkujton dëshmorët e kombit në këtë komunë. Sipas tij, përherë ndër breza do të nderohen përjetësisht dëshmorët e martirët e kombit, vepra sublime e të cilëve faktoi e ndërtoi themelet e lirisë, themelet e shtetësisë së vendit.

«Jemi mbledhur këtu, në këtë 17 vjetor, për t’i përkujtuar dëshmorët dhe martirët që ranë heroikisht në gjithë territorin e Komunës së Lipjanit. Ne nderojmë gjithë sublimitetin e tyre të madh, me gjithë ëndrrën e tyre shekullore për liri dhe pavarësi», ka thënë Ahmeti, raporton korrespodenti i «Kohës Ditore».

Ai ka shtuar se rifreskojnë memorien para 17 vitesh për të kujtuar gjithë atë lumë vuajtjesh e sakrificash të familjeve të dëshmorëve e martirëve të popullit shqiptar në përballje me vrastarët e përhershëm serbë që ndër shekuj provuan ta zhdukin kombin shqiptar.

«Por jo vetëm sot, por çdo herë duhet të mbajmë të gjallë kujtesën mbi të kaluarën e lavdishme te të rënëve për liri e pavarësi të vendit tonë. Përherë duhet të respektojmë e nderojmë gjithë dëshmorët që na dhuruan që ky popull, ky vend, të gëzoj lirinë e pavarësinë e vet. Ata e bën historinë, ata i dhanë vlerë lirisë», ka thënë midis të tjerash Ahmeti.

Ai ka sqaruar se nderi më i madh iu bëhet dëshmorëve duke punuar drejt, duke e dashur njëri-tjetrin, duke e vlerësuar të mirën nga e keqja, duke e gjykuar negativen e vlerësojmë progresin, të mos përkrahet inatisht as të mos urrehet politikisht askush, të dënohet vepra e keqe, korrupsioni e hajnia, etj.

Në emër të tri shoqatave të dala nga lufta, një fjalë rasti e ka mbajtur Habib Olluri i cili ka thënë se duke i përkujtuar dëshmorët, përkujtohet edhe amaneti i tyre që ky popull të jetojë i lirë, të ketë mirëqenie, të ketë arsimim të mirëfilltë, të ketë udhëheqës të vyeshëm dhe jo injorantë dhe të ketë shtet ligjor por jo me standarde të dyfishta.

«Amanetin e dëshmorëve si popull duhet ta kultivojmë te rinia jonë siç e do tradita jonë dhe t’i luftojmë dukuritë negative të cilat janë në kundërshtim me amanetin e dëshmorëve», ka thënë ai.

Xhevdet Bytyqi, kryetar i Bashkësisë Islame në Lipjan, ka thënë se familjarët e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për sakrificën e të afërmve ngase vepra e dëshmorëve për liri ka status të veçantë te Zoti.

«Këta dëshmorë vërtet se Zoti i ka dalluar edhe në botën tjetër duke i ngritur me grada dhe shpërblime të veçanta. Këta trima që iu bashkuan shumë vendeve të Kosovës për të luftuar për liri», ka thënë Bytyqi.