Inspektorati Policor i Kosovës hap zyrën rajonale në Gjilan

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), që merret me hetimin e shkeljeve disiplinore dhe veprimet e mundshme penale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ka hapur zyrën rajonale në Gjilan, raporton korrespondenti i Kohës Ditore nga Gjilani.




Në ceremoninë hapëse të kësaj zyre të pranishëm ishin përfaqësues të prokurorisë, Komunës së Gjilanit, Policisë së Kosovës si dhe përfaqësues të organizatave të huaja.

Fitim Shishani, kryeshef ekzekutiv i IPK-së, është ndjerë i lumtur me hapjen e kësaj zyre e cila ka filluar me Gjilan duke paralajmëruar edhe hapjen e zyrave tjera nëpër komunat e Kosovës. Ai ka thënë se kjo zyre do t’i mundësojë qytetarëve që të kenë më afër këtë institucion ngase më herët ata ishin dashur që të udhëtonin në Prishtinë për të bërë një ankesë.

Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan ka thënë se me hapjen e kësaj zyre do të intensifikohet bashkëpunimi më i madh.

«Ju kemi pasur pak larg mirëpo bashkëpunimi kurrë nuk ka munguar. Tash që ju kemi më afër do të ketë një bashkëpunim më të madh dhe do të jetë më e frytshme», ka thënë ai.

Ndryshe zyra rajonale e IPK-së në Gjilan gjendet brenda kompleksit të Gjykatës Themelore në Gjilan.